Shërbeni Jehovain me besnikëri
«Me këdo besnik, ti [Jehova], do të sillesh me besnikëri.»—2. SAMUELIT 22:26.
1. Si vepron Jehovai me ata që i janë besnikë?
NUK është e mundur të shpërblehet Jehovai për gjithçka që bën për shërbëtorët e tij. (Psalmi 116:12) Sa të mrekullueshme janë dhuratat e tij frymore dhe materiale, si dhe mëshira e tij e butë! Davidi, mbreti i Izraelit të lashtë, e dinte se Perëndia vepron me besnikëri me ata që i tregohen besnik. Davidi e përmendi këtë në një këngë që e kompozoi «ditën që Jehovai e kishte liruar nga dora e gjithë armiqve të tij dhe nga dora e [mbretit] Saul.»—2. Samuelit 22:1.
2. Cilat janë disa pika të paraqituara në këngën e Davidit të shkruar në 2. Samueli, kreu 22?
2 Davidi e filloi këngën e tij (paralel me Psalmin 18) duke lavdëruar Jehovain si «Ai që siguron shpëtim» në përgjigje të lutjeve. (2. Samuelit 22:2-7) Prej tempullit të tij qiellor, Perëndia kishte vepruar për të liruar shërbëtorin e tij besnik nga armiq të fuqishëm. (Vargjet 8-19) Kështu, Davidi ishte shpërblyer pasi kishte ndjekur një sjellje të drejtë dhe kishte mbajtur rrugët e Jehovait. (Vargjet 20-27) Numëroi, pastaj, një e nga një veprat që do të kryente falë fuqisë së dhënë nga Jehovai. (Vargjet 28-43) Në fund, përmendi lirimin prej cikërrimtarëve brenda shtëpisë së tij dhe prej armiqve të jashtëm dhe e falënderoi Jehovain, si «Ai që bën vepra të mëdha shpëtimi për mbretin e tij dhe që ushtron dashamirësi të dashur ndaj të mirosurit të tij.» (Vargjet 44-51) Jehovai mund të na lirojë edhe ne, nëse ndjekim një sjellje të drejtë dhe besojmë tek ai për të na dhënë forcë.
Ç’do të thotë të jesh besnik
3. Ç’do të thotë të jesh besnik sipas pikëpamjes biblike?
3 Kënga e Davidit për lirimin, na jep këtë sigurim ngushëllues: «Me këdo besnik, ti [Jehova], do të sillesh me besnikëri.» (2. Samuelit 22:26) Mbiemri hebraik chasi̇̀dh është përdorur në lidhje me «këdo besnik» apo për «dikë me dashamirësi të dashur». (Psalmi 18:25, shënimi) Emri chèsedh jep idenë e dashamirësisë që i jepet me dashuri dikujt apo diçkaje, derisa të arrihet qëllimi që ekziston në lidhje me atë njeri apo gjë. Jehovai e tregon këtë lloj mirësie ndaj shërbëtorëve të vet, ashtu si ata e tregojnë ndaj tij. Kjo besnikëri e drejtë dhe e shenjtë, është përkthyer «dashamirësi e dashur» dhe «dashuri besnike». (Zanafilla 20:13; 21:23) Në Shkrimet Greke «besnikëri» shprehet me emrin hosiòtes dhe me mbiemrin hòsios, terma që përmbajnë idenë e shenjtërisë dhe nderimit të thellë. Kjo besnikëri përfshin besimin, devocionin dhe nënkupton të qenët i devotshëm dhe i kujdesshëm në zbatimin e të gjitha detyrave përpara Perëndisë. Të jesh besnik ndaj Jehovait do të thotë të jesh i ngjitur me të me një devotshmëri kaq të fortë, saqë mund të krahasohet me një lëndë ngjitëse shumë të fortë.
