Ta mbajmë të gjallë «shpresën e shpëtimit»!
«Të mbajmë veshur . . . si përkrenare shpresën e shpëtimit.»—1. SELANIKASVE 5:8, BR.
1. Si ndihmon ‘shpresa e shpëtimit’ për të qëndruar?
SHPRESA e shpëtimit mund ta ndihmojë një njeri që të mos e lëshojë veten, edhe nën rrethanat më të vështira. Kur mbytet një anije, një viktimë që gjendet në ujë, i kapur pas një dërrase për të shpëtuar jetën, mund të durojë shumë më gjatë po ta dijë se ndihma është duke ardhur. Në mënyrë të ngjashme, për mijëra vjet, shpresa në «shpëtimin e Jehovait» i ka mbështetur burra e gra me besim në kohë trazirash dhe kjo shpresë nuk ka çuar kurrë në zhgënjim. (Dalja [Eksodi] 14:13, BR; Psalmi 3:8; Romakëve 5:5; 9:33) Apostulli Pavël e krahasoi «shpresën e shpëtimit» me ‘përkrenaren’ e një armature frymore të krishterë. (1. Selanikasve [Thesalonikasve] 5:8, BR; Efesianëve 6:17) Po, siguria se Perëndia do të na shpëtojë e mbron aftësinë tonë të të menduarit, duke na ndihmuar të ruajmë gjykimin, pavarësisht nga vështirësitë, kundërshtimi dhe nga tundimi.
2. Në ç’mënyra ‘shpresa e shpëtimit’ është themelore për adhurimin e vërtetë?
2 Në një enciklopedi, The International Standard Bible Encyclopedia, thuhet se «shpresa për të ardhmen nuk ishte karakteristike për botën pagane», domethënë, për botën që rrethonte të krishterët e shekullit të parë. (Efesianëve 2:12; 1. Thesalonikasve 4:13) E megjithatë, ‘shpresa e shpëtimit’ është element bazë i adhurimit të vërtetë. Si? Së pari, shpëtimi i shërbëtorëve të Jehovait lidhet me vetë emrin e tij. Psalmisti Asaf u lut: «Na ndihmo, o Perëndi i shpëtimit, për lavdinë e emrit tënd dhe na çliro.» (Psalmi 79:9; Ezekieli 20:9) Për më tepër, siguria në bekimet e premtuara të Jehovait është thelbësore për të pasur një marrëdhënie të mirë me të. Pavli u shpreh kështu: «Pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë.» (Hebrenjve 11:6) Më tej, Pavli shpjegoi se shpëtimi i njerëzve të penduar ishte një nga arsyet kryesore për të cilën erdhi Jezui në tokë. Ai shpalli: «Kjo fjalë është e sigurt, e denjë për t’u pranuar plotësisht, që Krishti Jezu erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët.» (1. Timoteut 1:15) Gjithashtu, apostulli Pjetër iu referua shpëtimit si ‘përmbushja [ose rezultati përfundimtar] e besimit tonë’. (1. Pjetrit 1:9) Qartë, pra, është e përshtatshme të shpresojmë për shpëtim. Por, çfarë është në të vërtetë shpëtimi? Dhe çfarë kërkohet për ta arritur atë?
Çfarë është shpëtimi?
3. Çfarë lloj shpëtimi përjetuan shërbëtorët e Jehovait në kohët e lashta?
3 Në Shkrimet Hebraike, «shpëtimi» zakonisht nënkupton lirimin ose çlirimin nga shtypja a nga një vdekje e dhunshme dhe e parakohshme. Për shembull, duke e quajtur Jehovain «çlirimtari», Davidi tha: «Perëndia im, shkëmbi në të cilin strehohem. . . . Streha ime. O shpëtimtari im, ti më shpëton nga dhuna! Unë i kërkoj ndihmë Zotit që meriton të lavdërohet dhe kështu më shpëtoi nga duart e armiqve të mi.» (2. Samuelit 22:2-4) Davidi e dinte se Jehovai dëgjon kur shërbëtorët e Tij besimplotë i thërrasin atij për ndihmë.—Psalmi 31:22, 23; 145:19.
