Të mbrojmë besimin tonë
«Shenjtëroni Krishtin si Zotëri në zemrat tuaja, gjithmonë gati për të bërë një mbrojtje para gjithkujt që ju kërkon një arsye për shpresën që është në ju.»—1. PJETRIT 3:15, BR.
1, 2. Pse Dëshmitarët e Jehovait nuk habiten nga kundërshtimi, por çfarë dëshirojnë ata?
NË SHUMICËN e vendeve, Dëshmitarët e Jehovait në përgjithësi janë të njohur si njerëz të ndershëm, me një jetë të pastër. Shumë njerëz i konsiderojnë ata si fqinj të mirë që nuk shkaktojnë asnjë trazirë. Por, për ironi, këta të krishterë paqedashës kanë vuajtur persekutim të padrejtë, në kohë lufte dhe paqeje. Ata nuk i habit ky kundërshtim. Në fakt, ata e presin atë. Në fund të fundit, ata e dinë se të krishterët besimplotë në shekullin e parë të e.s. ishin «objekt urrejtjeje», prandaj pse njerëzit që përpiqen të jenë ithtarë të vërtetë të Krishtit sot duhet të presin të trajtohen ndryshe? (Mateu 10:22) Përveç kësaj, Bibla thotë: «Të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me devocion hyjnor në shoqëri me Krishtin Jezu do të persekutohen, gjithashtu.»—2. Timoteut 3:12, BR.
2 Dëshmitarët e Jehovait nuk e kërkojnë persekutimin e as nuk kënaqen me vështirësi si gjoba, burgime ose trajtim të ashpër, që mund të sjellë ky persekutim. Ata dëshirojnë të ‘bëjnë një jetë të qetë’ që të mund të predikojnë lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë pa pengesa. (1. Timoteut 2:1, 2) Ata e çmojnë lirinë fetare që kanë në shumicën e vendeve për të çuar përpara adhurimin e tyre dhe me ndërgjegje bëjnë atë që mundin që të ‘jenë paqësorë me të gjithë njerëzit’, ku përfshihen edhe sundimtarët e qeverive njerëzore. (Romakëve 12:18; 13:1-7) Atëherë, pse janë «objekt urrejtjeje»?
3. Cila është një arsye, për të cilën Dëshmitarët e Jehovait janë urryer padrejtësisht?
3 Kryesisht, Dëshmitarët e Jehovait janë urryer padrejtësisht për të njëjtat arsye për të cilat u persekutuan të krishterët e parë. Së pari, Dëshmitarët e Jehovait veprojnë në bazë të bindjeve të tyre fetare në mënyra që i bëjnë të papëlqyeshëm për disa. Për shembull, ata predikojnë me zell lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë, por shpesh njerëzit e keqkuptojnë zellin e tyre, duke e konsideruar predikimin që bëjnë si «prozelitizëm agresiv». (Krahaso Veprat 4:19, 20.) Ata, gjithashtu, janë asnjanës në lidhje me politikën dhe me luftërat e kombeve e disa herë kjo gjë është marrë gabimisht sikur Dëshmitarët janë qytetarë jobesnikë.—Mikea 4:3, 4.
4, 5. (a) Si kanë qenë Dëshmitarët e Jehovait shënjestra të akuzave të rreme? (b) Cilët kanë qenë shpesh nxitësit kryesorë të persekutimit të shërbëtorëve të Jehovait?
4 Së dyti, Dëshmitarët e Jehovait kanë qenë shënjestra akuzash të rreme: gënjeshtra të drejtpërdrejta dhe paraqitje të shtrembëruara të bindjeve të tyre. Si pasojë, në disa vende ata kanë qenë objekt i sulmeve të pabazuara. Më tej, meqë kërkojnë trajtim mjekësor pa gjak, gjë që është në harmoni me dëshirën e tyre për t’iu bindur urdhrit të Biblës që ‘të përmbahen nga gjaku’, ata janë etiketuar gabimisht si «vrasës fëmijësh» dhe «një kult vetëvrasës». (Veprat 15:29, BR) Por fakti është se Dëshmitarët e Jehovait e vlerësojnë lart jetën dhe kërkojnë të sigurojnë kujdesin më të mirë mjekësor në dispozicion për vete dhe për fëmijët e tyre. Akuza se shumë fëmijë të Dëshmitarëve të Jehovait vdesin çdo vit si pasojë e refuzimit të transfuzioneve të gjakut është tërësisht pa baza. Veç kësaj, duke qenë se e vërteta biblike nuk ka të njëjtin efekt në të gjithë pjesëtarët e familjes, Dëshmitarët janë akuzuar edhe se prishin familjet. Gjithsesi, ata që i njohin Dëshmitarët e Jehovait, e dinë se këta e vlerësojnë shumë jetën familjare dhe përpiqen të ndjekin urdhrat biblikë që burri e gruaja duhet ta duan e ta respektojnë njëri-tjetrin dhe që fëmijët duhet t’u binden prindërve të tyre, pavarësisht nëse ata janë besimtarë ose jo.—Efesianëve 5:21–6:3.