4. Si e tregon Jehovai besnikërinë e tij?
4 Vetë Jehovai e tregon besnikërinë e tij në mënyra të ndryshme. Për shembull, ndërmerr veprime gjykuese kundër të ligjve, për shkak të dashurisë besnike që ka për popullin e tij dhe besnikërisë ndaj drejtësisë dhe së drejtës. (Zbulesa 15:3, 4; 16:5) Besnikëria ndaj besëlidhjes me Abrahamin, e shtyu atë të tregohej shpirtmadh me izraelitët. (2. Mbretërit 13:23) Ata që janë besnikë ndaj Perëndisë mund të mbështeten në ndihmën e tij deri në fund të jetës së tyre besnike dhe mund të jenë të sigurt që ai nuk do t’i harrojë. (Psalmi 37:27, 28; 97:10) Jezui mori zemër prej njohurisë se shpirti i tij, si «besniku» kryesor i Perëndisë, nuk do të lihej në Sheol.—Psalmi 16:10; Veprat 2:25, 27.
5. Pasi është besnik, çfarë kërkon Jehovai nga shërbëtorët e tij dhe cilën pyetje do të shqyrtojmë?
5 Duke qenë besnik, Perëndia Jehova kërkon besnikëri nga shërbëtorët e tij. (Efesianëve 4:24) Për shembull, për t’u kualifikuar si pleq të kongregacionit, burrat duhet të jenë besnikë. (Titit 1:8) Cilët faktorë duhet ta nxisin popullin e Jehovait për t’i shërbyer me besnikëri?
Çmueshmëri për gjërat e mësuara
6. Ç’duhet të ndjejmë për informatat biblike që kemi mësuar dhe çfarë duhet të kujtojmë mbi këtë njohuri?
6 Çmueshmëria për informatat biblike që kemi mësuar, duhet të na nxisë për t’i shërbyer Jehovait me besnikëri. Apostulli Pavël e nxiti Timoteun: «Qëndro në gjërat që ke mësuar dhe që je bindur për t’i besuar, duke ditur se nga cilët njerëz i ke mësuar dhe se prej foshnjërisë i ke njohur shkrimet e shenjta, që mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin me anë të besimit që është në Krishtin Jezu.» (2. Timoteut 3:14, 15, NW) Mos harro, se kjo njohuri ka ardhur nga Perëndia nëpërmjet «skllavit besnik dhe të matur».—Mateu 24:45-47.
7. Si duhet ta konsiderojnë pleqtë ushqimin frymor që Perëndia siguron nëpërmjet skllavit besnik?
7 Veçanërisht pleqtë e emëruar, duhet të çmojnë ushqimin e vlefshëm frymor që sigurohet prej skllavit besnik. Vite më parë, disa pleq nuk e tregonin këtë çmueshmëri. Një vëzhgues vërejti se këta njerëz «kritikonin artikujt e Kullës së Rojës, duke mos dashur ta pranonin si . . . kanal të së vërtetës së Perëndisë dhe duke u përpjekur që të ndikonin edhe mbi mënyrën e të menduarit të të tjerëve.» Pleqtë besnikë nuk përpiqen kurrë të ndikojnë mbi të tjerët, që të mos pranojnë çfarëdolloj aspekti të ushqimit frymor që sigurohet nga Perëndia nëpërmjet skllavit besnik.
8. Çfarë duhet të bëjmë nëse nuk kuptojmë plotësisht ndonjë pikë biblike të paraqitur prej skllavit besnik dhe të matur?
8 Si Dëshmitarë të dedikuar të Jehovait, të gjithë ne duhet t’i jemi besnik atij dhe organizatës së tij. Nuk duhet kurrë që as nëpër mend të mos na vijë ideja për t’u larguar nga drita e mrekullueshme e Perëndisë, duke ndjekur një kurs apostazie që mund të na çojë në vdekjen frymore tani dhe më vonë në shkatërrim. (Jeremia 17:13) Por ç’mund të themi nëse na është e vështirë që të pranojmë apo kuptojmë plotësisht ndonjë pikë biblike të paraqitur nga skllavi besnik? Le të pranojmë, pra, përulësisht se ku e kemi mësuar të vërtetën dhe të lutemi për njohuri që të mund ta përballojmë këtë provë, deri sa ajo të zgjidhet me botimin e ndonjë informate sqaruese mbi argumentin.—Jakovit 1:5-8.