4. Çfarë shprese për jetën e ardhme kishin shërbëtorët e Jehovait në kohët para krishterimit?
4 Edhe shërbëtorët e Jehovait në kohët para krishterimit e kishin shpresën e një jete të ardhshme. (Jobi 14:13-15; Isaia 25:8; Danieli 12:13) Në fakt, shumë nga premtimet e shpëtimit që gjenden në Shkrimet Hebraike ishin parathënëse të një shpëtimi më të madh, i cili çon në jetën e përhershme. (Isaia 49:6, 8; Veprat 13:47; 2. Korintasve 6:2) Në ditët e Jezuit, shumë judenj e shpresonin jetën e përhershme, por refuzuan të pranonin Jezuin si element kyç për realizimin e shpresës së tyre. Jezui u tha udhëheqësve fetarë të kohës të tij: «Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua.»—Gjoni 5:39.
5. Çfarë nënkupton, përfundimisht, shpëtimi?
5 Nëpërmjet Jezuit, Perëndia zbuloi gjithë ngjyrimet e domethënies së shpëtimit. Ai përfshin çlirimin nga sundimi i mëkatit, nga skllavëria e fesë së rreme, nga bota nën kontrollin e Satanait, nga frika e njeriut e madje edhe nga frika e vdekjes. (Gjoni 17:16; Romakëve 8:2; Kolosianëve 1:13; Zbulesa 18:2, 4) Përfundimisht, për shërbëtorët besimplotë të Perëndisë, shpëtimi nga Perëndia nënkupton jo vetëm çlirimin nga shtypja e nga vuajtjet, por edhe mundësinë për të pasur jetën e përhershme. (Gjoni 6:40; 17:3) Jezui mësoi se për një ‘kope të vogël’, shpëtimi nënkupton ringjalljen në jetën qiellore për të marrë pjesë me Krishtin në sundimin e Mbretërisë. (Luka 12:32) Për pjesën tjetër të njerëzimit, shpëtimi nënkupton një rivendosje në atë jetë të përsosur dhe në atë marrëdhënie me Perëndinë që gëzonin Adami dhe Eva në kopshtin e Edenit, para se të mëkatonin. (Veprat 3:21; Efesianëve 1:10) Jeta e përhershme në kushte të tilla parajsore ishte qëllimi fillestar i Perëndisë për njerëzimin. (Zanafilla 1:28; Marku 10:30) Por, si është e mundur rivendosja e këtyre kushteve?
Baza për shpëtim—shpërblesa
6, 7. Çfarë roli ka Jezui në shpëtimin tonë?
6 Shpëtimi i përhershëm është i mundur vetëm falë flijimit shpërblyes të Krishtit. Përse? Bibla shpjegon se kur mëkatoi, Adami e «shiti» veten dhe gjithë pasardhësit e tij të ardhshëm, duke përfshirë edhe ne, në mëkat, duke bërë të nevojshme një shpërblesë, që njerëzimi të kishte shpresë të vlefshme. (Romakëve 5:14, 15; 7:14) Fakti që Perëndia do të siguronte një shpërblesë për gjithë njerëzimin u paraqit nga flijimet e kafshëve që bëheshin nën Ligjin e Moisiut. (Hebrenjve 10:1-10; 1. Gjonit 2:2) Jezui ishte ai që me flijimin e tij përmbushi këto parafytyrime profetike. Engjëlli i Jehovait njoftoi para se të lindte Jezui: «Ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre.»—Mateu 1:21; Hebrenjve 2:10.
7 Jezui lindi në mënyrë të mrekullueshme nga virgjëresha Mari dhe, si Biri i Perëndisë, nuk trashëgoi vdekjen nga Adami. Ky fakt, bashkë me mënyrën e të jetuarit me besnikëri të përsosur, i dha jetës së tij vlerën e nevojshme për të riblerë njerëzimin nga mëkati dhe nga vdekja. (Gjoni 8:36; 1. Korintasve 15:22) Ndryshe nga gjithë njerëzit e tjerë, Jezui nuk ishte i dënuar të vdiste për shkak të mëkatit. Ai erdhi qëllimisht në tokë «për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve». (Mateu 20:28) Pasi ka bërë këtë, Jezui, tashmë i ringjallur dhe i kurorëzuar, është në gjendje t’u japë shpëtimin të gjithë atyre që plotësojnë kërkesat e Perëndisë.—Zbulesa 12:10.