5 Në shumë raste, nxitësit kryesorë të persekutimit të shërbëtorëve të Jehovait kanë dalë se janë kundërshtarët fetarë, të cilët kanë përdorur ndikimin e tyre mbi autoritetet politike dhe mbi mjetet e informacionit në përpjekje për të shtypur aktivitetet e Dëshmitarëve. Si duhet t’i përgjigjemi ne, Dëshmitarët e Jehovait, këtij kundërshtimi qoftë si pasojë e bindjeve dhe e praktikave tona, qoftë për shkak të akuzave të rreme?
«Arsyetueshmëria juaj le t’u bëhet e njohur të gjithë njerëzve»
6. Pse është e rëndësishme të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për ata që janë jashtë kongregacionit të krishterë?
6 Në radhë të parë, ne duhet të kemi pikëpamjen e duhur, atë të Jehovait, në lidhje me ata që nuk kanë të njëjtat bindje fetare si ne. Përndryshe, mund të shkaktojmë pa qenë nevoja, armiqësinë ose sharjen e të tjerëve. «Arsyetueshmëria juaj le t’u bëhet e njohur të gjithë njerëzve»,—shkroi apostulli Pavël. (Filipianëve 4:5, BR) Kështu, Bibla na inkurajon të kemi një pikëpamje të ekuilibruar në lidhje me ata që janë jashtë kongregacionit të krishterë.
7. Çfarë përfshihet në mbajtjen tonë «të panjollosur nga bota»?
7 Nga ana tjetër, Shkrimet na këshillojnë qartë që të ‘mbahemi të panjollosur nga bota’. (Jakovit 1:27, BR; Jk 4:4) Termi «botë» këtu, ashtu si në shumë vende në Bibël, i referohet pjesës së njerëzimit të ndarë nga të krishterët e vërtetë. Ne jetojmë në mes të kësaj shoqërie njerëzish, jemi në kontakt me ta në punë, në shkollë, në lagje. (Gjoni 17:11, 15; 1. Korintasve 5:9, 10) Megjithatë, mbahemi të panjollosur nga bota duke shmangur qëndrimet, të folurin dhe sjelljen që bie në kundërshtim me udhët e drejta të Perëndisë. Është, gjithashtu, jetësore që të njohim rrezikun e shoqërimit të ngushtë me këtë botë, veçanërisht me ata që tregojnë mospërfillje të hapur për standardet e Jehovait.—Proverbat (Fjalët e urta) 13:20.
8. Pse këshilla për t’u mbajtur të panjollosur nga bota nuk na jep ndonjë bazë për të përçmuar të tjerët?
8 Megjithatë, këshilla që të mbahemi të panjollosur nga bota nuk na jep ndonjë bazë për t’i përçmuar në mënyrë kategorike ata që nuk janë Dëshmitarë të Jehovait. (Proverbat 8:13) Kujto shembullin e udhëheqësve fetarë hebrenj, për të cilët kemi folur në artikullin e kaluar. Forma e fesë që zhvilluan ata nuk fitoi favorin e Jehovait, as nuk i kontribuoi marrëdhënieve të mira me johebrenjtë. (Mateu 21:43, 45) Duke e konsideruar veten «tepër» të drejtë, këta njerëz fanatikë i përbuznin johebrenjtë. Ne nuk kemi një pikëpamje të tillë të ngushtë, duke i trajtuar jo-Dëshmitarët me përçmim. Ashtu si apostulli Pavël, dëshira jonë është që të gjithë ata që e dëgjojnë mesazhin e së vërtetës që përmban Bibla, të fitojnë favorin e Perëndisë.—Veprat 26:29; 1. Timoteut 2:3, 4.