Çmojeni vëllazërinë e krishterë
9. Në ç’mënyrë tregon 1. Gjonit 1:3-6 se midis të krishterëve duhet të ketë një frymë shoqërie vëllazërore?
9 Çmueshmëria e sinqertë për frymën e shoqërisë që karakterizon vëllazërinë tonë të krishterë, është një stimul i mëtejshëm për t’i shërbyer Jehovait. Në fakt, pa këtë frymë nuk mund të kemi një lidhje të mirë frymore me Perëndinë dhe Krishtin. Apostulli Gjon u shkroi të krishterëve të mirosur: «Atë që kemi parë dhe kemi dëgjuar, për atë u apëmë zë juve, që të keni edhe ju pjesë [«shoqëri», Diaglott] me ne; edhe pjesa jonë është me Atin’ edhe me Birin’ e atij Jisu Krisht. . . . Ndë thënçimë se kemi pjesë me atë, edhe ecëjmë nd’ errësirët, gënjejmë, edhe nukë bëjmë të vërtetënë.» (1. Gjonit 1:3-6, BK) Ky parim zbatohet për të gjithë të krishterët, qofshin këta me shpresë qiellore apo tokësore.
10. Si i konsideroi Pavli Evodinë dhe Sintikinë edhe pse duket se ato e kishin të vështirë zgjidhjen e një problemi personal?
10 Duhen përpjekje për të mbajtur një frymë shoqërie vëllazërore. Për shembull, gratë e krishtere Evodia dhe Sintikia, duket se kishin vështirësi në zgjidhjen e një problemi në mes tyre. Prandaj, Pavli i nxiti «që të ishin me një mendje në Zotërinë.» Dhe shtoi: «Po të lutem edhe ty, shok i vërtetë zgjedhe, vazhdo t’i ndihmosh këto gra që kanë luftuar përkrah meje në lajmin e mirë, së bashku me Klementin, si edhe me pjesën tjetër të shokëve të mi të veprës, emrat e të cilëve janë në librin e jetës.» (Filipianëve 4:2, 3, NW) Ato gra të devotshme kishin luftuar përkrah Pavlit dhe të tjerëve «në lajmin e mirë» dhe ai ishte i sigurt se ato ishin të përfshira mes atyre «emrat e të cilëve janë në librin e jetës.»
11. Çfarë do të ishte e mençur të mbante parasysh një i krishterë besnik nëse ka një problem frymor?
11 Të krishterët nuk mbajnë grada për të treguar privilegjet që kanë pasur brenda organizatës së Jehovait dhe shërbimin besnik që kanë kryer ndaj tij. Por, nëse kanë një problem frymor, çfarë mungese dashurie do të ishte injorimi i viteve të tyre në shërbimin besnik ndaj Jehovait! Ka mundësi që ai që quhej «shok i vërtetë zgjedhe», të ishte një vëlla besnik, i gatshëm për të ndihmuar të tjerët. Nëse je një plak, a je një «shok i vërtetë zgjedhe», i gatshëm për të ndihmuar me dhembshuri? Le të mbajmë të gjithë parasysh të mirën që kanë kryer shokët e besimit, ashtu siç mban parasysh edhe Perëndia dhe t’i ndihmojmë me dashuri që të mund të mbajnë barrën e tyre.—Galatasve 6:2; Hebrenjve 6:10.
Nuk ka asnjë vend tjetër ku të shkojmë
12. Çfarë qëndrimi mbajti Pjetri, kur për shkak të disa pohimeve të Jezuit, «shumë prej nxënësve të tij u shmangën dhe nuk shkuan më me të»?
12 Nëse nuk harrojmë që nuk ka asnjë vend tjetër ku të shkojmë për jetën e përhershme, do të ndihemi të nxitur për t’i shërbyer me besnikëri Jehovait me organizatën e tij. Kur për shkak të disa pohimeve të tij «shumë prej nxënësve të tij u shmangën dhe nuk shkuan më me të», Jezui i pyeti apostujt: «A mos doni të shkoni ndoshta edhe ju?» Pjetri ia ktheu: «Te kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur! Ne besojmë dhe e dimë se ti je Shenjti i Hyut!»—Gjoni 6:66-69.
