Besimi na bën të duruar dhe të kushtuar lutjes
«Ushtroni durim; bëjini zemrat tuaja të vendosura, sepse prania e Zotërisë është afruar.»—JAKOVIT 5:8, BR.
1. Pse duhet të reflektojmë mbi fjalët e Jakovit 5:7, 8?
«PRANIA» e shumëpritur e Jezu Krishtit, tani është një fakt. (Mateu 24:3-14, BR) Më shumë se kurrë më parë, të gjithë ata që shpallin se kanë besim te Perëndia dhe te Krishti, kanë arsye të reflektojnë mbi këto fjalë të dishepullit Jakov: «Ushtroni durim, . . . vëllezër, deri në praninë e Zotërisë. Shikoni! Fermeri vazhdon të presë frytin e çmuar të tokës, duke ushtruar durim në lidhje me të, derisa të marrë shiun e parë dhe shiun e fundit. Edhe ju ushtroni durim; bëjini zemrat tuaja të vendosura, sepse prania e Zotërisë është afruar.»—Jakovit 5:7, 8, BR.
2. Cilat ishin disa prej problemeve që hasën ata, të cilëve u shkroi Jakovi?
2 Ata, të cilëve Jakovi u shkroi letrën e tij të frymëzuar, kishin nevojë të ushtronin durim dhe të zgjidhnin probleme të ndryshme. Shumë prej tyre po vepronin në kundërshtim me atë që pritej nga ata që shpallnin se kishin besim te Perëndia. Për shembull, nevojitej të bëhej diçka në lidhje me disa dëshira që ishin zhvilluar në zemrat e disave. Mes atyre të krishterëve të hershëm, nevojitej të rivendosej qetësia. Atyre iu duheshin, gjithashtu, këshilla mbi të qenët të duruar dhe të kushtuar lutjes. Ndërsa shqyrtojmë atë që u tha atyre Jakovi, le të shohim se si mund t’i aplikojmë fjalët e tij në jetën tonë.
Dëshirat e gabuara janë shkatërrimtare
3. Cilat ishin shkaqet e grindjeve në kongregacion dhe ç’mund të mësojmë prej kësaj?
3 Mes disa të krishterëve të vetëshpallur mungonte paqja dhe shkaku rrënjësor i kësaj situate, ishin dëshirat e gabuara. (Jakovit 4:1-3, BR) Ambienti me grindje po shkaktonte përçarje dhe disa po i gjykonin pa dashuri vëllezërit e tyre. Kjo po ndodhte sepse dëshirat e forta për kënaqësi epshore po zhvillonin një konflikt në gjymtyrët e trupit të tyre. Ne vetë mund të kemi nevojë të lutemi për ndihmë, që t’u rezistojmë dëshirave të forta mishore për prestigj, pushtet dhe zotërime, që të mos bëjmë asgjë për përçarjen e paqes së kongregacionit. (Romakëve 7:21-25; 1. Pjetrit 2:11) Mes disa të krishterëve të shekullit të parë, lakmia ishte zhvilluar deri në pikën e një fryme urrejtjeje dhe vrasëse. Meqenëse Perëndia nuk do t’i plotësonte dëshirat e tyre të gabuara, ata vazhdonin të ndesheshin, në përpjekje për të arritur synimet e tyre. Nëse kemi dëshira të ngjashme të gabuara, mund të kërkojmë, por nuk do të marrim, pasi Perëndia ynë i shenjtë nuk u përgjigjet lutjeve të tilla.—Vajtimet 3:44; 3. Gjonit 9, 10.