Çfarë kërkohet për të fituar shpëtimin?
8, 9. (a) Si iu përgjigj Jezui pyetjes që i bëri një sundimtar i ri e i pasur për shpëtimin? (b) Si e përdori Jezui këtë rast për të mësuar dishepujt e tij?
8 Një herë, një sundimtar i ri e i pasur izraelit e pyeti Jezuin: «Çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?» (Marku 10:17) Pyetja e tij mund të ketë pasqyruar mendimin mbizotërues të judenjve të kohës së tij: mendimin se Perëndia kërkon disa vepra të mira dhe se duke bërë mjaft nga këto vepra, një person mund të meritojë shpëtimin nga Perëndia. Por ky lloj devocioni formal mund të vinte nga motive egoiste. Vepra të tilla nuk siguronin një shpresë të sigurt për shpëtim, meqë asnjë njeri i papërsosur nuk mund të jetë në të vërtetë në lartësinë e duhur me normat e Perëndisë.
9 Duke iu përgjigjur pyetjes së atij njeriu, Jezui thjesht i kujtoi se duhej t’u bindej urdhërimeve të Perëndisë. Sundimtari i ri e siguroi me të shpejtë Jezuin se i kishte mbajtur këto urdhërime që kur ishte i vogël. Përgjigjja e tij e shtyu Jezuin të ndiente dashuri për të. Jezui i tha: «Një gjë të mungon; shko, shit të gjitha ato që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja, . . . dhe më ndiq.» Megjithatë, i riu u largua i pikëlluar, «sepse kishte shumë pasuri». Pas kësaj, Jezui u theksoi dishepujve të tij se dashuria e tepruar për të mirat e kësaj bote ia zë rrugën arritjes së shpëtimit. Ai shtoi se askush nuk mund ta fitojë shpëtimin me forcat e veta. Por Jezui vazhdoi duke i siguruar: «Për njerëzit është e pamundur, por jo për Perëndinë, sepse gjithçka është e mundur për Perëndinë.» (Marku 10:18-27; Luka 18:18-23) Si bëhet i mundur shpëtimi?
10. Çfarë kushtesh duhet të plotësojmë për të marrë shpëtimin?
10 Shpëtimi është një dhuratë nga Perëndia, por nuk vjen në mënyrë automatike. (Romakëve 6:23) Ekzistojnë disa kushte themelore që çdo individ duhet t’i plotësojë për t’u kualifikuar për këtë dhuratë. Jezui tha: «Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson [ushtron besim, BR] në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.» Gjithashtu, apostulli Gjon shtoi: «Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë.» (Gjoni 3:16, 36) Qartë, Perëndia kërkon besim dhe bindje nga çdo individ që shpreson të marrë shpëtimin e përhershëm. Secili duhet të marrë vendimin për të pranuar shpërblesën dhe për të ndjekur gjurmët e Jezuit.
11. Si mund ta fitojë miratimin e Jehovait një person i papërsosur?
11 Meqë jemi të papërsosur, nuk është në prirjen tonë të natyrshme të bindemi, dhe është e pamundur që të bindemi në mënyrë të përsosur. Ja përse Jehovai siguroi një shpërblesë që të mbulojë mëkatet tona. Gjithsesi, ne duhet të përpiqemi vazhdimisht që të jetojmë në harmoni me udhët e Perëndisë. Siç i tha Jezui sundimtarit të ri e të pasur, duhet të mbajmë urdhërimet e Perëndisë. Kjo na sjell jo vetëm miratimin e Perëndisë, por edhe gëzim të madh, sepse «urdhërimet e tij nuk janë të rënda», madje janë «freskim». (1. Gjonit 5:3; Fjalët e urta [Proverbat] 3:1, 8) Megjithatë, nuk është e lehtë të mbahemi fort pas shpresës së shpëtimit.