9. Çfarë efekti duhet të ketë pikëpamja e ekuilibruar biblike mbi mënyrën se si flasim për ata që nuk kanë të njëjtat bindje si ne?
9 Një pikëpamje e ekuilibruar biblike duhet të karakterizojë mënyrën se si flasim për ata që nuk janë Dëshmitarë. Pavli e udhëzoi Titin që t’u kujtonte të krishterëve në ishullin e Kretës ‘të mos flitnin në mënyrë të dëmshme për asnjë, të mos ishin luftarakë, të ishin të arsyeshëm, të shfaqnin gjithë butësinë ndaj të gjithë njerëzve’. (Titit 3:2, BR) Vëre se të krishterët nuk duhej të flitnin në mënyrë të dëmshme për «asnjë», as edhe për jo të krishterët e Kretës, disa prej të cilëve ishin të njohur për gënjeshtrat, grykësinë dhe dembelizmin e tyre. (Titit 1:12) Prandaj, do të ishte jobiblike që ne të përdornim terma përçmues kur u referohemi atyre që nuk kanë të njëjtat bindje si ne. Një qëndrim sikur jemi më të lartë nuk do t’i tërheqë të tjerët në adhurimin e Jehovait. Përkundrazi, kur ne i konsiderojmë dhe i trajtojmë të tjerët në harmoni me parimet e arsyeshme të Fjalës së Jehovait, «e stolisim mësimin» e Perëndisë.—Titit 2:10.
Kur të heshtim, kur të flasim
10, 11. Si e tregoi Jezui që e dinte se kur ishte (a) «një kohë për të heshtur»? (b) «një kohë për të folur»?
10 Në Eklisiastiun (Predikuesin) 3:7 thuhet se ka «një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur». E pikërisht këtu qëndron sfida: të vendosim se kur t’i shpërfillim kundërshtarët dhe kur të flasim për të mbrojtur besimin tonë. Mund të mësojmë shumë nga shembulli i një personi që ishte gjithnjë i përsosur në maturi: Jezui. (1. Pjetrit 2:21) Ai e dinte se kur ishte «një kohë për të heshtur». Për shembull, kur kryepriftërinjtë dhe pleqtë në mënyrë të rreme e akuzuan përpara Pilatit, Jezui «nuk dha asnjë përgjigje». (Mateu 27:11-14, BR) Ai nuk donte të thoshte asnjë gjë që do të ndërhynte në përmbushjen e vullnetit të Perëndisë për të. Në vend të kësaj, zgjodhi që veprat e tij të flitnin për të. Ai e dinte se as edhe e vërteta nuk do t’i ndryshonte mendjet dhe zemrat e tyre krenare. Prandaj, e shpërfilli akuzën e tyre, duke refuzuar të thyente heshtjen e tij të qëllimshme.—Isaia 53:7.
11 Megjithatë, Jezui dinte edhe se kur ishte «një kohë për të folur». Herë pas here, ai argumentoi hapur e me çiltërsi me ata që e kritikonin, duke përgënjeshtruar akuzat e tyre të rreme. Për shembull, kur skribët dhe farisenjtë u përpoqën ta diskreditonin përpara një turme, duke e akuzuar se i dëbonte demonët me anë të Belzebubit, Jezui zgjodhi t’u kundërvihej këtyre akuzave të rreme. Me një logjikë të hekurt dhe një ilustrim të fuqishëm, ai e zbuloi gënjeshtrën. (Marku 3:20-30; shiko edhe Mateun 15:1-11; 22:17-21; Gjoni 18:37) Në mënyrë të ngjashme, kur pas tradhtisë dhe arrestimit, Jezuin e nxorën para Sinedrit, kryeprifti Kajafa me dinakëri e pyeti: «Në emër të Perëndisë së gjallë unë të vë nën betim që të na thuash nëse je Krishti, Biri i Perëndisë!» Edhe kjo ishte «një kohë për të folur», pasi qëndrimi në heshtje mund të interpretohej si një mohim i faktit se ai ishte Krishti. Kështu që Jezui u përgjigj: «Unë jam.»—Mateu 26:63, 64, BR; Marku 14:61, 62.