13, 14. (a) Përse judaizmi i shekullit të parë nuk kishte favorin e Perëndisë? (b) Çfarë tha një Dëshmitar i Jehovait për organizatën e dukshme të Perëndisë?
13 Në judaizmin e shekullit të parë e.s., nuk gjendeshin «fjalët e jetës së pasosur». Mëkati i tij kryesor ishte kundërshtimi i Jezuit si Mesia. Asnjëra prej formave të ndryshme të judaizmit nuk i mbështeste besimet e saja vetëm në Shkrimet Hebreje. Saducenjtë mohonin ekzistencën e engjëjve dhe nuk besonin në ringjallje. Farisenjtë, edhe pse nuk ishin dakort me ta në këto aspekte, mëkatonin duke e bërë fjalën e Perëndisë të pavlefshme për shkak të traditave të tyre jobiblike. (Mateu 15:1-11; Veprat 23:6-9) Ato tradita i skllavëronin shumë hebrenjtë dhe pengonin shumë prej tyre që të pranonin Jezu Krishtin. (Kolosianëve 2:8) Zelli për «traditat e etërve» e shtyu Saulin (Pavlin) që në injorancën e tij të persekutonte pa mëshirë ithtarët e Krishtit.—Galatasve 1:13, 14, 23.
14 Judaizmit i mungonte favori i Perëndisë Jehova, i cili përkundrazi e bekoi organizatën e përbërë prej ithtarëve të Birit të tij, «një popull i zellshëm për vepra të shkëlqyeshme.» (Titit 2:14, NW) Ajo organizatë ekziston akoma dhe duke folur për të, një Dëshmitar i Jehovait me shumë vite eksperiencë tha: «Gjëja më e rëndësishme për mua ka qenë padyshim të mbetesha afër organizatës se dukshme të Jehovait. Nga përvoja, kam mësuar shpejt, se sa e pamençur është mbështetja në arsyetimet njerëzore. Qysh kur mendja ime u bind për këtë, vendosa të mbetesha i lidhur me organizatën besnike. Në ç’mënyrë tjetër mund të fitohet favori dhe bekimi i Jehovait?» Nuk ka asnjë vend tjetër ku të shkojmë për të fituar favorin e Perëndisë dhe jetën e përhershme.
15. Përse duhet të bashkëpunojmë me organizatën e dukshme të Jehovait dhe me ata që mbartin përgjegjësi në të?
15 Zemra jonë duhet të na shtyjë që të bashkëpunojmë me organizatën e Jehovait, sepse e dimë se vetëm ajo udhëhiqet prej frymës së tij dhe bën të ditur emrin dhe qëllimet e tij. Natyrisht, ata që mbartin përgjegjësi në gjirin e saj janë të papërsosur. (Romakëve 5:12) Megjithatë, «zemërimi i Jehovait u ndez» kundër Aaronit dhe Miriamit kur fajësuan Moisiun, duke harruar se Perëndia i kishte besuar përgjegjësinë atij dhe jo atyre. (Numrat 12:7-9) Sot, të krishterë besnikë bashkëpunojnë me «ata që prijnë» sepse Jehovai e kërkon këtë. (Hebrenjve 13:7, 17, NW) Prova e besnikërisë sonë përfshin pjesëmarrjen e rregullt në mbledhjet e krishtere dhe komentet që ofrojmë, të cilat «i nxisin të tjerët në dashuri dhe vepra të shkëlqyera.»—Hebrenjve 10:24, 25.