4. Pse Jakovi i quan disa «tradhtare bashkëshortore» dhe si duhet të ndikojë ky pohim mbi ne?
4 Mes disa të krishterëve të hershëm, ekzistonte dhënia pas botës, smira dhe krenaria. (Jakovit 4:4-6, BR) Jakovi i quan disa të krishterë «tradhtare bashkëshortore», sepse ata ishin miq të botës, pra fajtorë për tradhti bashkëshortore frymore. (Ezekieli 16:15-19, 25-45) Sigurisht që nuk dëshirojmë të bëhemi si bota në qëndrim, në të folur dhe në veprime, sepse kjo gjë do të na bënte armiq të Perëndisë. Fjala e tij na tregon se «një tendencë drejt smirës» është pjesë e prirjes së keqe, apo «frymës», te njerëzit mëkatarë. (Zanafilla 8:21; Numrat 16:1-3; Psalmi 106:16, 17; Eklisiastiu [Predikuesit] 4:4) Kështu që nëse e kuptojmë se duhet të luftojmë smirën, krenarinë, apo ndonjë prirje tjetër të keqe, le të kërkojmë ndihmën e Perëndisë me anë të frymës së shenjtë. Kjo forcë, e dhënë me anë të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë, është më e madhe se «një tendencë drejt smirës». Ndërsa Jehovai kundërshton krenarët, do të na japë dashamirësi të pamerituar, nëse luftojmë tendencat mëkatare.
5. Çfarë kërkesash duhet të plotësojmë, që të gëzojmë dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë?
5 Si mund ta marrim dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë? (Jakovit 4:7-10, BR) Për të gëzuar dashamirësinë e pamerituar nga Jehovai, duhet t’i bindemi atij, të pranojmë masat e marra prej tij dhe t’i nënshtrohemi çfarëdo gjëje që dëshiron ai. (Romakëve 8:28) Gjithashtu, ne duhet të «kundërshtojmë» apo të ‘qëndrojmë kundër’ Djallit. Ai do t’ia ‘mbathë nga ne’, nëse mbetemi të vendosur si mbështetës të sovranitetit universal të Jehovait. Ne kemi ndihmën e Jezuit, i cili u vë kufij mjeteve të liga të botës, që asgjë të mos na shkaktojë dëme të përhershme. Mos e harro kurrë këtë: Me anë të lutjes, bindjes dhe besimit, ne i afrohemi Perëndisë dhe ai provon se është pranë nesh.—2. Kronikave 15:2.
6. Pse Jakovi i quan disa të krishterë «mëkatarë»?
6 Përse Jakovi ia aplikon termin «mëkatarë», disave që shpallnin besimin tek Perëndia? Sepse ata ishin fajtorë «luftërash» dhe urrejtjesh vrasëse, qëndrime të papranueshme për të krishterët. (Titit 3:3) «Duart» e tyre, të mbushura me veprime të këqija, kërkonin pastrim. Gjithashtu, ata kishin nevojë të spastronin «zemrat» e tyre, vatrën e motivimit. (Mateu 15:18, 19) Ata «të pavendosur» luhateshin mes miqësisë me Perëndinë dhe miqësisë me botën. Të paralajmëruar nga shembulli i tyre i keq, le të ushtrojmë vigjilencë të pandërprerë, që gjëra të tilla të mos e rrënojnë besimin tonë.—Romakëve 7:18-20.
7. Pse Jakovi u thotë disave të ‘mbajnë zi e të qajnë’?
7 Jakovi u thotë lexuesve të tij t’i ‘hapin rrugë hidhërimit, të mbajnë zi dhe të qajnë’. Nëse ata manifestonin trishtim të perëndishëm, kjo do të ishte dëshmi e pendimit. (2. Korintasve 7:10, 11) Sot, disa nga ata që thonë se kanë besim, po kërkojnë miqësinë me botën. Nëse ndokush prej nesh po ndjek një drejtim të tillë, a nuk duhet të mbajmë zi për gjendjen tonë të dobët frymore dhe të ndërmarrim hapa të menjëhershëm për t’i ndrequr gjërat? Bërja e rregullimeve të nevojshme dhe marrja e faljes së Perëndisë do të prodhojë një ndjenjë ngazëllimi, për shkak të një ndërgjegjeje të pastër dhe perspektivës së gëzueshme të jetës së përhershme.—Psalmi 51:10-17; 1. Gjonit 2:15-17.
Mos gjykoni njëri-tjetrin
8, 9. Pse nuk duhet të flasim kundër apo të gjykojmë njëri-tjetrin?
