Duke pritur me durim Jehovain që nga rinia ime
TREGUAR NGA RUDOLF GRAIKEN
Papritur e pakujtuar, tragjedia goditi familjen time, kur isha vetëm 12 vjeç. Në fillim, babai u fut në burg. Më pas, motrën time dhe mua na morën me forcë nga shtëpia dhe na dërguan të jetonim me të huaj. Më vonë, unë dhe nëna u arrestuam nga Gestapo. Unë shkova në burg, kurse ajo përfundoi në një kamp përqendrimi.
KJO vazhdimësi ngjarjesh shënoi vetëm fillimin e një periudhe të dhimbshme persekutimi, që vuajta në rininë time si Dëshmitar i Jehovait. Famëkeqja Gestapo naziste dhe më pas, Stasi e Gjermanisë Lindore u përpoqën të thyenin integritetin tim ndaj Perëndisë. Tani, pas 50 vjetësh shërbim të dedikuar ndaj tij, mund të them siç tha psalmisti: «Mjaft gjatë kanë treguar armiqësi ndaj meje që nga rinia ime; megjithatë nuk kanë dalë fitimtarë mbi mua.» (Psalmi 129:2, BR) Sa mirënjohës i jam Jehovait!
Linda më 2 qershor 1925, në qytetin e vogël të Lukas, afër Laipcigut, në Gjermani. Para se të lindja unë, prindërit e mi, Alfred dhe Tereza, njohën tingullin e së vërtetës biblike në botimet e Studentëve Biblikë, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Më kujtohet se çdo ditë shikoja pikturat me skena biblike, që vareshin mbi muret e shtëpisë sonë. Një pikturë tregonte ujkun dhe qengjin, kecin dhe leopardin, viçin dhe luanin, të gjithë në paqe, që drejtoheshin nga një djalë i vogël. (Isaia 11:6-9) Këto piktura lanë një mbresë të gjatë tek unë.
Sa herë që ishte e mundur, prindërit më përfshinin në aktivitetet e kongregacionit. Për shembull, në shkurt të 1933-shit, vetëm pak ditë pasi Hitleri hipi në fuqi, në qytetin tonë të vogël u shfaq «Fotodrama e krijimit» me diapozitivë, film dhe rrëfim të incizuar. Sa emocione që kisha pasi isha një djalë vetëm shtatë vjeç, që ecja nëpër qytet prapa një kamioni të vogël, si pjesë e një marshimi që lajmëronte «Fotodramën»! Në këtë rast dhe në raste të tjera, vëllezërit bënë që të ndihesha një anëtar i dobishëm i kongregacionit, pavarësisht nga mosha ime e re. Kështu, që në moshë shumë të njomë, u mësova nga Jehovai dhe u ndikova nga Fjala e tij.
I stërvitur për të besuar në Jehovain
Për shkak të asnjanësisë së rreptë të krishterë, Dëshmitarët e Jehovait nuk përziheshin në politikën naziste. Rrjedhimisht, në 1933-shin, nazistët aprovuan ligje që na ndalonin të predikonim, të mblidheshim dhe madje të lexonim literaturën tonë biblike. Në shtator të 1937-s, të gjithë vëllezërit e kongregacionit tonë, duke përfshirë edhe tim atë, u arrestuan nga Gestapo. Kjo gjë më hidhëroi shumë. Babai u dënua me pesë vjet burgim.
Për ne në shtëpi, gjërat u vështirësuan shumë. Por shpejt mësuam të besonim në Jehovain. Një ditë, kur u ktheva nga shkolla në shtëpi, mamaja po lexonte Kullën e Rojës. Ajo donte të më përgatiste një drekë të thjeshtë, kështu që e la revistën mbi një bufe të vogël. Pas drekës, tek po vinim enët nëpër vende, u dëgjua një trokitje e fortë dere. Ishte një polic, i cili donte të kontrollonte në apartamentin tonë për literaturë biblike. Unë u tmerrova.
Ishte një ditë jashtëzakonisht e nxehtë. Prandaj, si gjë të parë polici hoqi helmetën dhe e vuri atë mbi tryezë. Më pas, ai vazhdoi kontrollin. Ndërsa ishte duke parë poshtë tryezës, helmeta e tij nisi të rrokullisej. Kështu, nëna e zuri helmetën menjëherë dhe e vuri sipër bufesë, pikërisht mbi Kullën e Rojës! Polici e kontrolloi apartamentin tonë, por nuk gjeti asnjë literaturë. Natyrisht, atij nuk i shkonte mendja kurrë të shikonte nën helmetën e tij. Kur ishte gati për të ikur, i kërkoi ndjesë mbyturazi nënës, duke u zgjatur nga ana e prapme e tij për të kapur helmetën. Ç’lehtësim që ndjeva!
