Të tregojmë një qëndrim pritës!
«Do të tregoj një qëndrim pritës për Perëndinë e shpëtimit tim. Perëndia im do të më dëgjojë.»—MIKEA 7:7, BR.
1, 2. (a) Si i dëmtoi izraelitët në shkretëtirë qëndrimi i gabuar? (b) Çfarë mund t’i ndodhë një të krishteri që nuk kultivon qëndrimin e duhur?
SHUMË gjëra në jetë mund të shihen pozitivisht ose negativisht, në varësi të qëndrimit tonë. Kur izraelitët ishin në shkretëtirë, me anë të një mrekullie iu dha mana. Ata duhej ta kishin parë përreth tyre terrenin shterp dhe duhej t’i kishin qenë thellësisht mirënjohës Jehovait që u siguroi për të ngrënë. Kjo do të kishte pasqyruar një qëndrim pozitiv. Në vend të kësaj, ata kujtuan shumëllojshmërinë e ushqimit që hanin në Egjipt dhe u ankuan se mana nuk të hapte oreksin. Çfarë qëndrimi negativ!—Numrat 11:4-6.
2 Edhe sot, qëndrimi i një të krishteri mund t’i bëjë gjërat që të duken ose me perspektivë, ose të zymta. Pa qëndrimin e duhur, një i krishterë mund ta humbë me lehtësi gëzimin dhe kjo do të ishte diçka serioze, sepse, siç tha Nehemia: «Gëzimi i Zotit është fuqia [jonë].» (Nehemia 8:10) Një qëndrim pozitiv e i gëzuar ndihmon për të na mbajtur të fortë dhe nxit paqen e unitetin në kongregacion.—Romakëve 15:13; Filipianëve 1:25.
3. Si e ndihmoi Jereminë qëndrimi i duhur gjatë kohëve të vështira?
3 Ndonëse jetonte në kohë të vështira, Jeremia shfaqi një qëndrim pozitiv. Edhe atëherë kur pa me sytë e tij tmerret e rënies së Jerusalemit në vitin 607 p.e.s., ai arrinte të shihte gjëra pozitive. Jehovai nuk do ta harronte Izraelin dhe kombi do të mbijetonte. Jeremia shkroi në librin e Vajtimeve: «Është një hir i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht. Përtëriten çdo mëngjes; e madhe është besnikëria jote.» (Vajtimet 3:22, 23) Gjatë gjithë historisë, shërbëtorë të Perëndisë në rrethanat më të vështira janë përpjekur të mbajnë një qëndrim pozitiv e, madje, të gëzuar.—2 Korintasve 7:4; 1 Selanikasve 1:6; Jakovit 1:2.
4. Çfarë qëndrimi mbajti Jezui dhe si e ndihmoi ky qëndrim?
4 Gjashtëqind vjet pas Jeremisë, qëndrimi pozitiv e ndihmoi Jezuin që të tregonte qëndrueshmëri. Lexojmë: «Për gëzimin që iu vu përpara, [Jezui] duroi një shtyllë torture, duke përbuzur turpin dhe është ulur në të djathtën e fronit të Perëndisë.» (Hebrenjve 12:2) Në çfarëdo kundërshtimi ose persekutimi që iu desh të përballonte, madje, edhe në agoninë e shtyllës së mundimeve, Jezui e mbajti mendjen te «gëzimi që iu vu përpara». Ky gëzim ishte privilegji për të shfajësuar sovranitetin e Jehovait dhe për të shenjtëruar emrin e tij, si edhe perspektiva për t’i sjellë bekime të mëdha në të ardhmen njerëzimit të bindur.
