Imitoni besimin e tyre
«Një grua e shkëlqyer»
RUTHA u ul në gjunjë pranë grumbullit të kallinjve të elbit që kishte mbledhur gjatë ditës. Në fushat përreth Betlehemit po binte muzgu dhe shumë punëtorë tashmë ishin nisur për te porta e qytetit të vogël që ndodhej mbi një vargmal atje afër. Mund ta përfytyrojmë sa e lodhur duhet të ishte Rutha, pasi kishte punuar pareshtur nga mëngjesi deri në darkë. Megjithatë ajo vazhdonte punën, duke i rrahur kallinjtë me një shkop të vogël a një mjet të ngjashëm që të shinte drithin. Ndonëse punë e lodhshme, ishte një ditë e mirë, më e mirë se ç’mund të kishte shpresuar ndonjëherë Rutha.
Mos po përmirësoheshin gjërat më në fund për këtë vejushë në moshë të re? Ajo kishte qëndruar me vjehrrën, Naomin, duke iu betuar se s’do ta linte, dhe se Perëndinë e Naomit, Jehovain, do ta bënte Perëndinë e vet. Së bashku, dy gratë e hidhëruara kishin ardhur nga Moabi në Betlehem, dhe moabitja Ruthë shpejt mori vesh se Ligji i Jehovait siguronte masa praktike e dinjitoze për të varfrit në Izrael, ku përfshiheshin edhe të huajt.a Kurse tani Rutha kuptoi se disa nga populli i Jehovait, të cilët jetonin sipas Ligjit dhe ishin stërvitur sipas tij, treguan me sjellje e mirëdashje se i donin ligjet e Jehovait, dhe kjo ia shëronte zemrën e vrarë.
Një nga këta njerëz ishte Boazi, një i moshuar i pasur në fushat e të cilit Rutha po mblidhte prodhime të mbetura. Sot, ai i kishte kushtuar vëmendje si të ishte bija e tij. Ajo s’kishte si të mos buzëqeshte me vete kur mendonte për fjalët e tij mirëdashëse që e lavdëronin për kujdesin ndaj Naomit të moshuar dhe që kishte zgjedhur të strehohej në krahët e Perëndisë së vërtetë, Jehovait.—Rutha 2:11-13.
Sidoqoftë, ndoshta Rutha vriste mendjen për jetën që e priste. Si do t’i siguronte të ardhurat për veten e për Naomin në vitet në vazhdim kjo e huaj e varfër, pa burrë e pa fëmijë? A do të mjaftonte mbledhja e prodhimeve të mbetura? Po për të, kush do të kujdesej kur të plakej? Ishte më se normale ta trazonin mendime të tilla. Në kohët e sotme, të vështira nga ana ekonomike, mjaft veta luftojnë me ankthe të ngjashme. Nga Rutha mësojmë se besimi e ndihmoi të përballonte sfida të tilla. Prandaj mund ta imitojmë në shumë aspekte.
Çfarë përfshin vërtet një familje?
Në kohën kur Rutha mbaroi së rrahuri drithin dhe e mblodhi, pa se kishte mbledhur rreth një masë efe me elb. Ngarkesa e saj mund të ketë peshuar rreth 14 kilogramë. Ajo e ngriti, mbase në një torbë që e mbante mbi kokë, dhe mori rrugën për në Betlehem teksa ngrysej.—Rutha 2:17.
Naomi ishte e kënaqur të shihte nusen e saj të shtrenjtë dhe ndoshta u çudit shumë kur pa ngarkesën e rëndë të elbit që solli Rutha. Solli edhe ca ushqim që i kishte tepruar nga vakti që u kishte dhënë Boazi punëtorëve, dhe kështu të dyja hëngrën diçka të thjeshtë. Naomi e pyeti: «Ku mblodhe sot? Ku punove? Qoftë bekuar ai që të kushtoi vëmendje!» (Rutha 2:19) Naomi ishte e vëmendshme, pasi në ngarkesën e rëndë të Ruthës pa prova se dikush i kishte kushtuar vëmendje vejushës së re dhe e kishte trajtuar me dashamirësi.