Përvoja si kjo më përgatitën për sprova edhe më të vështira. Për shembull, në shkollë më bënë presion që të bashkohesha me organizatën e Rinisë Hitleriane, në të cilën fëmijët stërviteshin me disiplinën ushtarake dhe brumoseshin me filozofinë naziste. Disa mësues kishin synimin personal për të arritur pjesëmarrjen 100 për qind të nxënësve. Mësuesi im, herr Shneider, duhet të jetë ndier plotësisht një dështak, pasi ndryshe nga gjithë mësuesit e tjerë të shkollës sime, për një nxënës më pak, ai nuk e plotësonte pjesëmarrjen 100 për qind. Ky nxënës isha unë.
Një ditë, herr Shneider njoftoi tërë klasën: «Djema, nesër do të shkojmë si klasë për shëtitje.» Kjo ide u pëlqeu të gjithëve. Më pas, ai shtoi: «Që të gjithë duhet të vishni uniformat tuaja të Rinisë Hitleriane, me qëllim që kur të marshojmë nëpër rrugë, të gjithë të mund të shohin se ju jeni djem të sjellshëm hitlerianë.» Mëngjesin tjetër, të gjithë djemtë përveç meje u dukën me uniformat e tyre. Mësuesi më thirri përpara klasës dhe më pyeti: «Pa shikoji djemtë e tjerë e më pas, shiko veten.» Ai shtoi: «E di se prindërit e tu janë të varfër dhe nuk mund t’i përballojnë shpenzimet për të të blerë një uniformë, por eja të të tregoj diçka.» Ai më çoi tek tryeza e tij, hapi një sirtar dhe më tha: «Dua të të jap këtë uniformë fringo të re. A nuk është e bukur?»
Më mirë të vdisja, sesa të vishja një uniformë naziste. Kur mësuesi pa se nuk kisha ndër mend ta vishja, u inatos dhe e gjithë klasa nisi të më tallte. Më pas, ai na nxori shëtitje, por u përpoq të më fshihte, duke më bërë të ecja në mes të të gjithë djemve të tjerë me uniforma. Megjithatë, shumë njerëz në qytet mund të shihnin se unë bija në sy mes shokëve të klasës. Të gjithë e dinin se prindërit e mi dhe unë ishim Dëshmitarë të Jehovait. I jam mirënjohës Jehovait që më dha forcën e nevojshme frymore, kur isha i ri.
Persekutimi intensifikohet
Një ditë, në fillim të vitit 1938, motrën dhe mua na morën nga shkolla dhe na çuan me një makinë policie në një shkollë riformimi, në Stadtroda, rreth 80 km larg. Përse? Gjykata kishte vendosur të na largonte nga ndikimi i prindërve tanë dhe të na kthente në fëmijë nazistë. Shpejt, personeli i ngarkuar për riformimin vuri re se motra dhe unë ishim të respektueshëm dhe të bindur, megjithëse të vendosur në asnjanësinë tonë të krishterë. Drejtorit i kishte bërë kaq shumë përshtypje, saqë donte ta takonte nënën personalisht. U bë një përjashtim dhe u lejua që mamaja të na vizitonte. Motra, nëna dhe unë ishim shumë të lumtur dhe mirënjohës ndaj Jehovait, që na dha mundësinë të ishim së bashku për inkurajim reciprok për një ditë të tërë. Kishim vërtet nevojë për të.
Qëndruam në shkollën e riformimit për rreth katër muaj. Më pas, na dërguan të jetonim me një familje në Pana. Ata ishin udhëzuar të na mbanin larg nga të afërmit. Mamaja nuk lejohej as të na vizitonte. Megjithatë, në pak raste ajo gjeti një mënyrë për t’u lidhur me ne. Duke shfrytëzuar ato raste të rralla, nëna bënte sa mundej që të nguliste tek ne vendosmërinë për të qëndruar besimplotë ndaj Jehovait, në çfarëdolloj sprove apo rrethane që ai do të lejonte.—1. Korintasve 10:13.