12. Cilat ishin rrethanat që e shtynë Pavlin dhe Barnabën për të folur me guxim në Ikoni?
12 Shqyrto edhe shembullin e Pavlit e të Barnabës. Në Veprat 14:1, 2 thuhet: «Në Ikoni ata hynë së bashku në sinagogën e hebrenjve dhe folën në një mënyrë të atillë saqë një shumicë e madhe njerëzish, si hebrenj, ashtu edhe grekë u bënë besimtarë. Por hebrenjtë që nuk besuan i nxitën dhe ndikuan për keq te shpirtrat e njerëzve të kombeve kundër vëllezërve.» (BR) Në përkthimin The New English Bible lexojmë: «Por hebrenjtë e pakthyer në fe nxitën johebrenjtë dhe i helmuan mendjet e tyre kundër të krishterëve.» Duke mos u mjaftuar me hedhjen poshtë nga ana e tyre të mesazhit, kundërshtarët hebrenj ndërmorën një fushatë akuzash të pabazuara, duke u përpjekur të krijonin paragjykime te popullsia johebraike kundër të krishterëve.a Sa e thellë duhet të ketë qenë urrejtja e tyre për krishterimin! (Krahaso Veprat 10:28.) Pavli dhe Barnaba menduan se kjo ishte «një kohë për të folur», përndryshe dishepujt e rinj do të shkurajoheshin nga sharjet publike. «Prandaj ata [Pavli dhe Barnaba] kaluan një kohë të konsiderueshme duke folur me guxim me anë të autoritetit të Jehovait», i cili e tregoi miratimin e tij duke i fuqizuar ata për të kryer shenja të mrekullueshme. Kjo solli si rezultat që disa të ishin «me hebrenjtë, por të tjerët me apostujt».—Veprat 14:3, 4, BR.
13. Nëse kemi të bëjmë me një sharje, kur është zakonisht «një kohë për të heshtur»?
13 Por, si duhet të reagojmë ne kur na shajnë? E gjitha varet nga rrethanat. Disa situata kërkojnë që ne të zbatojmë parimin se ka «një kohë për të heshtur». Veçanërisht është kështu kur kundërshtarë të vendosur përpiqen të na tërheqin në argumente pa kuptim. Nuk duhet të harrojmë se disa njerëz thjesht nuk duan ta dinë të vërtetën. (2. Selanikasve [Thesalonikasve] 2:9-12) Të përpiqemi të arsyetojmë me ata, zemrat e të cilëve janë të fiksuara me krenari në mosbindje, është pa fryt. Akoma më shumë, po të zhyteshim në debate me çdo akuzues të rremë që na sulmon, mund të devijoheshim nga aktiviteti shumë më i rëndësishëm dhe shpërblyes, ai për të ndihmuar njerëzit me zemër të sinqertë që duan me të vërtetë të mësojnë të vërtetën e Biblës. Prandaj, kur ballafaqohemi me antagonistët që janë të vendosur për të përhapur gënjeshtra rreth nesh, këshilla e frymëzuar është: «Shmangini ata.»—Romakëve 16:17, 18, BR; Mateu 7:6.
14. Në cilat mënyra e mbrojmë besimin tonë para të tjerëve?
14 Kjo sigurisht që nuk do të thotë se nuk e mbrojmë besimin tonë. Në fund të fundit, ka edhe «një kohë për të folur». Me të drejtë kemi merak për njerëzit e sinqertë që janë ekspozuar ndaj kritikave përgojuese. Jemi të gatshëm për t’u dhënë të tjerëve një shpjegim të qartë të bindjeve tona që vijnë nga zemra, në fakt, ne e mirëpresim këtë mundësi. Pjetri shkroi: «Shenjtëroni Krishtin si Zotëri në zemrat tuaja, gjithmonë gati për të bërë një mbrojtje para gjithkujt që ju kërkon një arsye për shpresën që është në ju, por duke e bërë këtë me butësi dhe me respekt të thellë.» (1. Pjetrit 3:15, BR) Kur individët me të vërtetë të interesuar kërkojnë prova për bindjet që ne i çmojmë kaq shumë, kur ata pyesin për akuzat e rreme të ngritura nga kundërshtarët, është përgjegjësia jonë ta mbrojmë besimin tonë, duke siguruar përgjigje biblike. Përveç kësaj, sjellja jonë e shkëlqyer mund të flasë sa për vëllime të tëra librash. Kur vëzhguesit me mendje të hapur vërejnë se ne përpiqemi me të vërtetë për të jetuar në harmoni me standardet e drejta të Perëndisë, ata mund ta shohin menjëherë se akuzat e bëra kundër nesh janë të rreme.—1. Pjetrit 2:12-15.
