MËSIMI 31
Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?
Tema kryesore për të cilën flet Bibla lidhet drejtpërdrejt me Mbretërinë e Perëndisë. Me anë të kësaj Mbretërie, Jehovai do të plotësojë qëllimin që kishte në fillim për tokën. Çfarë është kjo Mbretëri? Nga e dimë se ajo ka filluar të qeverisë? Çfarë ka realizuar deri tani dhe çfarë do të bëjë në të ardhmen? Në këtë mësim dhe në dy mësimet vijuese do t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve.
1. Çfarë është Mbretëria e Perëndisë dhe kush është Mbreti i saj?
Mbretëria e Perëndisë është një qeveri e krijuar nga Perëndia Jehova. Mbreti i saj, Jezu Krishti, qeveris nga qielli. (Mateu 4:17; Gjoni 18:36) Për Jezuin, Bibla thotë: «Ai do të mbretërojë përgjithmonë.» (Luka 1:32, 33) Si Mbret i kësaj Mbretërie, Jezui do të qeverisë mbarë tokën.
2. Kush qeveris së bashku me Jezuin?
Jezui nuk qeveris vetëm. Njerëz «nga çdo fis, gjuhë, popull e komb . . . do të mbretërojnë mbi tokën». (Zbulesa 5:9, 10) Sa veta do të qeverisin me Krishtin? Që nga koha kur Jezui ishte në tokë, miliona njerëz janë bërë dishepuj të tij. Por vetëm 144.000 prej tyre do të qeverisin me Jezuin në qiell. (Lexo Zbulesën 14:1-4.) Të gjithë të krishterët e tjerë në tokë do të bëhen nënshtetas të kësaj Mbretërie.—Psalmi 37:29.
3. Pse Mbretëria e Perëndisë është ku e ku më lart se çdo qeveri e krijuar nga njerëzit?
Edhe kur qeveritarët njerëzorë përpiqen të bëjnë diçka të mirë, nuk e kanë fuqinë të realizojnë çdo gjë që duan. Me kalimin e kohës, ata zëvendësohen nga qeveritarë të tjerë që mund të jenë të korruptuar e që nuk duan t’ia dinë për njerëzit. Por ndryshon puna me Mbretin e Mbretërisë së Perëndisë, Jezuin. Ai nuk do të zëvendësohet nga askush tjetër. Perëndia ‘ka vendosur një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë’. (Danieli 2:44) Jezui do të mbretërojë mbi tokën dhe do t’i trajtojë mirë e pa paragjykime të gjithë njerëzit. Ai është i dashur, i mirë dhe i drejtë. Veç kësaj do t’i mësojë edhe njerëzit ta trajtojnë njëri-tjetrin në të njëjtën mënyrë—me dashuri, mirësi dhe drejtësi.—Lexo Isainë 11:9.
SHQYRTO MË TEJ
Shqyrto pse Mbretëria e Perëndisë është më e mirë se çdo qeveri e krijuar nga njerëzit.
4. Një mbretëri e fuqishme do të qeverisë mbarë tokën
Jezu Krishti ka më shumë fuqi se çdo qeveritar tjetër në historinë e njerëzimit. Lexoni Mateun 28:18 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Ç’ndryshim ka mes autoritetit të Jezuit dhe atij të njerëzve?
Qeveritë e krijuara nga njerëzit ndryshojnë vazhdimisht dhe secila qeveris në pjesë të kufizuara të tokës. Po Mbretëria e Perëndisë? Lexoni Danielin 7:14 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
Pse është gjë e mirë që Mbretëria e Perëndisë «nuk do të shkatërrohet»?
Pse është gjë e mirë që ajo do të mbretërojë mbi mbarë tokën?
5. Sundimi i njerëzve duhet të marrë fund
Pse është e nevojshme që Mbretëria e Perëndisë të zëvendësojë qeveritë e krijuara nga njerëzit? Shihni VIDEON dhe më pas diskutoni për pyetjen vijuese.
Çfarë pasojash ka sjellë sundimi i njerëzve?
Lexoni Eklisiastiun 8:9 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
A mendon se Mbretëria e Perëndisë duhet t’i zëvendësojë qeveritë e krijuara nga njerëzit? Pse?
6. Mbretëria e Perëndisë ka qeveritarë që na kuptojnë
Meqë Mbreti ynë, Jezui, e ka provuar jetën si njeri, ‘i kupton dobësitë tona’. (Hebrenjve 4:15) Përveç kësaj, 144.000 gratë dhe burrat besnikë që do të qeverisin me Jezuin, Jehovai i ka zgjedhur «nga çdo fis, gjuhë, popull e komb».—Zbulesa 5:9.
A të ngrohet zemra kur mendon që Jezui dhe të gjithë ata që qeverisin me të, e kuptojnë se ç’do të thotë të jesh njeri? Pse?
7. Asnjë ligj s’u afrohet ligjeve të Mbretërisë së Perëndisë
Qeveritë nxjerrin ligje për të mirën e nënshtetasve dhe për t’i mbrojtur ata. Edhe Mbretëria e Perëndisë ka ligje, që nënshtetasit e saj duhet t’u binden. Lexoni 1 Korintasve 6:9-11 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
Si mendon se do të jetë bota kur të gjithë t’u binden ligjeve të Mbretërisë së Perëndisë?a
A të duket e arsyeshme që Jehovai u kërkon nënshtetasve të kësaj Mbretërie t’i zbatojnë këto ligje? Pse?
Ç’prova kemi se edhe një person që nuk u bindet këtyre ligjeve tani, mund të ndryshojë?—Shih vargun 11.
DIKUSH MUND TË PYESË: «Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?»
Si do t’i përgjigjeshe?
PËRMBLEDHJE
Mbretëria e Perëndisë është një qeveri reale që do të qeverisë nga qielli mbi mbarë tokën.
Si do të përgjigjeshe?
Cilët do të qeverisin në Mbretërinë e Perëndisë?
Në ç’kuptim Mbretëria e Perëndisë qëndron ku e ku më lart se qeveritë e njerëzve?
Çfarë pret Jehovai nga nënshtetasit e kësaj Mbretërie?
EKSPLORO
Shiko çfarë tha Jezui për vendndodhjen e Mbretërisë së Perëndisë.
«A është Mbretëria e Perëndisë në zemrën tënde?» (Artikull në jw.org)
Pse për Dëshmitarët e Jehovait është më e rëndësishme t’i qëndrojnë besnikë Mbretërisë së Perëndisë sesa qeverive të krijuara nga njerëzit?
Shiko se çfarë tregon Bibla për ata 144.000 që Jehovai i ka zgjedhur për të qeverisur me Jezuin.
Çfarë e bindi një grua të burgosur se vetëm Perëndia mund të sjellë drejtësi në botë?