Dhe sprovat erdhën. Më 15 dhjetor 1942, kur unë isha vetëm 17 vjeç, u kapa nga Gestapo dhe u futa në një qendër mbajtjeje, në Gera. Gati një javë më vonë, edhe nëna ishte arrestuar dhe u bashkuam në të njëjtin burg. Përderisa isha akoma një minoren, gjyqtarët nuk mund të më merrnin në proces gjyqësor. Kështu, nëna dhe unë kaluam gjashtë muaj në këtë qendër, ndërsa gjyqtarët prisnin 18 vjetorin tim. Pikërisht ditën që mbusha 18 vjeç, mua dhe nënën na nxorën në gjyq.
Përpara se të kuptoja se ç’po ndodhte, procesi kishte mbaruar. Sigurisht që nuk e kuptova se nënën nuk do ta shihja më. Kujtimi im i fundit për të, ishte kur e pashë të ulur në gjyq në një stol të errët të drunjtë fare pranë meje. Që të dy u shpallëm fajtorë. Unë u dënova me katër vjet burg, kurse nëna me një vit e gjysmë.
Ato ditë, nëpër burgje dhe kampe mbaheshin mijëra Dëshmitarë të Jehovait. Por mua më dërguan në një burg në Stolberg, ku isha i vetmi Dëshmitar. Kalova mbi një vit në izolim, megjithatë Jehovai ishte me mua. Dashuria që kisha kultivuar për të në rini, qe çelësi i mbijetesës sime frymore.
Më 9 maj 1945, pas dy vjet e gjysmë burgim, të gjithë ne që ishim të burgosur, morëm një lajm të mirë: lufta kishte mbaruar! Atë ditë u lirova. Pasi eca 110 km, mbërrita në shtëpi njëmend i sëmurë nga rraskapitja dhe urija. M’u deshën disa muaj për të rifituar shëndetin.
Sapo mbërrita, u godita nga shumë lajme dëshpëruese. Së pari, për nënën. Pasi kishte qenë një vit e gjysmë në burg, nazistët i kishin kërkuar të nënshkruante një dokument, me të cilin ajo hiqte dorë nga besimi në Jehovain. Ajo nuk kishte pranuar. Kështu, Gestapo e kishte dërguar në një kamp përqendrimi për gra, në Ravensbruk. Atje, ajo kishte vdekur nga tifoja, pak para përfundimit të luftës. Ajo ishte një e krishterë shumë e guximshme, një luftëtare e paepur, e cila nuk u dorëzua kurrë. Jehovai e kujtoftë atë me dashamirësi!
Kishte të reja edhe për vëllanë tim më të madh, Vernerin, i cili nuk iu dedikua kurrë Jehovait. Ai ishte bashkuar me ushtrinë gjermane dhe ishte vrarë në Rusi. Po babai? Ai u kthye në shtëpi, por mjerisht, ishte një ndër shumë pak Dëshmitarët që kishin nënshkruar atë dokument famëkeq, për të hequr dorë nga besimi i tyre. Kur e pashë, ai dukej vrer dhe mendërisht i turbulluar.—2. Pjetrit 2:20.
Një periudhë e shkurtër e aktivitetit të zellshëm frymor
Më 10 mars 1946, mora pjesë në asamblenë time të parë të pasluftës, në Laipcig. Sa u emocionova kur u njoftua se po atë ditë do të bëhej një pagëzim! Megjithëse ia kisha dedikuar jetën time Jehovait shumë vjet më parë, ky ishte rasti im i parë për t’u pagëzuar. Kurrë s’do ta harroj atë ditë.
Më 1 mars 1947, pasi kisha shërbyer si pionier për një muaj, më ftuan në Bethel, në Magdeburg. Zyrat e Shoqatës ishin krejtësisht të dëmtuara nga bombardimet. Ç’privilegj ishte për mua të ndihmoja në punën e riparimit! Pas asaj vere, u caktova si pionier special në qytetin e Vitenbergut. Disa muaj harxhoja më shumë se 200 orë, duke u predikuar të tjerëve lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Ç’gëzim që isha përsëri i lirë: pa luftë, pa persekutim, pa burgje!
Me keqardhje, ajo liri nuk zgjati shumë. Pas luftës, Gjermania u nda dhe zona ku jetoja unë ra nën kontrollin e komunistëve. Në shtator të 1950-s, policia sekrete e Gjermanisë Lindore, e njohur si Stasi, filloi t’i arrestonte vëllezërit sistematikisht. Akuzat kundër meje ishin absurde. Akuzohesha se isha spiun i qeverisë amerikane. Më dërguan në burgun Stasi më të keq të vendit, në Brandenburg.