Le të ndërtojmë njëri-tjetrin
16. Cila dëshirë duhet të na shtyjë për t’i shërbyer besnikërisht Jehovait?
16 Dëshira për të inkurajuar të tjerët duhet të na shtyjë për t’i shërbyer besnikërisht Jehovait. Pavli shkroi: «Njohuria krekos, ndërsa dashuria ndërton.» (1. Korintasve 8:1, NW.) Pasi një farë njohurie e krekoste atë që e kishte, Pavli do të ketë dashur të thotë se dashuria e ndërton atë që e shfaq. Një libër i profesorëve Weiss dhe English thotë: «Ai që ka aftësinë për të dashur edhe atë e duan. Aftësia për të treguar vullnet të mirë dhe vlerësim në çdo aspekt të jetës . . . ka një efekt të spikatur ndërtues mbi atë që shpreh ndjenja të tilla, si dhe mbi atë që i merr dhe kështu u jep kënaqësi të dyve.» Duke treguar dashuri, ndërtojmë si të tjerët edhe vetveten, ashtu siç nënkuptohet nga këto fjalë të Jezuit: «Ka më shumë kënaqësi në të dhënë, sesa kur merret.»—Veprat 20:35.
17. Në ç’mënyrë ndërton dashuria dhe çfarë nuk na lejon të bëjmë?
17 Në 1. Korintasve 8:1, Pavli përdori fjalën greke agápe që tregon dashurinë e bazuar mbi parime. Kjo dashuri ndërton, sepse është shpirtmadhe dhe e këndshme, mbulon gjithçka, duron gjithçka dhe nuk dështon kurrë. Ajo largon ndjenjat e dëmshme, si krenaria dhe xhelozia. (1. Korintasve 13:4-8) Do të na pengojë që të ankohemi për vëllezërit tanë që janë po aq të papërsosur, sa edhe ne. Nuk do të na bëjë si «njerëzit e papërshpirtshëm» që ishin «ndërfutur» mes të krishterëve të vërtetë të shekullit të parë. Ata njerëz «nuk përfillnin zotërimet dhe flisnin në mënyrë fyese për të lavdishmit», mundësisht duke përfolur për disa mbikëqyrës të krishterë të mirosur, të cilëve u ishte dhënë një farë lavdie. (Judës 3, 4, 8) Nga besnikëria ndaj Jehovait, le të mos u hapim kurrë rrugë tundimeve për të vepruar kështu.
Rezistoji Djallit!
18. Ç’dëshiron të bëjë Satanai me popullin e Jehovait por përse nuk mund t’ia dalë mbanë?
18 Duke e ditur se Satanai dëshiron të shkatërrojë unitetin tonë si popull i Perëndisë, duhet të jemi akoma më të vendosur për t’i shërbyer Jehovait. Satanai do të dëshironte të zhdukte, madje, të gjithë shërbëtorët e Perëndisë dhe disa herë shërbëtorët tokësorë të Djallit i vrasin adhuruesit e vërtetë. Por Perëndia nuk do t’i lejojë Satanait që t’i zhdukë të gjithë. Jezui vdiq «për të asgjësuar atë që ka mjetet për të shkaktuar vdekjen, d.m.th. Djallin.» (Hebrenjve 2:14, NW) Fusha e veprimit ku Satanai ushtron fuqinë, është kufizuar në mënyrë të veçantë pas përjashtimit të tij nga qiejt, kur Krishti u bë Mbret në 1914. Në kohën e caktuar nga Jehovait, Jezui do ta shkatërrojë Satanain dhe organizatën e tij.
19. (a) Çfarë paralajmërimi dha vite më parë kjo revistë mbi përpjekjet e Satanait? (b) Për ç’gjë duhet të kemi kujdes në marrëdhëniet me bashkëbesimtarët tanë që të mos biem në grackat e Satanait?
19 Kjo revistë një herë lajmëroi: «Nëse Satanai, Djalli, do të mund të shkaktonte çrregullim midis popullit të Perëndisë, të shkaktonte që të grindeshin dhe të luftonin midis tyre ose të tregonin dhe zhvillonin një qëndrim egoist që do të çonte në shkatërrimin e plotë të dashurisë për vëllezërit, atëherë do të kishte sukses në përpirjen e tyre.» (Kulla e Rojës, 1 maj 1921, faqe 134, angl.) Të mos lejojmë që Satanai të shkatërrojë unitetin tonë, duke na shtyrë ndoshta në shpifje apo në grindje me njëri-tjetrin. (Levitiku 19:16) Le të mos na mposhtë Satanai në mënyrë që personalisht të mos dëmtojmë ata që i shërbejnë Jehovait besnikërisht apo të vështirësojmë jetën e tyre. (Krahaso 2. Korintasve 2:10, 11.) Më mirë, le të zbatojmë fjalët e Pjetrit: «Përmbani veten, rrini zgjuar. Kundërshtari juaj, Djalli, bredh si një luan uluritës, duke kërkuar që të përpijë dikë. Por merrni qëndrim kundër tij, të fortë në besim.» (1. Pjetrit 5:8, NW) Duke marrë qëndrim të fortë kundër Satanait, mund të ruajmë unitetin e bekuar si popull i Jehovait.—Psalmi 133:1-3.