«Luftoni me të gjitha forcat për besimin»
12. Si e forcon shpresa e shpëtimit një të krishterë, që t’u rezistojë tundimeve imorale?
12 Dishepulli Judë donte t’u shkruante të krishterëve të hershëm për «shpëtimin [që kishin] të përbashkët». Megjithatë, klima e keqe morale që mbizotëronte e detyroi t’i këshillonte vëllezërit e tij që të ‘luftonin [me të gjitha forcat, BR] për besimin’. Po, për të fituar shpëtimin nuk mjafton të kemi besim, të mbahemi fort pas besimit të krishterë dhe të bindemi kur çdo gjë shkon vaj. Devocioni ynë ndaj Jehovait duhet të jetë mjaft i fortë, sa të na ndihmojë t’u rezistojmë tundimeve dhe ndikimeve imorale. Megjithatë, teprimet dhe shthurjet seksuale, mungesa e respektit për autoritetin, përçarjet dhe dyshimet po e dobësonin shumë frymën e kongregacionit të shekullit të parë. Për t’i ndihmuar që të luftonin prirje të tilla, Juda i nxiti të bashkëkrishterët që të mbanin të qartë në mendje synimin që kishin: «Shumë të dashur, duke ndërtuar veten tuaj mbi besimin tuaj shumë të shenjtë, duke u lutur në frymën e shenjtë, ruhuni në dashurinë e Perëndisë, duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krisht, për [me sytë nga, BR] jetën e përjetshme.» (Judës 3, 4, 8, 19-21) Shpresa se do të fitonin shpëtimin mund t’i forconte ata në luftën për të qëndruar të pastër nga ana morale.
13. Si mund ta tregojmë që nuk e kemi humbur qëllimin e dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë?
13 Perëndia Jehova pret një sjellje morale shembullore nga ana e atyre të cilëve do t’u japë shpëtimin. (1. Korintasve 6:9, 10) Por, t’u përmbahemi normave morale të Perëndisë nuk do të thotë që të gjykojmë të tjerët. Nuk jemi ne ata që vendosin shortin e përjetshëm të njerëzve të tjerë. Përkundrazi, këtë do ta bëjë Perëndia, siç u tha Pavli grekëve në Athinë: «Ai ka caktuar një ditë në të cilën do të gjykojë me drejtësi botën me anë të një njeriu të cilin ai e ka caktuar», pra, me anë të Jezu Krishtit. (Veprat 17:31; Gjoni 5:22) Nëse po jetojmë me besim në shpërblesën e Jezuit, nuk duhet t’i frikësohemi ditës së gjykimit që po vjen. (Hebrenjve 10:38, 39) E rëndësishme është që kurrë të mos e ‘pranojmë dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë [pajtimin me të nëpërmjet shpërblesës] dhe të humbim qëllimin e saj’, duke i lejuar vetes të tundohemi për të pasur mendime dhe sjellje të gabuara. (2. Korintasve 6:1, BR) Veç kësaj, duke i ndihmuar të tjerët për të fituar shpëtimin, tregojmë se nuk e kemi humbur qëllimin e mëshirës së Perëndisë. Si mund t’i ndihmojmë të tjerët?
Të ndajmë shpresën e shpëtimit
14, 15. Kë caktoi Jezui për të përhapur lajmin e mirë të shpëtimit?
14 Duke cituar profetin Joel, Pavli shkroi: «Gjithkush që thërret emrin e Jehovait do të shpëtojë.» Pastaj shtoi: «Megjithatë, si do ta thërrasin atë, tek i cili nuk kanë vendosur besimin? Nga ana tjetër, si do ta vendosin besimin në atë, për të cilin nuk kanë dëgjuar? Nga ana tjetër, si do të dëgjojnë pa pasur dikë që t’u predikojë?» Disa vargje më poshtë, Pavli thekson se besimi nuk vjen vetvetiu, por, përkundrazi, «ndjek atë që dëgjohet», domethënë, «fjalën për Krishtin».—Romakëve 10:13, 14, 17, BR; Joeli 2:32.