Mbështetje nga vëllezërit e mi frymorë
Atje, Stasi nuk më linte të vija gjumë në sy gjatë ditës. Pastaj, më merrnin në pyetje gjithë natën e natës. Pasi iu nënshtrova kësaj torture për pak ditë, gjërat vajtën keq e më keq. Një mëngjes, në vend që të më kthenin në qelinë time, më çuan në një nga dhomat e tyre famëkeqe U-Boot Zellen (të njohura si qeli të nënujshme, pasi ndodheshin thellë në një qilar). Ata hapën një derë të vjetër e të ndryshkur hekuri dhe më thanë të hyja brenda. Duhej të kaloja një prag të lartë. Kur hodha këmbën brenda, e kuptova se dyshemeja ishte e mbuluar e tëra me ujë. Dera u përplas e u mbyll me një piskamë të frikshme. S’kishte as dritë, as dritare. Ishte sterrë e errët.
Meqenëse thellësia e ujit ishte disa centimetra mbi dysheme, nuk mund të ulesha, të shtrihesha apo të flija. Pasi prita aq gjatë, sa m’u duk minuti shekull, më morën përsëri për pyetje të tjera nën drita të fuqishme. Nuk e dija se ç’ishte më keq: të qëndroja në ujë gjithë ditën e ditës në errësirë gati të plotë apo të duroja ndriçimin e dhimbshëm të vërshimit të dritave të drejtuara drejt e tek unë gjithë natën e natës.
Në disa raste ata më kërcënuan se do të më pushkatonin. Pas disa netësh i marrë në pyetje, një mëngjes pata një vizitë nga një oficer i lartë ushtarak rus. Kisha mundësi t’i thoja atij se Stasi gjerman po më trajtonte më keq se Gestapoja naziste. I thashë se Dëshmitarët e Jehovait ishin asnjanës nën qeverinë naziste dhe ishin, gjithashtu, asnjanës nën qeverinë komuniste dhe se ne nuk përzihemi në politikë kudo në botë. Përkundrazi, thashë unë, shumë prej atyre që tani ishin oficerë Stasi kanë qenë anëtarë të organizatës së Rinisë Hitleriane, ku ka të ngjarë që të kenë mësuar se si të persekutojnë brutalisht njerëz të pafajshëm. Tek flisja, trupi më dridhej nga të ftohtët, urija dhe rraskapitja.
Për çudi, oficeri rus nuk u inatos me mua. Përkundrazi, më hodhi sipër një batanije dhe më trajtoi me përzemërsi. Pak pas vizitës së tij, u ktheva në një qeli më të mirë. Pak ditë më pas, më dorëzuan tek gjykatësit gjermanë. Ndërsa çështja ime ishte pezull, gëzova privilegjin e shkëlqyer për të qenë në qeli me pesë Dëshmitarë të tjerë. Pas përballimit të një trajtimi shumë mizor, sa freskuese ishte të gjendesha në shoqërinë e vëllezërve të mi frymorë!—Psalmi 133:1.
Në gjyq u shpalla fajtor për spiunazh dhe u dënova me katër vjet burg. Ky konsiderohej një dënim i ulët. Disa nga vëllezërit u dënuan me më shumë se dhjetë vjet. Mua më dërguan në një burg të sigurisë më të lartë. Mendoj se edhe miu nuk mund të zvarritej brenda apo jashtë atij burgu; kaq e rreptë ishte siguria. Megjithatë, me ndihmën e Jehovait, disa vëllezër të guximshëm qenë në gjendje të futnin një Bibël të plotë. Ajo u mor mënjanë, u nda në libra individualë dhe u qarkullua tek vëllezërit që ishin të burgosur.
Si e qarkullonim? Ishte shumë e vështirë. Koha e vetme, në të cilën ne kontaktonim me njëri-tjetrin ishte kur na çonin në dush çdo dy javë. Në një rast, kur po bëja dushin, një vëlla më pëshpëriti në vesh se kishte fshehur disa faqe të Biblës në peshqirin e tij. Pas dushit, në vend se të kapja peshqirin tim, kapa të tijin.
Një nga rojet e pa vëllanë duke më pëshpëritur në vesh dhe e goditi shumë keq me një shkop polici. Duhej të kapja shpejt peshqirin e të përzihesha me të burgosurit e tjerë. Lumturisht, nuk u kapa me faqet e Biblës. Përndryshe programi ynë i të ushqyerit frymësisht do të kishte qenë në rrezik. Përvoja të tilla të ngjashme kaluam shumë. Leximi i Biblës nga ana jonë bëhej gjithnjë në fshehtësi dhe në rrezik të madh. Fjalët e apostullit Pjetër «tregohuni të kujdesshëm, jini vigjilentë», ishin vërtet shumë të përshtatshme.—1. Pjetrit 5:8, BR.