Të përvetësojmë një qëndrim pritës
5. Cila është një situatë tipike ku qëndrimi pritës do të na ndihmojë të mbajmë pikëpamjen e duhur për gjërat?
5 Nëse kultivojmë një qëndrim mendor si ai i Jezuit, nuk do ta humbim gëzimin e Jehovait edhe sikur gjërat të mos ndodhin gjithnjë në mënyrën dhe në kohën kur i presim ne. Profeti Mikea tha: «Sa për mua, do të qëndroj në rojë për Jehovain. Do të tregoj një qëndrim pritës për Perëndinë e shpëtimit tim.» (Mikea 7:7, BR; Vajtimet 3:21) Edhe ne mund të tregojmë një qëndrim pritës. Si? Në shumë mënyra. Një rast është kur mendojmë, ndoshta, se një vëlla me autoritet ka vepruar gabim dhe se nevojitet një korrigjim i menjëhershëm. Një qëndrim pritës do të na bëjë të shqyrtojmë: ‘A e kishte vërtet gabim apo kam gabuar unë? Nëse e kishte ai gabim, mos ndoshta Jehovai po i lejon gjërat që të ndodhin, sepse mendon që ai person do të përmirësohet dhe se masat drastike korrigjuese nuk do të jenë të nevojshme?’
6. Si do ta ndihmojë qëndrimi pritës dikë që lufton me një problem personal?
6 Qëndrimi pritës mund të jetë i nevojshëm nëse na shqetëson një problem personal ose po luftojmë me një dobësi. Të supozojmë se i kërkojmë ndihmë Jehovait, por problemi vazhdon. Atëherë, çfarë të bëjmë? Duhet të vazhdojmë të bëjmë çfarëdo gjëje që kemi në dorë për të zgjidhur problemin dhe, pastaj, të kemi besim në fjalët e Jezuit: «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet; vazhdoni të kërkoni dhe do të gjeni; vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet.» (Luka 11:9) Të vazhdojmë të lutemi dhe të presim Jehovain. Në një kohë të përshtatshme dhe në mënyrën e tij, Jehovai do t’u përgjigjet lutjeve tona.—1 Selanikasve 5:17.
7. Si do të na ndihmojë qëndrimi pritës në pikëpamjen tonë për një kuptueshmëri gjithnjë e më të qartësuar të Biblës?
7 Ndërsa profecitë biblike vazhdojnë të përmbushen, kuptueshmëria jonë për Shkrimet qartësohet. Por, nganjëherë mund të mendojmë se ndonjë qartësim po vonohet. Nëse nuk vjen në kohën që do të preferonim ne, a jemi të gatshëm të presim? Sillni ndër mend se Jehovai e pa të përshtatshme ta zbulonte «sekretin e shenjtë të Krishtit» pak nga pak çdo herë dhe për një periudhë kohore prej rreth 4000 vjetësh. (Efesianëve 3:3-6) Pra, a kemi ndonjë arsye për të qenë të paduruar? A dyshojmë që «skllavi i besueshëm dhe i matur» është caktuar për t’i dhënë popullit të Jehovait «ushqim në kohën e duhur»? (Mateu 24:45) Përse të privohemi nga gëzimi hyjnor vetëm ngaqë nuk e kuptojmë çdo gjë plotësisht? Kujtoni, është Jehovai ai që e vendos kur dhe si të zbulojë ‘çështjet e tij konfidenciale’.—Amosi 3:7, BR.
8. Si ka dalë dobiprurës për shumë veta durimi i Jehovait?
8 Disa mund të shkurajohen, sepse mendojnë që, pas shumë vjetësh shërbimi besnik, mund të mos jenë gjallë për të parë ‘ditën e madhe dhe frikësuese të Jehovait’. (Joeli 2:30, 31, BR) Gjithsesi, ata mund të inkurajohen kur shohin aspektin pozitiv. Pjetri këshilloi: «Konsiderojeni durimin e Zotërisë tonë si shpëtim.» (2 Pjetrit 3:15) Durimi i Jehovait ka lejuar miliona njerëz të tjerë me zemër të drejtë të mësojnë të vërtetën. A nuk është e mrekullueshme kjo? Më tej, sa më gjatë ta ushtrojë durimin Jehovai, aq më shumë kohë kemi që të ‘vazhdojmë të punojmë për shpëtimin e vetes sonë me frikë dhe me dridhma’.—Filipianëve 2:12; 2 Pjetrit 3:11, 12.