8 Është mëkatare të flasësh kundër një bashkëbesimtari. (Jakovit 4:11, 12, BR) Megjithatë, disa janë kritikë ndaj bashkë të krishterëve, ndoshta si rezultat i qëndrimit të tyre si persona tepër të drejtë ose sepse dëshirojnë ta lartësojnë veten, duke ulur të tjerët. (Psalmi 50:20; Proverbat [Fjalët e urta] 3:29) Termi grek i përkthyer ‘flasin kundër’ tregon armiqësi dhe përfshin bërjen e një akuze të ekzagjeruar apo të rremë. Kjo arrin deri në gjykimin në mënyrë të pafavorshme të një vëllai. Si është ky veprim i barabartë me ‘të flasësh kundër dhe të gjykosh ligjin e Perëndisë’? Skribët dhe farisenjtë ‘me shkathtësi i vunë mënjanë urdhërimet e Perëndisë’ dhe gjykuan sipas normave të veta. (Marku 7:1-13, BR) Ngjashëm, nëse ne kemi dënuar një vëlla që Jehovai nuk do ta dënonte, a nuk do të ishim ‘duke gjykuar ligjin e Perëndisë’ dhe duke lënë në mënyrë mëkatare të nënkuptohej se ky ligj është i papërshtatshëm? Duke kritikuar padrejtësisht vëllain tonë, nuk do të ishim duke përmbushur ligjin e dashurisë.—Romakëve 13:8-10.
9 Le të mbajmë mend këtë: «Një është ai që është ligjdhënës dhe gjykatës», Jehovai. ‘Ligji i tij është i përsosur’, jo i mangët. (Psalmi 19:7; Isaia 33:22) Vetëm Perëndia ka të drejtën të vendosë standarde dhe rregulla për shpëtim. (Luka 12:5) Kështu, Jakovi pyet: «Kush je ti që të gjykosh të afërmin tënd?» Nuk është e drejta jonë të gjykojmë dhe të dënojmë të tjerët. (Mateu 7:1-5; Romakëve 14:4, 10) Reflektimi mbi sovranitetin dhe paanshmërinë e Perëndisë, si dhe gjendja jonë mëkatare, duhet të na ndihmojnë të përmbahemi nga gjykimi i të tjerëve si të ishim persona tepër të drejtë.
Shmang vetëbesimin mburracak
10. Pse në jetën tonë të përditshme duhet të marrim parasysh Jehovain?
10 Ne duhet që gjithmonë të marrim parasysh Jehovain dhe ligjin e tij. (Jakovit 4:13-17, BR) Duke shpërfillur Perëndinë, personat me vetëbesim thonë: ‘Sot ose nesër do të shkojmë në ndonjë qytet, do të kalojmë atje një vit, do të merremi me tregti dhe do të nxjerrim fitime.’ Nëse ‘rezervojmë thesare për veten, por nuk jemi të pasur ndaj Perëndisë’, jeta jonë mund të marrë fund nesër dhe mund të mos kemi asnjë mundësi për t’i shërbyer Jehovait. (Luka 12:16-21) Siç thotë Jakovi, ne jemi si një mjegull mëngjesi, «që duket për pak dhe pastaj zhduket». (1. Kronikave 29:15) Vetëm duke ushtruar besim në Jehovain, mund të shpresojmë për gëzim të qëndrueshëm dhe për jetë të përhershme.
11. Ç’domethënie ka të thuash ‘nëse Jehovai dëshiron’?
11 Në vend se të shpërfillim me mburrje Perëndinë, ne duhet të marrim këtë qëndrim: «Nëse Jehovai dëshiron, do të jetojmë dhe do të bëjmë, gjithashtu, këtë apo atë.» Thënia «nëse Jehovai dëshiron», tregon se po përpiqemi të veprojmë në harmoni me vullnetin e tij. Ndoshta është e domosdoshme të merremi me tregti, për të mbështetur familjen tonë, për të udhëtuar gjatë kryerjes së veprës së Mbretërisë e kështu me radhë. Por le të mos mburremi: «Një krenari e tillë është e ligë», sepse shpërfill varësinë nga Perëndia.—Psalmi 37:5; Proverbat 21:4; Jeremia 9:23, 24.