Për ndonjë arsye, autoritetet vendosën të transferonin vazhdimisht disa prej nesh nga një burg në tjetrin. Gjatë një periudhe prej katër vjetësh, unë u transferova në rreth dhjetë burgje të ndryshëm. Megjithatë, gjithmonë kisha mundësi të gjeja vëllezër. I doja shumë të gjithë këta vëllezër dhe sa herë që transferohesha i lija me hidhërim të madh në zemër.
Përfundimisht më dërguan në Laipcig dhe atje më liruan nga burgu. Roja e burgut që më la të lirë, nuk më tha mirupafshim, por «së shpejti do të shihemi prapë». Mendja e tij e ligë donte që të më kthente përsëri në hekura. Shpesh mendoja Psalmin 124:2, 3, ku thuhet: «Nëse Jehovai s’do të kishte treguar se ishte me ne, kur njerëzit ngriheshin kundër nesh, do të na kishin gëlltitur madje të gjallë, kur zemërimi i tyre digjej kundër nesh.»
Jehovai çliron shërbëtorët e tij besnikë
Tani, isha përsëri i lirë. Motra ime binjake, Rutha, dhe motër Herta Shlenzog, ishin duke më pritur tek porta. Gjatë gjithë këtyre viteve burgim, Herta më dërgonte çdo muaj një pako të vogël me ushqime. Besoj vërtet se pa këto pako të vogla, do të kisha vdekur në burg. Jehovai e kujtoftë atë me dashamirësi!
Që nga koha e lirimit, Jehovai më ka bekuar me shumë privilegje shërbimi. Shërbeva sërish si pionier special, në Gronau të Gjermanisë dhe si mbikëqyrës qarkor në Alpet gjermane. Më vonë, më ftuan të regjistrohesha në klasën e 31-të të Galaadit (Watchtower Bible School) për misionarë. Diplomimi ynë u bë në Stadiumin Janki gjatë asamblesë ndërkombëtare të Dëshmitarëve të Jehovait, në 1958-n. Unë pata privilegjin t’i drejtohesha grumbullit të madh të vëllezërve e motrave dhe të tregoja disa nga përvojat e mia.
Pas diplomimit udhëtova për në Kili, për të shërbyer si misionar. Atje, shërbeva rishtas si mbikëqyrës qarkor në pjesën më jugore të Kilit; më kishin dërguar njëmend në skaje të tokës. Në 1962-shin, u martova me Patsi Boitnagel, një misionare e hijshme nga San Antonio i Teksasit, në SHBA. Kalova vite shumë të mrekullueshme shërbimi ndaj Jehovait me të përkrah meje.
Në më shumë se 70 vjetët e jetës sime, kam përjetuar shumë momente të lumtura dhe shumë gjëma. Psalmisti tha: «Të shumta janë gjëmat e të drejtit, por Jehovai e çliron nga të gjitha ato.» (Psalmi 34:19, BR) Në 1963-shin, ndërkohë që ishim akoma në Kili, Patsi dhe unë përjetuam vdekjen tragjike të vajzës sonë të vogël. Më vonë, Patsi u sëmur rëndë dhe ne u transferuam në Teksas. Kur kishte mbushur vetëm 43 vjeç, edhe ajo vdiq nën rrethana tragjike. Lutem shpesh që Jehovai ta kujtojë me dashamirësi gruan time të hijshme.
Tani, edhe pse i sëmurë dhe i moshuar, gëzoj privilegjin për të shërbyer si pionier i rregullt dhe plak në Bradi Teksas. Vërtet, jeta nuk ka qenë gjithmonë e lehtë dhe mund të ketë sprova të tjera që ende duhet të përballoj. Megjithatë, ashtu si psalmisti, unë mund të them: «O Perëndi, ti më ke mësuar që nga rinia ime dhe deri tani unë vazhdoj të flas për veprat e tua të mrekullueshme.»—Psalmi 71:17, BR.
[Figurat në faqen 23]
(1) Duke shërbyer tani si plak dhe pionier (2) me Patsin, pikërisht para martesës (3) në klasën e Herr Shneiderit, (4) nëna, Tereza, e cila vdiq në Ravensbruk