9. Nëse jemi të kufizuar në atë që mund të bëjmë në shërbim të Jehovait, si do të na ndihmojë qëndrimi pritës që të durojmë këtë situatë?
9 Qëndrimi pritës na ndihmon të mos shkurajohemi kur kundërshtimet, sëmundjet, mosha e shkuar ose probleme të tjera na pengojnë në shërbimin e Mbretërisë. Jehovai pret që ne t’i shërbejmë me gjithë zemër. (Romakëve 12:1) Megjithatë, Biri i Perëndisë, të cilit ‘i vjen keq për të dobëtin dhe për nevojtarin’, nuk na kërkon më tepër sesa mund të ofrojmë në mënyrë të arsyeshme dhe as Jehovai nuk e kërkon këtë. (Psalmi 72:13) Kështu, inkurajohemi të bëjmë atë që mundemi, duke pritur me durim derisa rrethanat të ndryshojnë ose në këtë sistem, ose në atë që do të vijë. Kujtoni: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij, duke qenë se u keni shërbyer të shenjtëve dhe vazhdoni të shërbeni.»—Hebrenjve 6:10.
10. Cilën karakteristikë të paperëndishme mund të shmangë dikush që ka qëndrim pritës? Shpjegoni.
10 Qëndrimi pritës na ndihmon, gjithashtu, të shmangim mendjemadhësinë. Disa që janë bërë apostatë nuk ishin të gatshëm të pritnin. Ata mund të kenë menduar se kishte nevojë për rregullime ose në kuptueshmërinë biblike, ose në çështjet organizative. Megjithatë, nuk arritën të kuptonin se fryma e Jehovait e shtyn skllavin e besueshëm dhe të matur që të bëjë rregullime në kohën e duhur të Tij, jo kur mund të mendojmë ne se duhen bërë. Veç kësaj, çdo rregullim duhet të jetë në harmoni me vullnetin e Jehovait, jo me idetë tona personale. Apostatët lejojnë që një qëndrim mendjemadh t’ua shtrembërojë mënyrën e të menduarit dhe t’i pengojë. Por, po të kishin përvetësuar qëndrimin mendor të Krishtit, mund ta kishin ruajtur gëzimin dhe të kishin mbetur në popullin e Jehovait.—Filipianëve 2:5-8.
11. Si mund ta përdorim sa më mirë kohën që kalojmë duke pritur dhe shembujt e cilëve duhet të ndjekim?
11 Sigurisht, të mbajmë një qëndrim pritës nuk do të thotë të jemi dembelë ose joaktivë. Kemi gjëra për të bërë. Për shembull, duhet të jemi të zënë me studimin personal të Biblës dhe të tregojmë, kështu, të njëjtin interes të thellë për gjërat frymore që treguan profetët besnikë e, madje, edhe engjëjt. Duke folur për një interes të tillë, Pjetri thotë: «Pikërisht për këtë shpëtim shqyrtuan me ngulm dhe kërkuan me kujdes profetët . . . Pikërisht këto gjëra engjëjt kanë dëshirë të ndalen e t’i shikojnë.» (1 Pjetrit 1:10-12) Nuk është vetëm studimi personal një domosdoshmëri, por edhe prania e rregullt në mbledhje dhe lutja. (Jakovit 4:8) Ata që janë të vetëdijshëm për nevojën frymore, duke marrë rregullisht ushqim frymor dhe duke u shoqëruar me të bashkëkrishterët, tregojnë se kanë përvetësuar qëndrimin mendor të Krishtit.—Mateu 5:3.
Të kemi një pikëpamje realiste
12. (a) Çfarë pavarësie kërkuan Adami dhe Eva? (b) Cili ka qenë rezultati pasi njerëzimi ka ndjekur drejtimin e Adamit dhe të Evës?