12. Ç’domethënie kanë fjalët e Jakovit 4:17?
12 Me sa duket, për të përfunduar pohimet e tij në lidhje me vetësigurinë dhe mburrjen, Jakovi thotë: «Nëse dikush di ta bëjë atë që është e drejtë dhe megjithatë nuk e bën, për të ky është një mëkat.» Çdo i krishterë duhet të pranojë me përulësi varësinë e tij nga Perëndia. Nëse nuk bën kështu, «për të ky është një mëkat». Sigurisht që i njëjti parim i aplikohet çdo dështimi për të bërë atë që kërkon nga ne besimi në Perëndinë.—Luka 12:47, 48.
Paralajmërime në lidhje me të pasurit
13. Çfarë thotë Jakovi për ata që i keqpërdorin pasuritë e tyre?
13 Meqenëse disa të krishterë të hershëm ishin bërë materialistë apo admironin të pasurit, Jakovi bën deklarata të fuqishme në lidhje me disa burra të pasur. (Jakovit 5:1-6, BR) Njerëzit e botës që po i përdornin në mënyrë të gabuar pasuritë e tyre, do të ‘qanin, duke ulëritur për skamjen që do të vinte mbi ta’, kur Perëndia t’i shpaguante sipas veprimeve të tyre. Në atë kohë, pasuria e shumë njerëzve konsistonte kryesisht në gjëra të tilla si veshje, grurë dhe verë. (Joeli 2:19; Mateu 11:8) Disa prej këtyre zotërimeve mund të kalben apo «të grihen nga mola», por Jakovi thekson pavlefshmërinë e pasurisë, jo faktin që ajo prishet. Megjithëse ari dhe argjendi nuk ndryshken, nëse do t’i grumbullonim me lakmi, ato do të ishin po aq të pavlera, sa dhe gjërat që ishin ndryshkur. «Ndryshku» tregon se pasurive materiale nuk u ishte bërë një përdorim i mirë. Prandaj, të gjithë ne nuk duhet të harrojmë se «diçka ngjashëm zjarrit» është ajo që ata, të cilët e vënë besimin te zotërimet e tyre materiale, «kanë grumbulluar në ditët e fundit», kur zemërimi i Perëndisë të vijë mbi ta. Përderisa jemi duke jetuar në «kohët e fundit», fjalë të tilla kanë një domethënie të veçantë për ne.—Danieli 12:4; Romakëve 2:5.
14. Si veprojnë shpesh të pasurit dhe ç’duhet të bëjmë në lidhje me këtë?
14 Shpesh të pasurit ua hanë hakun korrësve të tyre, pagat e mbajtura të të cilëve ‘thërrasin’ për shpagim. (Krahaso Zanafillën 4:9, 10.) Njerëzit e pasur të botës «kanë jetuar në luks». Duke u dhënë tepër pas kënaqësive epshore, ata ndërtojnë zemra të majme e të pandjeshme dhe do të jenë ende duke e bërë këtë, ‘ditën’ e vendosur për masakrimin e tyre. Ata ‘dënojnë dhe vrasin të drejtin’. Kështu, Jakovi pyet: «A nuk ju kundërshton ai?» Por, një përkthim tjetër është, «i drejti; ai nuk po të kundërshton». Në çdo rast, ne nuk duhet të jemi të anshëm ndaj të pasurve. Në jetë, ne duhet t’i mbajmë interesat frymore të parat.—Mateu 6:25-33.
Besimi na ndihmon të ushtrojmë durim
15, 16. Pse është kaq e rëndësishme të ushtrojmë durim?
15 Pasi ka komentuar mbi të pasurit shtypës të botës, më pas Jakovi i inkurajon të krishterët e shtypur që të ushtrojnë durim. (Jakovit 5:7, 8) Nëse besimtarët do t’i bënin ballë me durim vështirësive të tyre, do të shpërbleheshin për besim të plotë, gjatë pranisë së Krishtit, kur mbi shtypësit e tyre do të vinte gjykimi. (Mateu 24:37-41) Ata të krishterë të hershëm kishin nevojë të ishin si fermeri që pret me durim shiun e parë të vjeshtës, kur mund të mbjellë dhe shiun e fundit të periudhës pranverore, që rezulton në dhënie fryti. (Joeli 2:23) Edhe ne duhet të ushtrojmë durim dhe t’i bëjmë të vendosura zemrat tona, veçanërisht meqenëse «prania e Zotërisë» Jezu Krisht është një fakt!