Të dyja gratë nisën të flitnin dhe Rutha i tregoi Naomit për mirëdashjen e Boazit. E prekur, Naomi i tha: «Ai qoftë bekuar nga Jehovai, i cili vazhdon t’ua tregojë dashamirësinë e tij të gjallëve e të vdekurve!» (Rutha 2:19, 20) Ajo e konsideroi mirëdashjen e Boazit si të vinte nga Jehovai, i cili i shtyn shërbëtorët e vet të jenë bujarë dhe premton ta shpërblejë popullin e tij për mirëdashjen që tregon.b—Proverbat 19:17.
Naomi e nxiti Ruthën që ta pranonte ofertën e Boazit për të mbledhur në arat e tij dhe për t’u qëndruar afër shërbëtoreve të shtëpisë së tij që të mos e ngacmonin korrësit. Rutha ia vuri veshin. Gjithashtu vazhdoi ‘të banonte me të vjehrrën’. (Rutha 2:22, 23) Këto fjalë tregojnë edhe një herë cilësinë e jashtëzakonshme të Ruthës: dashurinë besnike. Shembulli i saj mund të na shtyjë të pyesim veten nëse i nderojmë lidhjet familjare, duke i mbështetur me besnikëri njerëzit tanë të dashur dhe duke i ndihmuar sipas nevojës. Jehovai e vëren gjithmonë këtë lloj dashurie besnike.
A mund t’i konsiderojmë familje Naomin e Ruthën? Në disa kultura mendohet se, që një familje të quhet «vërtet» e tillë, duhet të jetë dikush që të përmbushë secilin rol—bashkëshort, bashkëshorte, djalë, vajzë, gjyshër, etj. Por Naomi dhe Rutha na kujtojnë se shërbëtorët e Jehovait mund të hapin zemrën e të bëjnë që edhe në familjet më të vogla, ndonëse nuk përmbushet secili rol, të mbizotërojë ngrohtësia, mirëdashja e dashuria. A je i vetëdijshëm për familjen që ke? Jezui u kujtoi dishepujve se kongregacioni i krishterë bëhet familje edhe për ata që s’kanë të tillë.—Marku 10:29, 30.
«Ai është një nga riblerësit tanë»
Që nga të korrat e elbit rreth prillit e deri në të korrat e grurit rreth qershorit, Rutha vazhdoi të mblidhte në arat e Boazit. Teksa javët kalonin, pa dyshim që Naomi mendonte gjithnjë e më tepër se ç’mund të bënte për nusen e saj të dashur. Në Moab, Naomi ishte e bindur se nuk mund ta ndihmonte kurrë Ruthën të gjente burrë tjetër. (Rutha 1:11-13) Kurse tani po ndryshonte mendim. Ajo iu afrua Ruthës dhe i tha: «Bija ime, a nuk duhet të kërkoj një vend prehjeje për ty?» (Rutha 3:1) Në atë kohë, ishte zakon që prindërit t’u gjenin bashkëshort fëmijëve, e Rutha ishte bërë një bijë e vërtetë për Naomin. Ajo donte t’i gjente Ruthës «një vend prehjeje». Kjo i referohet sigurisë dhe mbrojtjes që mund të vijë nga një shtëpi e një bashkëshort. Por, ç’mund të bënte Naomi?
Kur Rutha e përmendi për herë të parë Boazin, Naomi i tha: «Ky njeri është një i afërmi ynë. Ai është një nga riblerësit tanë.» (Rutha 2:20) Ç’donte të thoshte? Ligji që Perëndia i dha Izraelit përfshinte masa të dashura për familjet që po kalonin vështirësi për shkak të varfërisë ose të pikëllimit. Nëse një grua kishte mbetur e ve pa pasur fëmijë, ajo ndihej veçanërisht e rrënuar sepse emri i bashkëshortit, që ruhej nga pasardhësit, do të zhdukej përgjatë brezave të ardhshëm. Sidoqoftë, Ligji i Perëndisë i jepte mundësi vëllait të bashkëshortit të martohej me vejushën që të lindte një trashëgimtar, i cili mund të mbante emrin e bashkëshortit të vdekur e të kujdesej për pronën e familjes.c—Ligji i përtërirë 25:5-7.