15 Kush do t’ua çojë «fjalën për Krishtin» kombeve? Jezui ua caktoi këtë vepër dishepujve të tij, domethënë, atyre që tashmë u është mësuar kjo ‘fjalë’. (Mateu 24:14; 28:19, 20; Gjoni 17:20) Kur marrim pjesë në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve, po bëjmë pikërisht atë që shkroi apostulli Pavël, kësaj radhe duke cituar Isainë: «Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin paqen, që shpallin lajme të mira!» Edhe nëse shumë veta nuk e pranojnë lajmin e mirë që u çojmë, këmbët tona janë ende «të bukura» për Jehovain.—Romakëve 10:15; Isaia 52:7.
16, 17. Cilit qëllim të dyfishtë i shërben vepra jonë e predikimit?
16 Përmbushja e kësaj detyre u shërben dy qëllimeve të rëndësishme. Së pari, lajmi i mirë duhet të predikohet, në mënyrë që emri i Perëndisë të lartësohet dhe ata që duan shpëtimin të dinë ku të drejtohen. Pavli e kuptoi këtë aspekt të detyrës. Ai tha: «Sepse kështu na ka urdhëruar Zoti: ‘Unë të vura si dritë të johebrenjve, që ti ta çosh shpëtimin deri në skajin e dheut.’» Prandaj, si dishepuj të Krishtit, secili prej nesh duhet të bëjë pjesën e tij për t’u çuar njerëzve mesazhin e shpëtimit.—Veprat 13:47; Isaia 49:6.
17 Së dyti, predikimi i lajmit të mirë hedh themelin për gjykimin e drejtë të Perëndisë. Për këtë gjykim, Jezui tha: «Kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, bashkë me të gjithë engjëjt e shenjtë, atëherë do të ulet mbi fronin e lavdisë së vet. Dhe të gjithë kombet do të mblidhen para tij; dhe ai do ta ndajë njërin nga tjetri ashtu si i ndan bariu delet nga cjeptë.» Edhe pse gjykimi dhe ndarja do të bëhen «kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij», vepra e predikimit po u jep njerëzve sot mundësinë që të pranojnë vëllezërit frymorë të Krishtit dhe të punojnë në mbështetje të tyre, për shpëtimin e përjetshëm.—Mateu 25:31-46.
Të mbajmë «sigurinë e plotë të shpresës»
18. Si mund ta mbajmë të gjallë ‘shpresën e shpëtimit’?
18 Pjesëmarrja jonë aktive në veprën e predikimit është, gjithashtu, një mjet që na ndihmon për të mbajtur të gjallë shpresën. Pavli shkroi: «Dëshirojmë që secili nga ju të tregojë deri në fund të njëjtin zell për të arritur në sigurimin [sigurinë, BR] e plotë të shpresës.» (Hebrenjve 6:11) Pra, secili prej nesh le të vërë «për përkrenare shpresën e shpëtimit», duke mbajtur kështu ndër mend se «Perëndia nuk na ka caktuar për zemërim, por për të marrë shpëtimin me anë të Zotit tonë Jezu Krisht». (1. Thesalonikasve 5:8, 9) Le të marrim për zemër edhe thirrjen e Pjetrit: «Ngjeshni ijët e mendjes suaj, rrini zgjuar dhe mbani shpresë të plotë në hirin që do të vijë mbi ju.» (1. Pjetrit 1:13) Të gjithë ata që veprojnë kështu, do të shohin përmbushjen e plotë të «shpresës së shpëtimit».
19. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?
19 Ndërkohë, cila duhet të jetë pikëpamja jonë për kohën që i mbetet këtij sistemi? Si mund ta përdorim këtë kohë për të fituar shpëtimin për vete dhe për të tjerët? Këto pyetje do t’i shqyrtojmë në artikullin vijues.
A mund ta shpjegoni?
• Përse duhet ta mbajmë të gjallë «shpresën e shpëtimit»?
• Çfarë përfshin shpëtimi?
• Çfarë duhet të bëjmë për të marrë dhuratën e shpëtimit?
• Çfarë kryen vepra jonë e predikimit, në harmoni me qëllimin e Perëndisë?
[Figurat në faqen 10]
Shpëtimi nënkupton më shumë sesa thjesht çlirimin nga shkatërrimi