Pikëpamja e Biblës
A do të përfundojë toka në flakë?
E PËRZHITUR nga një olokaust bërthamor, e bërë shkrumb e hi nga një diell i mufatur ose e përcëlluar në flakë nga një perëndi i zemëruar. Mënyra e shkatërrimit mund të ndryshojë, por shumë njerëz janë të bindur se planeti Tokë, shtëpia e njerëzimit, do të shohë fundin e saj në një llahtar përpirës, në një apokalips kataklizmik.
Disa citojnë vargje biblike që parathonë një zjarr të madh shkatërrimtar, i cili është dërguar në mënyrë hyjnore si shpagim për shkeljet e njeriut ndaj tokës. Të tjerë i bëjnë jehonë opinionit të Pol Deivisit, profesor në Universitetin e Adelaides, Australi, i cili shkruan rreth asaj, të cilën ai e konsideron si kredhja e pashmangshme e tokës në shkatërrimin e zjarrtë. Në librin e tij The Last Three Minutes, ai teorizon: «Me mufatjen gjithnjë e më të madhe të tij, dielli do të gllabërojë . . . Tokën brenda mbështjelljes së tij të zjarrtë. Planeti ynë do të katandiset në një thëngjill të ndezur.» Si është e vërteta mbi atë çka e pret tokën? Si duhen kuptuar vargjet biblike, që duket se parathonë shfarosjen me zjarr?
A kujdeset Perëndia?
Në Jereminë 10:10-12, ne na bëhet e ditur: «Jehovai është në të vërtetë Perëndia. . . . Ai është Ai që bëri tokën me fuqinë e tij, Ai që e vendos fortësisht tokën prodhuese me mençurinë e tij dhe Ai që me kuptueshmërinë e tij shpalosi qiejt.» (BR) Perëndia e bëri tokën dhe e vendosi atë fortësisht. Kështu që me mençuri, dashuri dhe kuptueshmëri, ai e përgatiti me kujdes tokën, që të qëndronte deri në pafundësi një shtëpi e bukur për njerëzimin.
Për krijimin njerëzor të Perëndisë, Bibla raporton: «Mashkull dhe femër ai i krijoi ata. Më tej, Perëndia i bekoi ata dhe Perëndia u tha: ‘Jini të frytshëm, bëhuni shumë, mbusheni tokën dhe nënshtrojeni atë.’» (Zanafilla 1:27, 28, BR) Kur përfundoi veprën e tij të krijimit, ai mund të shpallte qartësisht se «ishte shumë e mirë». (Zanafilla 1:31, BR) Dëshira e tij ishte që ajo të qëndronte kështu. Ashtu si disa prindër, që presin një fëmijë, bëjnë dhe mobilojnë një dhomë për foshnjën që po u vjen, edhe Perëndia mbolli një kopsht të bukur dhe vendosi në të njeriun Adam, për ta zhvilluar dhe për t’u kujdesur për të.—Zanafilla 2:15.
Adami e braktisi përsosmërinë dhe detyrën e tij për t’u kujdesur për tokën. Por, a e braktisi Krijuesi qëllimin e Tij? Isaia 45:18 në Përkthimin Bota e Re, lë të kuptohet se jo, kur thotë: «Kështu ka thënë Jehovai, Krijuesi i qiejve, . . . Formuesi i tokës . . . , Ai që fortësisht e vendosi atë, që nuk e krijoi thjesht për asgjë, që e formoi madje për të qenë e banuar.» (Shikoni edhe Isainë 55:10, 11.) Edhe pse njeriu la pas dore detyrën e tij si kujdestar, Perëndia vazhdoi të zbatonte kontratën e tij me tokën dhe gjallesat mbi të. Ligji që iu dha kombit të lashtë të Izraelit, mori masat për «një sabat si pushim i plotë për vendin» çdo shtatë vjet. Ai përfshinte ligje njerëzore që siguronin një masë mbrojtjeje për kafshët. (Levitiku 25:4; Dalja 23:4, 5; Ligji i përtërirë 22:1, 2, 6, 7, 10; 25:4; Luka 14:5) Këto janë vetëm pak shembuj nga Bibla që tregojnë qartë se Perëndia kujdeset shumë për njerëzimin dhe për gjithçka tjetër që ai kishte ngarkuar njeriun të kujdesej.