12 Kur Perëndia krijoi çiftin e parë njerëzor, rezervoi për vete të drejtën për të vendosur normat e së drejtës dhe të së gabuarës. (Zanafilla 2:16, 17) Adami dhe Eva deshën të ishin të pavarur nga udhëheqja e Perëndisë dhe kjo solli si pasojë botën që shohim përreth nesh sot. Apostulli Pavël tha: «Nëpërmjet një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, po ashtu vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» (Romakëve 5:12) Gjashtë mijë vjet të historisë njerëzore që nga koha e Adamit kanë treguar vërtetësinë e fjalëve të Jeremisë: «O Zot, unë e di që rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.» (Jeremia 10:23) Të pranojmë se fjalët e Jeremisë janë të vërteta nuk është një pikëpamje disfatiste, por realiste. Këto fjalë janë një shpjegim për tërë ata shekuj të gjatë kur ‘njeriu ka sunduar mbi një tjetër për ta dëmtuar’, sepse njerëzit kanë sunduar të pavarur nga Perëndia.—Eklisiastiu 8:9.
13. Çfarë pikëpamjeje realiste kanë Dëshmitarët e Jehovait për atë që mund të kryejnë njerëzit?
13 Duke pasur parasysh gjendjen e njerëzimit, Dëshmitarët e Jehovait e kuptojnë se ekzistojnë kufizime për atë që mund të arrihet në sistemin e tanishëm. Një qëndrim pozitiv mund të ndihmojë që të ruajmë gëzimin, por nuk është zgjidhja e gjithçkaje. Në fillim të viteve 50 të shekullit të 20-të, një klerik amerikan botoi librin me titull The Power of Positive Thinking (Fuqia e mënyrës pozitive të të menduarit), një ndër librat më të shitur. Në libër hidhej ideja se shumë pengesa mund të kapërcehen, nëse shihen me një qëndrim pozitiv. Patjetër, qëndrimi pozitiv është i admirueshëm. Por, përvoja tregon se ajo që mund të kryejmë ne si individë është e kufizuar nga njohuria, aftësia, zotërimet materiale dhe një sërë faktorësh të tjerë. Gjithashtu, në shkallë botërore, problemet thjesht janë tepër të mëdha që njerëzit t’i zgjidhin me sukses, sado pozitive të jetë mënyra e tyre e të menduarit.
14. A kanë Dëshmitarët e Jehovait një qëndrim negativ? Shpjegoni.
14 Duke qenë se Dëshmitarët e Jehovait kanë këtë pikëpamje realiste për gjëra të tilla, disa herë të tjerët i akuzojnë se kanë qëndrim negativ. Por, përkundrazi, ata janë të zellshëm për t’u folur njerëzve për të Vetmin që mund ta përmirësojë përgjithnjë gjendjen e njerëzimit. Edhe në këtë aspekt imitojnë qëndrimin mendor të Krishtit. (Romakëve 15:2) Gjithashtu, janë të zënë duke i ndihmuar njerëzit që të fitojnë një marrëdhënie të mirë me Perëndinë. E dinë se, përfundimisht, kjo do të sjellë rezultatin më të mirë për ta.—Mateu 28:19, 20; 1 Timoteut 4:16.
15. Si i përmirëson njerëzit vepra e Dëshmitarëve të Jehovait?
15 Dëshmitarët e Jehovait nuk i shpërfillin problemet shoqërore e, në veçanti, praktikat e ndotura jobiblike që gjenden përreth tyre. Para se të bëhet Dëshmitar i Jehovait, një person i interesuar bën ndryshime, shpesh duke iu dashur të mposhtë vese që nuk i pëlqejnë Perëndisë. (1 Korintasve 6:9-11) Kështu, Dëshmitarët e Jehovait i kanë ndihmuar njerëzit me zemër të ndjeshme që të mposhtin dehjen, narkomaninë, imoralitetin dhe maninë e bixhozit. Njerëz të tillë që kanë përmirësuar sjelljen, kanë mësuar të sigurojnë për familjet e tyre në mënyrë të ndërgjegjshme dhe me ndershmëri. (1 Timoteut 5:8) Kur individët dhe familjet ndihmohen në këtë mënyrë, problemet në komunitet zvogëlohen, pasi ka më pak narkomanë, më pak raste dhune familjare e kështu me radhë. Duke qenë vetë shtetas që u binden ligjeve dhe duke i ndihmuar të tjerët që të ndryshojnë jetën për më mirë, Dëshmitarët e Jehovait ua lehtësojnë barrën zyrave që merren me problemet shoqërore.