Mbështetu tek Perëndia me lutje
20, 21. Ç’lidhje ka midis mbështetjes me lutje tek Jehovai dhe shërbimit besnik ndaj tij?
20 Mbështetja tek Perëndia me lutje, do të na ndihmojë që të vazhdojmë t’i shërbejmë besnikërisht. Kur shikojmë se ai u përgjigjet lutjeve tona, ndihemi me afër tij. Mbështetja me lutje tek Perëndia Jehova u nxit kur apostulli Pavël shkroi: «Dua, pra, që meshkujt në çdo vend të luten duke i lartësuar duart e pastra pa hidhërim dhe pa grindje.» (1. Timoteut 2:8) Për shembull, sa e rëndësishme është që pleqtë mbështeten me lutje tek Jehovai! Kjo shfaqje e besnikërisë ndaj Jehovait kur mblidhen për të trajtuar çështjet e kongregacionit do të ndihmojë që të shmangin debate dhe shpërthime të mundshme zemërimi.
21 Mbështetja me lutje tek Jehovai na ndihmon që të kudesemi për privilegjet në shërbimin e tij. Një njeri që i ka shërbyer Jehovait besnikërisht për shumë dekada, mund të thoshte: «Pranimi ynë i vullnetshëm për çdo detyrë që na besohet në organizatën botërore të Perëndisë dhe fakti që të mbetemi në vendin tonë të shërbimit, të qëndrueshëm, sjellin buzëqeshjen e miratimit të Perëndisë mbi përpjekjet tona të kujdesshme. Edhe pse detyra që na është caktuar mund të duket me pak peshë, shpesh del se pa kryerjen e saj me besnikëri, shumë shërbime të tjera thelbësore mund të mos kryeshin. Pra, nëse jemi të përulur dhe drejtpërdrejt të interesuar për të lavdëruar emrin e Jehovait dhe jo tonin, mund të jemi të sigurt se gjithmonë do të jemi ‘të qëndrueshëm dhe të patundur, duke pasur mjaft për të bërë në veprën e Jehovait.’»—1. Korintasve 15:58.
22. Çfarë ndikimi duhet të kenë mbi besnikërinë tonë bekimet e shumta e Jehovait?
22 Natyrisht, pavarësisht nga ajo që bëjmë në shërbim të tij, nuk mund t’ia kthejmë Jehovait atë që ai bën për ne. Sa të sigurt jemi brenda organizatës së Perëndisë, të rrethuar nga ata që janë miq të tij! (Jakovit 2:23) Jehovai na ka bekuar me unitetin që rrjedh nga një dashuri vëllazërore kaq e thellë, saqë as Satanai nuk mund ta çrrënjosë. Le të mbahemi ngushtë, pra, me Atin tonë besnik qiellor dhe të veprojmë bashkë si popull i tij. Le t’i shërbejmë besnikërisht Jehovait tani e përgjithmonë!
Pyetjet për përsëritje
◻ Ç’do të thotë të jemi besnikë?
◻ Cilët janë disa faktorë që duhet të na shtyjnë për t’i shërbeyer Jehovait me besnikëri?
◻ Përse duhet ta kundërshtojmë Djallin?
◻ Si mund të na ndihmojë lutja që të jemi shërbëtorë besnikë të Jehovait?
[Figura në faqe 20]
Shërbëtorët besnikë të Jehovait nuk lejojnë që Kundërshtari i tyre, Djalli, ngashëm një luani, të thyejë unitetin e tyre