Ç’të themi për informacionin shpifës?
15. Cili është një shembull se si Dëshmitarët e Jehovait kanë qenë shënjestër e informacioneve të shtrembëruara në mjetet e informacionit?
15 Herë pas here, Dëshmitarët e Jehovait kanë qenë shënjestra e informacioneve të shtrembëruara në mjetet e informacionit. Për shembull, më 1 gusht 1997, një gazetë ruse botoi një artikull shpifës duke pohuar, mes të tjerash, se Dëshmitarët në mënyrë kategorike u kërkojnë anëtarëve të tyre që ‘të mohojnë gratë, burrat dhe prindërit e tyre, nëse këta nuk e kuptojnë dhe nuk kanë të njëjtin besim me ta’. Kushdo që i njeh në të vërtetë Dëshmitarët e Jehovait, e di se kjo akuzë është e rreme. Bibla tregon se të krishterët duhet t’i trajtojnë anëtarët jobesimtarë të familjes me dashuri e respekt dhe Dëshmitarët përpiqen ta ndjekin këtë direktivë. (1. Korintasve 7:12-16; 1. Pjetrit 3:1-4) Gjithsesi, artikulli u botua e kështu shumë lexues u keqinformuan. Si mund ta mbrojmë besimin tonë kur na shajnë?
16, 17 dhe kutia në faqen 16. (a) Çfarë u tha një herë në Kullën e Rojës në lidhje me reagimin ndaj informacioneve të rreme në mjetet e informacionit? (b) Nën cilat rrethana Dëshmitarët e Jehovait mund t’u përgjigjen raporteve negative në mjetet e informacionit?
16 Përsëri, ka «një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur». Një herë në Kullën e Rojës u bë ky koment: «Nëse do ta shpërfillim informacionin e rremë në mjetet e informacionit ose do ta mbrojmë të vërtetën me mjetet e përshtatshme, varet nga rrethanat, nga nxitësi i kritikave dhe nga synimi i tij.» Në disa raste më e mira mund të jetë t’i shpërfillim raportet negative, duke mos i bërë publicitet të mëtejshëm gënjeshtrave.
17 Në raste të tjera, mund të jetë «një kohë për të folur». Një gazetar ose një reporter serioz mund jetë keqinformuar për Dëshmitarët e Jehovait dhe mund ta mirëpresë informacionin e saktë për ne. (Shiko kutinë «Korrigjimi i një paraqitjeje të shtrembëruar».) Nëse raportet negative në mjetet e informacionit shkaktojnë paragjykime që pengojnë veprën tonë të predikimit, përfaqësues të Zyrës së Degës së Shoqatës Watch Tower mund të marrin iniciativën për ta mbrojtur të vërtetën me anë të disa mjeteve të përshtatshme.b Për shembull, pleq të kualifikuar mund të caktohen për të paraqitur faktet, ndoshta në ndonjë program televiziv, ku mosparaqitja mund të linte të kuptohej se Dëshmitarët e Jehovait nuk kanë përgjigje. Dëshmitarët si individë bashkëpunojnë në një mënyrë të mençur me drejtimin e Shoqatës Watch Tower dhe me përfaqësuesit e saj në çështje të tilla.—Hebrenjve 13:17.
Mbrojtja ligjore e lajmit të mirë
18. (a) Pse nuk kemi nevojë për lejen e qeverive njerëzore që të predikojmë? (b) Cilin drejtim ndjekim kur na mohohet leja për të predikuar?
18 Autorizimi ynë për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë vjen nga qielli. Jezuit, i cili na ngarkoi për të bërë këtë vepër, i është dhënë ‘i gjithë autoriteti në qiell dhe mbi tokë’. (Mateu 28:18-20, BR; Filipianëve 2:9-11) Prandaj, ne nuk kemi nevojë për lejen e qeverive njerëzore që të predikojmë. Megjithatë, e kuptojmë se pasja e lirisë fetare na leverdis për të përhapur mesazhin e Mbretërisë. Në vendet ku kemi lirinë për të adhuruar, ne do të përdorim sistemin ligjor për ta mbrojtur këtë liri. Atje ku na është mohuar një liri e tillë, ne do të përpiqemi, brenda strukturës së ligjit, ta fitojmë këtë liri. Objektivi ynë nuk është një reformë shoqërore, por «mbrojtja dhe vendosja ligjore e lajmit të mirë».c—Filipianëve 1:7, BR.