Naomi shpjegoi si kishte ndër mend ta realizonte këtë martesë. Mund ta përfytyrojmë habinë e Ruthës së re, teksa dëgjonte vjehrrën. Ka të ngjarë që Ligji i Izraelit të ishte ende i panjohur për Ruthën dhe, pa dyshim që shumë nga zakonet e tij ishin disi të huaja për të. Megjithatë, e respektonte kaq shumë Naomin, saqë përpinte çdo fjalë që i thoshte. Ndonëse ajo që i këshilloi Naomi mund t’i jetë dukur e çuditshme ose e sikletshme, ndoshta edhe poshtëruese, Rutha e pranoi. Me përulësi tha: «Do të bëj gjithë sa më the.»—Rutha 3:5.
Ndonjëherë, të rinjtë e kanë të vështirë t’ua vënë veshin këshillave që u japin më të mëdhenjtë në moshë e më me përvojë. Është kollaj të nxjerrim përfundimin se më të mëdhenjtë në moshë nuk i kuptojnë vërtet sfidat dhe problemet e të rinjve. Por, shembulli i përulur i Ruthës na kujton se, po të dëgjojmë mençurinë e të moshuarve që duan vërtet më të mirën për ne, mund të shpërblehemi tej mase. Por, cila ishte këshilla e Naomit dhe a u shpërblye vërtet Rutha ngaqë ia vuri veshin?
Rutha në lëmë
Atë mbrëmje Rutha u nis për te lëmi, një sipërfaqe toke e sheshtë dhe e ngjeshur, ku disa bujq çonin drithin për ta shirë e për ta pastruar me anë të erës. Zakonisht ky vend ndodhej në faqen ose në majën e një kodre, ku flladet ishin të forta pasdite vonë dhe në muzg. Që ta pastronin drithin nga byku dhe lëmishtet, punëtorët përdornin sfurqe ose lopata të mëdha që ta hidhnin drithin në erë, e cila largonte bykun e lehtë dhe kështu kokrrat e drithit binin përtokë.
Rutha vështronte me kujdes teksa puna mbaronte dhe vinte mbrëmja. Boazi mbikëqyrte pastrimin e drithit të tij, ndërsa grumbullohej e bëhej kapicë. Pasi hëngri me zemër të gëzuar, ai u shtri në njërën anë të grumbullit. Me sa duket, kjo ishte një praktikë e zakonshme që mbase bëhej për të mbrojtur të korrat e vyera nga hajdutët e kusarët. Rutha pa që Boazi shkoi të flinte. Ishte koha të vepronte sipas planit të Naomit.
Rutha u afrua vjedhurazi me zemrën që i rrihte fort. Ajo e kuptoi se ai burrë ishte në gjumë të thellë. Prandaj, tamam siç i kishte thënë Naomi, i shkoi pranë këmbëve, ia zbuloi dhe u shtri afër tyre. Pastaj priti. Koha kalonte. Ruthës duhej t’i jetë dukur një përjetësi. Më në fund, nga mesnata, Boazi nisi të lëvizte. Duke u dridhur nga i ftohti, u zgjat përpara, ndoshta që të mbulonte sërish këmbët. Por e ndjeu që aty ndodhej dikush. Tregimi thotë: «Ja, në këmbët e tij ishte shtrirë një grua!»—Rutha 3:8.
«Kush je ti?»—e pyeti. Mbase me zërin që i dridhej, Rutha iu përgjigj: «Jam Rutha, skllavja jote. Shtrije cepin e rrobës mbi skllaven tënde, sepse je riblerës.» (Rutha 3:9) Sot, disa interpretues janë përpjekur t’i veshin ngjyrime seksuale veprimeve dhe fjalëve të Ruthës, por shpërfillin dy fakte të thjeshta. Së pari, Rutha po vepronte sipas zakoneve të kohës, shumë prej të cilave nuk ekzistojnë sot. Prandaj do të ishte e gabuar t’i gjykonim veprimet e saj sipas normave të ulëta morale të kohës sonë. Së dyti, Boazi iu përgjigj në një mënyrë që tregon qartë se në sytë e tij sjellja e Ruthës ishte e dëlirë dhe tejet e lavdërueshme.