«Toka e parë»
Si pajtohen, atëherë, vargjet e Biblës, që duken se janë kontradiktore? Një i tillë është 2. Pjetrit 3:7, i cili sipas Përkthimit Diodati i Ri, thotë: «Qiejt dhe dheu i sotshëm janë ruajtur nga e njëjta fjalë për zjarrin, të rezervuar për ditën e gjyqit dhe të humbjes së njerëzve të pabesë.» Një tjetër varg është Zbulesa 21:1, ku thuhet: «Pashë një qiell të ri e një tokë të re, sepse qielli i parë dhe toka e parë u zhdukën.»—DSF.
Nëse fjalët e Pjetrit do të merren fjalë për fjalë dhe planeti Tokë do të konsumohet nga zjarri i njëmendtë, atëherë edhe qiejt e vërtetë me yjet dhe trupat e tjerë qiellorë, do të shkatërrohen nga zjarri. Por ky shpjegim është kontradiktor me sigurimin që përmbajnë shkrime të tilla, si Mateu 6:10, i cili thotë: «U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.» dhe Psalmi 37:29, ku lexojmë: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.» Për më tepër, çfarë efekti do të kishte zjarri mbi diellin dhe yjet tashmë intensivisht të nxehtë, të cilët prodhojnë vazhdimisht shpërthime bërthamore?
Nga ana tjetër, në Bibël, termi «tokë» përdoret shpesh në kuptimin figurativ. Për shembull, Zanafilla 11:1 thotë: «Tërë toka fliste të njëjtën gjuhë.» Këtu fjala «toka» i referohet njerëzimit në përgjithësi apo shoqërisë njerëzore. (Shikoni edhe 1. Mbretërve 2:1, 2; 1. Kronikave 16:31.) Konteksti i 2. Pjetrit 3:5, 6 lë të kuptohet i njëjti përdorim figurativ i fjalës «tokë». Ai i referohet ditëve të Noes, kur u shkatërrua me Përmbytje një shoqëri e ligë njerëzore, por Noeja, familja e tij dhe vetë globi u ruajtën. (Zanafilla 9:11) Po ashtu, në 2. Pjetrit 3:7, thuhet se ata që do të shkatërrohen janë «njerëzit e pabesë». Kjo pikëpamje pajtohet me pjesën tjetër të Biblës. Shoqëria e ligë e damkosur për shkatërrim, është, gjithashtu, «toka e parë», së cilës i referohej Zbulesa 21:1, që u citua më lart.
Vërtet, ashtu si një baba i kujdesshëm tokësor do të merrte çdo masë të mundshme për të siguruar pacënueshmërinë e shtëpisë së tij, edhe Perëndia Jehova është shumë i shqetësuar për krijimin e tij. Në një rast, ai dëboi nga lugina pjellore e Jordanit një popull imoral e të ligë dhe siguroi kujdestarë të rinj për vendin, të cilët kishin bërë besëlidhje me të, që nëse mbanin statutet e tij, ‘vendi nuk do t’i villte për ndotjen e tyre, në të njëjtën mënyrë siç do të villte me siguri kombet që ishin para tyre’.—Levitiku 18:24-28, BR.
«Një tokë e re»
Sot, toka është ndotur nga një shoqëri që është seksualisht e çoroditur, brutalisht e dhunshme dhe politikisht e korruptuar. Vetëm Perëndia mund ta shpëtojë dhe pikërisht këtë do të bëjë. Në Zbulesën 11:18, ai premton «të çojë në rrënim ata që rrënojnë tokën». (BR) Toka e restauruar dhe e përtërirë do të popullohet nga njerëz që i frikësohen Perëndisë dhe që i duan me sinqeritet të tjerët. (Hebrenjve 2:5; krahaso Lukën 10:25-28.) Ndryshimet që do të ndodhin nën Mbretërinë qiellore të Perëndisë, do të jenë ndryshime kaq rrënjësore, sa Bibla flet për «një tokë të re», për një shoqëri të re njerëzore.
Kur lexojmë shkrime të tilla si Psalmi 37:29 dhe kur kuptojmë deklaratën e bërë nga Krishti në Mateun 6:10, jemi të bindur se as forcat e verbëra natyrore dhe as njeriu me gjithë fuqinë e tij shkatërruese, nuk do t’i japin fund planetit tonë. Ata nuk do të pengojnë plotësimin e qëllimit të Perëndisë. (Psalmi 119:90; Isaia 40:15, 26) Njerëzimi besimplotë do të jetojë në tokë mes kushteve të bukurisë pa kufi dhe të gëzimit të pafund. Kjo është e vërteta mbi atë ç’ka e pret tokën, sepse ky është dhe ka qenë gjithmonë qëllimi i Krijuesit të dashur të njerëzimit.—Zanafilla 2:7-9, 15; Zbulesa 21:1-5.