16. Përse Dëshmitarët e Jehovait nuk përfshihen në lëvizje reformuese shekullare?
16 Prandaj, a e kanë ndryshuar Dëshmitarët e Jehovait ambientin moral në botë? Mirë, në dekadën e kaluar, numri i Dëshmitarëve aktivë u rrit nga afro 3 800 000 veta në pothuajse 6 000 000 veta. Kjo është një rritje me rreth 2 200 000 veta, shumë prej të cilëve kanë hequr dorë nga praktika të pandershme kur janë bërë të krishterë. Shumë jetë janë përmirësuar! Gjithsesi, ky numër është shumë i vogël, po ta krahasojmë me rritjen e popullsisë së botës gjatë po kësaj periudhe: 875 000 000 veta. Për Dëshmitarët e Jehovait është një burim gëzimi t’i ndihmojnë njerëzit me zemër të ndjeshme, ndonëse e kuptojnë se pak veta nga mesi i njerëzimit do të marrin rrugën për në jetë. (Mateu 7:13, 14) Ndërkohë që presin ndryshimet mbarëbotërore për mirë, të cilat mund t’i bëjë vetëm Perëndia, Dëshmitarët nuk përfshihen në lëvizje reformuese shekullare, të cilat, shpesh, fillojnë me qëllime të mira, por përfundojnë me zhgënjim e, madje, edhe me dhunë.—2 Pjetrit 3:13.
17. Çfarë bëri Jezui për të ndihmuar ata që e rrethonin, por çfarë nuk bëri?
17 Duke marrë këtë drejtim, Dëshmitarët e Jehovait tregojnë të njëjtin besim te Jehovai që tregoi Jezui kur ishte në tokë. Në shekullin e parë, Jezui kreu mrekulli duke shëruar. (Luka 6:17-19) Madje, ringjalli të vdekur. (Luka 7:11-15; 8:49-56) Por nuk e eliminoi problemin e sëmundjeve ose nuk e mposhti vdekjen armike. Ai e dinte se nuk kishte ardhur ende koha e duhur e Perëndisë për këtë. Me aftësitë më të mëdha që kishte si njeri i përsosur, Jezui ndoshta mund të kishte bërë shumë gjëra për të zgjidhur probleme të rënda politike dhe shoqërore. Duket se disa nga bashkëkohësit e tij donin që ai të merrte pushtetin dhe të vepronte në këtë mënyrë, por Jezui refuzoi. Lexojmë: «Kur panë shenjat që kreu ai, njerëzit filluan të thoshin: ‘Ky është pa dyshim profeti që duhej të vinte në botë.’ Prandaj, duke e ditur se pas pak do të vinin e ta kapnin për ta bërë mbret, Jezui u tërhoq përsëri krejt vetëm në mal.»—Gjoni 6:14, 15.
18. (a) Si ka treguar gjithnjë Jezui një qëndrim pritës? (b) Si ka ndryshuar aktiviteti i Jezuit, që nga viti 1914?