Boazi foli, dhe me siguri që toni i butë e qetësues i zërit të tij e lehtësoi Ruthën. Ai tha: «Qofsh bekuar nga Jehovai, bija ime! Dashamirësinë tënde e ke shprehur më mirë këtë herë sesa herën e parë, duke mos shkuar pas të rinjve, të varfër a të pasur qofshin.» (Rutha 3:10) ‘Hera e parë’ ishte kur Rutha tregoi dashuri besnike duke e shoqëruar Naomin për në Izrael e duke u kujdesur për të. Ndërsa ‘kjo herë’ ishte pikërisht ajo që po ndodhte tani. Boazi e kuptonte se një grua e re si Rutha fare mirë mund të kishte kërkuar një bashkëshort shumë më të ri, të pasur a të varfër. Përkundrazi, ajo donte t’i bënte mirë jo vetëm Naomit, por edhe burrit që i kishte vdekur Naomit, duke mos e shuar emrin e tij në vendlindje. S’është e vështirë të kuptojmë pse Boazit i bëri përshtypje altruizmi i kësaj të reje.
Boazi vazhdoi: «Mos ki frikë, pra, bija ime. Unë do të bëj për ty gjithçka që të thuash, sepse kushdo brenda portës së popullit tim e di mirë se ti je një grua e shkëlqyer.» (Rutha 3:11) Atij i pëlqeu mundësia e martesës me Ruthën, e ndoshta nuk u habit shumë kur ajo i kërkoi të ishte riblerësi i saj. Sidoqoftë, Boazi ishte njeri i drejtë dhe s’kishte ndër mend të vepronte thjesht i nisur nga parapëlqimet e veta. Ai i tha Ruthës se ekzistonte edhe një riblerës tjetër më i afërt me familjen e burrit të vdekur të Naomit, të cilin fillimisht Boazi do ta njoftonte e t’i jepte mundësinë të bëhej bashkëshorti i Ruthës.
Boazi e nxiti Ruthën të shtrihej sërish e të çlodhej deri sa të afrohej mëngjesi. Më pas mund të largohej pa rënë në sy. Ai donte të ruante si reputacionin e saj, edhe të tijin, pasi njerëzit mund të mendonin gabimisht se mos kishte ndodhur diçka imorale mes tyre. Rutha u shtri sërish pranë këmbëve të tij, mbase më e qetë tani që Boazi i ishte përgjigjur me kaq mirëdashje kërkesës së saj. Më pas, ende pa zbardhur, Boazi ia mbushi mantelin me një dhuratë bujare elbi dhe ajo u kthye në Betlehem.
Sa duhet të jetë kënaqur Rutha tek bluante në mendje gjërat që i tha Boazi, se njihej nga të tjerët si «një grua e shkëlqyer»! S’ka dyshim se ky reputacion lidhej shumë me dëshirën e saj të zjarrtë për ta njohur e për t’i shërbyer Jehovait. Gjithashtu, ajo ishte treguar tejet mirëdashëse dhe e ndjeshme ndaj Naomit e popullit të saj; ishte përshtatur me gatishmëri me doke e zakone që sigurisht s’i njihte. Nëse imitojmë besimin e Ruthës, do të përpiqemi t’i trajtojmë me respekt të thellë të tjerët, si edhe pikëpamjet e zakonet e tyre. Po të veprojmë kështu, edhe ne do të fitojmë një reputacion të shkëlqyer.
Një vend prehjeje për Ruthën
«Ti je, bija ime?»—e pyeti Naomi kur Rutha hyri në shtëpi. Mbase pyeti ngaqë nuk shihte mirë për shkak të errësirës, por Naomi donte të dinte edhe nëse Rutha ishte ende ajo vejushë e pandashme, apo tani kishte përpara mundësinë e martesës. Pa vonesë, Rutha i tregoi vjehrrës gjithçka kishte ndodhur mes saj dhe Boazit. Gjithashtu i tregoi dhuratën bujare të elbit që Boazi i kishte dhënë për Naomin.d—Rutha 3:16, 17.
