SODOMA
Qytet që shtrihej në kufirin juglindor të Kanaanit. (Zn 10:19; 13:12) Përmendet shpesh bashkë me Gomorrën dhe ndoshta ishte qyteti më i rëndësishëm nga pesë qytetet që ndodheshin të gjitha me sa duket në ultësirën e Sidimit. (Zn 14:2, 3) Shumë studiues mendojnë se vendet ku ndodheshin Sodoma dhe ‘qytetet [e tjera] të krahinës’, sot janë nën ujërat e Detit të Vdekur, ndonëse të tjerë kanë pohuar kohët e fundit se rrënojat e atyre qyteteve mund të jenë në disa vende përgjatë vadeve në lindje dhe juglindje të Detit të Vdekur.—Zn 13:12; shih DETI I KRIPUR.
Kur Abrahami dhe Loti vendosën të ndaheshin për të shmangur grindjet mes çobanëve të tyre, Loti shkoi drejt lindjes, në krahinën e Jordanit që ishte e ujitur mirë dhe e ngriti tendën pranë Sodomës. Mirëpo, kur vërejti se «njerëzit e Sodomës ishin të këqij dhe mëkatonin rëndë kundër Jehovait», u brengos tepër. (Zn 13:5-13; 2Pj 2:7, 8) Më vonë, pasi i ishin nënshtruar për 12 vjet Kedorlaomerit, mbretit të Elamit, banorët e Sodomës dhe të katër qyteteve të tjera u rebeluan. Vitin tjetër, Kedorlaomeri dhe aleatët e tij mundën Berën, mbretin e Sodomës, me gjithë aleatët e tij. Përveç plaçkës e ushqimeve që morën, fitimtarët zunë rob Lotin dhe të tjerë.—Zn 14:1-12.
Forcat e Abrahamit e arritën Kedorlaomerin, rimorën plaçkën dhe liruan robërit, mes të cilëve ishte edhe Loti me familjen e tij. Mbreti i Sodomës nguli këmbë që Abrahami t’i mbante të mirat që mori, por ai nuk pranoi, që Bera të mos thoshte: «Unë e bëra Abramin të pasur.»—Zn 14:13-24.
Shkatërrim i përhershëm. Gjithsesi, Sodoma vazhdoi ta sfidonte me kokëfortësi Jehovain dhe i doli nami për praktika imorale si homoseksualizmi. «E fortë është britma e ankimit për Sodomën dhe Gomorrën,—shpalli Jehovai,—dhe shumë i rëndë mëkati i tyre.» Prandaj Perëndia dërgoi engjëjt e tij që ta shkatërronin Sodomën, ndërkohë që e siguroi Abrahamin se po të gjendeshin në atë qytet sikur edhe dhjetë njerëz të drejtë, do të shpëtonte i gjithë qyteti.—Zn 18:16, 20-33.
U duk qartë se qyteti e meritonte shkatërrimin, pasi një turmë sodomitësh të degjeneruar (ndër të cilët djem e të moshuar) rrethoi shtëpinë e Lotit dhe u përpoq të përdhunonte engjëjt që ishin mysafirë të tij. Të nesërmen, pasi Loti doli nga qyteti bashkë me gruan dhe dy vajzat e tij, Sodoma e Gomorra u shkatërruan me squfur e zjarr. (Zn 19:1-29; Lu 17:28, 29) Pas kësaj, Sodoma dhe Gomorra u bënë shembull proverbial i shkatërrimit të plotë nga Perëndia i Plotfuqishëm (Lp 29:23; Is 1:9; 13:19; Jr 49:18; 50:40; Va 4:6; Am 4:11; So 2:9; Ro 9:29) dhe i ligësisë së skajshme.—Lp 32:32; Is 1:10; 3:9; Jr 23:14; Ezk 16:46-56; shih GOMORRA.
Jezui tha për një qytet izraelit që do ta hidhte poshtë lajmin e mirë: «Ditën e Gjykimit do ta kenë më të lehtë Sodoma dhe Gomorra, sesa ai qytet.» (Mt 10:15; 11:23, 24) Mirëpo, te Juda 7 thuhet se Sodoma e Gomorra «na janë vënë përpara si një shembull paralajmërues, duke pësuar ndëshkimin gjyqësor të zjarrit të përjetshëm». Prandaj, Jezui po përdorte thjesht një hiperbolë për të theksuar sa e pamundur ishte të pendohej popullsia e disa qyteteve izraelite të shekullit të parë, madje edhe në Ditën e Gjykimit.
«Në kuptimin frymor.» Zbulesa 11:3, 8 thotë se kufomat e ‘dy dëshmitarëve’ të Perëndisë dergjen në udhën e gjerë të qytetit të madh, që «në kuptimin frymor quhet Sodomë dhe Egjipt». Në profecinë e Isaisë (1:8-10), Sioni ose Jerusalemi krahasohet me Sodomën dhe sundimtarët e tij quhen «tiranë të Sodomës». Megjithatë, rreth vitit 96 të e.s., kur Gjoni mori vegimin e Zbulesës për ngjarje të së ardhmes, qyteti i Jerusalemit ishte shkatërruar prej kohësh, që në vitin 70 të e.s. Prandaj këtu duhet të bëhet fjalë për një ‘qytet të madh’ ose organizatë, për një Jerusalem tjetër që simbolizohet nga Jerusalemi i lashtë jobesnik.