18 Jezui refuzoi të përfshihej në politikë ose në punë thjesht shoqërore, sepse e dinte që koha kur ai do të merrte pushtet mbretëror dhe të kryente vepra shërimi për të gjithë e kudo, nuk kishte ardhur ende. Edhe pasi u ngrit në jetën frymore të pavdekshme në qiell, ishte i gatshëm të priste kohën e caktuar të Jehovait para se të vepronte. (Psalmi 110:1; Veprat 2:34, 35) Megjithatë, që nga koha e kurorëzimit si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë në vitin 1914, ai ka dalë «duke fituar dhe për të plotësuar fitoren e tij». (Zbulesa 6:2; 12:10) Sa mirënjohës jemi që i nënshtrohemi mbretërimit të tij, në një kohë kur të tjerët që pohojnë se janë të krishterë zgjedhin të mbeten në padije rreth mësimeve të Biblës lidhur me Mbretërinë!
Pritja—Burim pakënaqësie apo gëzimi?
19. Kur «e ligështon zemrën» pritja dhe kur është një burim gëzimi?
19 Solomoni e dinte se pritja mund të jetë e pakënaqshme. Ai shkroi: «Pritja e zgjatur e ligështon zemrën.» (Fjalët e urta [Proverbat] 13:12) Sigurisht, nëse një person ushqen pritje të pabazuara, zemra mund të ligështohet nga zhgënjimi. Por, pritja për ngjarje të gëzueshme—ndoshta një dasmë, lindjen e një fëmije ose bashkimin me njerëzit që duam—mund të na mbushë me gëzim paraprak shumë kohë përpara ditës së përmbushjes. Ky gëzim shtohet nëse e përdorim kohën e pritjes me mençuri, duke bërë përgatitje për ngjarjen e ardhshme.
20. (a) Cilat ngjarje të mrekullueshme presim të sigurt të shohim? (b) Si mund të gjejmë gëzim, ndërsa presim përmbushjen e qëllimeve të Jehovait?
20 Kur kemi besim të plotë se pritjet tona do të realizohen, edhe nëse nuk e dimë kur do të realizohen, periudha e pritjes s’ka përse të na ‘e ligështojë zemrën’. Adhuruesit besnikë të Perëndisë e dinë se mbretërimi mijëvjeçar i Krishtit është shumë afër. Ata janë të bindur se do të shohin fundin e vdekjes dhe të sëmundjeve. Duke i paraprirë me dëshirë të zjarrtë, presin me gëzim kohën kur do t’u japim mirëseardhjen miliarda të vdekurve, duke përfshirë edhe njerëzit e tyre të dashur që kanë vdekur. (Zbulesa 20:1-3, 6; 21:3, 4) Në këto kohë krize ekologjike, ata kënaqen me perspektivën e sigurt se do të shohin rivendosjen e Parajsës në tokë. (Isaia 35:1, 2, 7) Sa e mençur është, pra, ta përdorim me maturi kohën e pritjes, «duke pasur gjithnjë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë»! (1 Korintasve 15:58) Të vazhdojmë të marrim ushqim frymor. Të ndërtojmë një marrëdhënie gjithnjë e më të ngushtë me Jehovain. Të kërkojmë njerëzit e tjerë që i shtyn zemra t’i shërbejnë Jehovait. T’i inkurajojmë bashkëbesimtarët. Të përfitojmë plotësisht nga çfarëdo kohe që Jehovai mund të lejojë ende. Kështu nuk do të na ‘ligështohet zemra’ kurrë duke pritur Jehovain. Përkundrazi, kjo pritje do të na mbushë me gëzim.
A mund ta shpjegoni?
• Si tregoi Jezui një qëndrim pritës?
• Në cilat situata të krishterët kanë nevojë për një qëndrim pritës?
• Përse Dëshmitarët e Jehovait janë të kënaqur të presin Jehovain?
• Si mund të bëhet burim gëzimi pritja e Jehovait?
[Figurat në faqen 12]
Jezui duroi për gëzimin që i ishte vënë përpara
[Figura në faqen 13]
Edhe pas shumë vjetësh shërbimi, mund ta ruajmë gëzimin
[Figurat në faqen 15]
Miliona njerëz e kanë përmirësuar jetën, duke u bërë Dëshmitarë të Jehovait