16 Përse duhet të jemi të duruar? (Jakovit 5:9-12, BR) Durimi na ndihmon që të mos rënkojmë apo psherëtijmë kur bashkëbesimtarët na acarojnë. Nëse «psherëtijmë kundër njëri-tjetrit», me një frymë të dëmshme, do të dënohemi nga Gjykatësi Jezu Krisht. (Gjoni 5:22) Tani që «prania» e tij ka filluar dhe ai «qëndron para dyerve», le të nxitim paqen, duke qenë të duruar me vëllezërit tanë, që hasin shumë sprova besimi. Besimi ynë forcohet, kur kujtojmë që Perëndia e shpërbleu Jobin, sepse ai u qëndroi me durim sprovave të tij. (Jobi 42:10-17) Nëse ushtrojmë besim dhe durim, do të shohim se «Jehovai është shumë i dhembshur në përzemërsi dhe i mëshirshëm».—Mikea 7:18, 19.
17. Pse Jakovi thotë, «Mjaft u betuat»?
17 Nëse nuk jemi të duruar, kur jemi nën stres mund ta keqpërdorim gjuhën. Për shembull, mund të bëjmë nxitimthi betime. «Mjaft u betuat»,—thotë Jakovi, duke paralajmëruar kundër bërjes së betimeve të papeshuara. Vërtetimi vazhdimisht i pohimeve me anë të betimeve duket, gjithashtu, hipokrit. Pra, ne duhet të themi thjesht të vërtetën, duke lënë që po-ja jonë të nënkuptojë po dhe jo-ja jonë, jo. (Mateu 5:33-37) Sigurisht, Jakovi nuk thotë se është e gabuar që në një gjyq të betohesh për të treguar të vërtetën.
Besimi dhe lutjet tona
18. Nën cilat rrethana duhet të ‘vazhdojmë në lutje’ dhe të ‘këndojmë psalme’?
18 Lutja duhet të luajë një rol të madh në jetën tonë, nëse duam të kontrollojmë të folurin tonë, të ushtrojmë durim dhe të mbajmë një besim të shëndoshë te Perëndia. (Jakovit 5:13-20, BR) Veçanërisht kur jemi nën sprovë, duhet ‘të vazhdojmë në lutje’. Nëse jemi të gëzuar, le të «këndojmë psalme», ashtu siç bëri Jezui dhe apostujt e tij, kur ai themeloi Përkujtimin e vdekjes së tij. (Marku 14:26, shënimi BR) Herë pas here ne mund të jemi të mbushur me një mirënjohje të tillë për Perëndinë, saqë edhe me zemër i këndojmë lavdi. (1. Korintasve 14:15; Efesianëve 5:19) Ç’gëzim është ta lavdërojmë Jehovain me këngë në mbledhjet e krishtere!
19. Çfarë duhet të bëjmë nëse sëmuremi frymësisht dhe pse të ndërmarrim një hap të tillë?
19 Mund të mos jemi në gjendje të këndojmë nëse jemi pa qejf frymësisht, ndoshta për shkak të një sjelljeje të gabuar apo sepse nuk jemi ushqyer regullisht në tryezën e Jehovait. Nëse ndodhemi në këtë gjendje, le t’u kërkojmë përulësisht pleqve që të ‘luten mbi ne’. (Proverbat 15:29) Gjithashtu, ata do të ‘na lyejnë me vaj në emër të Jehovait’. Si vaj melhemi në një plagë, fjalët e tyre ngushëlluese dhe këshillat nga Shkrimet, do të ndihmojnë për ta lehtësuar depresionin, dyshimin dhe frikën. ‘Lutja e besimit do të na shërojë’, nëse ka mbështetjen e besimit tonë. Nëse pleqtë vërejnë se sëmundja jonë frymore ishte shkaktuar nga një mëkat serioz, me dashamirësi do të na e bëjnë të qartë fajin dhe do të përpiqen të na ndihmojnë. (Psalmi 141:5) Nëse jemi të penduar, mund të kemi besim se Perëndia do t’i dëgjojë lutjet e tyre dhe do të na falë.