Me mençuri, Naomi e nxiti Ruthën që atë ditë të ulej e qetë në shtëpi, në vend që të dilte e të mblidhte në ara. Ajo e siguroi Ruthën: «Ai burrë nuk do të gjejë prehje pa i dhënë fund sot.»—Rutha 3:18.
Naomi kishte shumë të drejtë për Boazin. Ai shkoi te porta e qytetit, ku zakonisht takoheshin pleqtë e qytetit, dhe priti derisa të kalonte ai që ishte i afërmi më i ngushtë. Përballë dëshmitarëve, Boazi i ofroi këtij burri mundësinë që të vepronte si riblerës duke u martuar me Ruthën. Gjithsesi, ai refuzoi, duke thënë se kjo do t’i rrënonte trashëgiminë e vet. Më pas, para dëshmitarëve te porta e qytetit, Boazi tha se do të bëhej ai riblerësi duke blerë pronën e Elimelekut, burrit të vdekur të Naomit, dhe duke u martuar me Ruthën, vejushën e Mahlonit, birit të Elimelekut. Tregoi hapur se duke bërë kështu shpresonte «që emri i tij [i të vdekurit] të mbetej në trashëgimi». (Rutha 4:1-10) Boazi ishte vërtet njeri i drejtë dhe altruist.
Boazi u martua me Ruthën. Më pas lexojmë: «Jehovai lejoi që të mbetej shtatzënë, dhe ajo lindi djalë.» Gratë e Betlehemit e bekuan Naomin dhe e lëvduan Ruthën duke thënë se ishte për Naomin më e mirë se shtatë bij. Më vonë mësojmë se djali i Ruthës u bë paraardhës i mbretit të madh David. (Rutha 4:11-22) Nga ana tjetër, Davidi ishte paraardhës i Jezu Krishtit.—Mateu 1:1.e
Rutha u bekua vërtet, siç u bekua edhe Naomi që e ndihmoi të rriste fëmijën si të ishte i veti. Jeta e këtyre dy grave është një përkujtues i gjallë se Perëndia Jehova i vëren të gjithë ata që rropaten me përulësi për të siguruar të ardhurat për të vetët, dhe që i shërbejnë besnikërisht me popullin e tij të zgjedhur. Ai nuk i lë kurrë pa shpërblyer njerëzit besnikë që fitojnë një reputacion të shkëlqyer para tij, ashtu si Rutha.
a Shih artikullin «Imitoni besimin e tyre—‘Ku të shkosh ti, do të shkoj edhe unë’», në revistën Kulla e Rojës, 1 korrik 2012.
b Siç duket edhe nga fjalët e Naomit, mirëdashja e Jehovait nuk kufizohet vetëm te të gjallët, por edhe te të vdekurit. Naomi kishte humbur burrin dhe dy djemtë. Rutha kishte humbur burrin. Patjetër që të tre burrat kishin qenë shumë të shtrenjtë për këto dy gra. Çdo mirëdashje e treguar ndaj Naomit e Ruthës, në të vërtetë ishte mirëdashje ndaj burrave të tyre të vdekur, të cilët do të kishin dashur që dikush të kujdesej për këto gra të shtrenjta.
c E drejta për t’u martuar me një vejushë të tillë, me sa duket u jepej së pari vëllezërve të burrit të vdekur, pastaj të afërmve më të ngushtë meshkuj, siç ndodhte me të drejtën e trashëgimisë.—Numrat 27:5-11.
d Boazi i dha Ruthës gjashtë masa të papërcaktuara peshe, që ndoshta nënkuptonin se, ashtu si gjashtë ditët e javës pasoheshin nga një pushim sabati, edhe ditët e mundimit të Ruthës si vejushë shpejt do të pasoheshin nga ‘pushimi’ që mund t’i sillte një shtëpi dhe një bashkëshort i sigurt. Nga ana tjetër, gjashtë masat, ndoshta gjashtë lopata plot, thjesht mund të kenë qenë gjithë sa mund të mbante Rutha.
e Rutha është një nga pesë gratë që Bibla i rendit ndër paraardhëset e Jezuit. Një grua tjetër është Rahaba, e cila ishte nëna e Boazit. (Mateu 1:3, 5, 6, 16) Ashtu si Rutha, as ajo s’ishte izraelite.