19. (a) Cili mund të jetë rezultati për faktin se ‘i paguajmë Perëndisë gjërat e Perëndisë’? (b) Çfarë jemi të vendosur të bëjmë?
19 Si Dëshmitarë të Jehovait, ne njohim Jehovain si Sovranin Universal. Ligji i tij është më i larti. Me ndërgjegje ne u bindemi qeverive njerëzore dhe kështu ‘i paguajmë Cezarit gjërat e Cezarit’. Por, nuk do të lejojmë që asgjë të ndërhyjë në përmbushjen e një përgjegjësie shumë më të rëndësishme, domethënë ‘t’i paguajmë Perëndisë gjërat e Perëndisë’. (Mateu 22:21, BR) E kuptojmë plotësisht se veprimi në këtë mënyrë do të na bëjë «objekt urrejtjeje» nga kombet, por e pranojmë këtë si pjesë të kostos për t’u bërë dishepull. Dokumentacioni ligjor i Dëshmitarëve të Jehovait në shekullin e 20-të është një dëshmi e vendosmërisë sonë për të mbrojtur besimin tonë. Me ndihmën dhe mbështetjen e Jehovait, do të vazhdojmë «pa pushim të mësojmë dhe të shpallim lajmin e mirë».—Veprat 5:42, BR.
[Shënimet]
a Matthew Henry’s Commentary on the Whole Bible shpjegon se kundërshtarët hebrenj «vunë si synim të shkonin qëllimisht te këta [johebrenjtë] që njihnin dhe thanë gjithçka që mund të shpikte mendja ose ligësia e tyre, për të krijuar tek ata jo vetëm një opinion të ulët, por edhe të keq për krishterimin».
b Pasi në gazetën ruse u botua artikulli shpifës (përmendur në paragrafin 10), Dëshmitarët e Jehovait iu apeluan Trupit Gjykues Presidencial të Federatës Ruse për Konflikte Informative me një kërkesë për të rishikuar akuzat e rreme të bëra në artikull. Kohët e fundit, gjykata nxori një vendim që dënonte gazetën për botimin e artikullit shpifës.—Shiko Zgjohuni!, dhjetor 1998, faqet 26-27.
c Shiko artikullin «Mbrojtja ligjore e lajmit të mirë», në faqet 19-22.
A të kujtohet?
◻ Pse Dëshmitarët e Jehovait janë «objekt urrejtjeje»?
◻ Si duhet t’i konsiderojmë ata që nuk kanë të njëjtat bindje fetare si ne?
◻ Kur kishte të bënte me kundërshtarët, cilin shembull të ekuilibruar la Jezui?
◻ Kur na shajnë, si mund ta zbatojmë parimin se ka «një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur»?
[Kutia në faqen 16]
Korrigjimi i një paraqitjeje të shtrembëruar
«Në Jakuiba, Bolivi, një grup vendas evangjelist bëri rregullime që një stacion televiziv të shfaqte një film që ishte e dukshme se prodhohej nga apostatët. Duke pasur parasysh pasojat e këqija të programit, pleqtë vendosën të vizitonin dy stacione televizive dhe t’u ofronin që të paguanin për t’i shfaqur publikut videot Dëshmitarët e Jehovait: Organizata pas emrit dhe Bibla: Një libër me fakte dhe profeci. Pasi pa videot e Shoqatës, pronari i një stacioni radiofonik u indinjua për paraqitjen e shtrembëruar në programin e apostatëve dhe ofroi të bënte njoftime falas për Dëshmitarët e Jehovait në lidhje me kongresin krahinor që po afrohej. Prania ishte jashtëzakonisht e lartë dhe shumë njerëz me zemër të sinqertë filluan të bënin pyetje kur Dëshmitarët i vizituan në shërbim.—Libri vjetor 1997 i Dëshmitarëve të Jehovait, (angl.), faqet 61-62.
[Figura në faqen 17]
Herë pas here, Jezui i përgënjeshtroi hapur akuzat e rreme të atyre që e kritikonin