20. Pse duhet t’i rrëfejmë mëkatet tona dhe të lutemi për njëri-tjetrin?
20 ‘Rrëfimi hapur i mëkateve njëri-tjetrit’, duhet të shërbejë si një kufizim për të mos mëkatuar më pas. Ai duhet të inkurajojë dhembshurinë e dyanshme, një cilësi që do të na nxitë të ‘lutemi për njëri-tjetrin’. Mund të kemi besim se kjo do të jetë dobiprurëse, sepse lutja nga ‘një njeri i drejtë’, nga një njeri që ushtron besim dhe që nga Perëndia konsiderohet si i drejtë, kryen shumë gjëra me Jehovain. (1. Pjetrit 3:12) Profeti Elija pati dobësi si tonat, por lutjet e tij ishin të efektshme. Ai u lut dhe nuk ra shi për tre vjet e gjysmë. Kur u lut përsëri, ra shi.—1. Mbretërve 17:1; 18:1, 42-45; Luka 4:25.
21. Çfarë mund të jemi në gjendje të bëjmë, nëse një bashkë të krishterë «e kanë bërë të shmanget nga e vërteta»?
21 Po nëse një anëtar të kongregacionit «e kanë bërë të devijojë nga e vërteta», duke u shmangur nga mësimi dhe sjellja e drejtë? Mund të jemi në gjendje ta kthejmë nga faji i tij me anë të këshillave të Biblës, lutjes dhe ndonjë ndihme tjetër. Nëse ia dalim mbanë, kjo e mban atë nën shpërblerjen e Krishtit dhe e shpëton nga vdekja frymore dhe dënimi me shkatërrim. Duke ndihmuar fajtorin, ne mbulojmë një shumicë të mëkateve të tij. Kur mëkatari i qortuar e lë drejtimin e tij të gabuar, pendohet dhe kërkon falje, do të gëzojmë që kemi punuar drejt mbulimit të mëkateve të tij.—Psalmi 32:1, 2; Juda 22, 23.
Diçka për të gjithë ne
22, 23. Si duhet të ndikohemi nga fjalët e Jakovit?
22 Qartë, letra e Jakovit përmban diçka dobiprurëse për të gjithë ne. Ajo na tregon se si t’i përballojmë sprovat, na këshillon kundër mbajtjes me hatër dhe na nxit për t’u angazhuar në vepra të drejta. Jakovi na nxit të kontrollojmë gjuhën, t’i rezistojmë ndikimit të botës dhe të nxitim paqen. Gjithashtu, fjalët e tij duhet të na bëjnë të duruar dhe të kushtuar lutjes.
23 Vërtet që letra e Jakovit iu dërgua fillimisht të krishterëve të hershëm të mirosur. Por megjithatë, të gjithë ne duhet të lejojmë që këshillat e saj të na ndihmojnë për t’u kapur fort pas besimit tonë. Fjalët e Jakovit mund të përforcojnë besimin që na nxit për aktivitet të vendosur në shërbimin e Perëndisë. Kjo letër e frymëzuar hyjnisht, ndërton një besim të qëndrueshëm, që na bën Dëshmitarë të Jehovait të duruar dhe të kushtuar lutjes sot, gjatë «pranisë së Zotërisë» Jezu Krisht.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Pse disa të krishterë të hershëm duhej të ndryshonin qëndrimin dhe sjelljen e tyre?
◻ Çfarë paralajmërimi u jep Jakovi të pasurve?
◻ Pse duhet të ushtrojmë durim?
◻ Pse duhet të lutemi rregullisht?
[Burimi i figurës në faqen 19]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est
[Figura në faqen 23]
Disa të krishterë të hershëm duhej të ishin më të duruar me bashkëbesimtarët
[Figura në faqen 24]
Të krishterët duhet të jenë të duruar, të dashur dhe të kushtuar lutjes