TEMA KRYESORE | A DO TA PRANOSH DHURATËN MË TË MADHE TË PERËNDISË?
Dhurata më e madhe e Perëndisë—Pse kaq e çmuar?
Çfarë e bën të çmuar në sytë e tu një dhuratë? Kjo mund të përcaktohet nga katër faktorë: (1) kush ta dhuroi, (2) pse ta dhuroi, (3) çfarë u sakrifikua që dhurata të bëhej e mundur dhe (4) a plotësoi një nevojë reale. Po të mendojmë për këta faktorë, mund të na thellohet çmueshmëria për shpërblesën, dhuratën më të madhe të Perëndisë.
KUSH E DHUROI?
Disa dhurata janë të çmuara, se na i ka dhënë dikush me autoritet ose dikush që e vlerësojmë shumë. Të tjera, ndonëse pa ndonjë vlerë të madhe monetare, i mbajmë me kujdes sepse na i ka dhënë ndonjë familjar i dashur a mik i besuar. E tillë ishte dhurata që Rasëlli i dha Xhordanit, i përmendur në artikullin e mëparshëm. Ç’të themi për dhuratën e shpërblesës?
Së pari, Bibla thotë se ‘Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindur në botë, që ne të fitonim jetën nëpërmjet tij’. (1 Gjonit 4:9) Ky fakt e bën këtë dhuratë vërtet të çmuar. Askush nuk ka më tepër autoritet se Zoti. Për të, një psalmist hebre shkroi: «Vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në tërë dheun.» (Psalmi 83:18) S’mund të marrim dhuratë nga ndonjë person më i rëndësishëm.
Së dyti, Zoti është «Ati ynë». (Isaia 63:16) Pse e themi këtë? Sepse ai na dha jetën. Për më tepër, kujdeset me besnikëri për ne ashtu si një baba i përkushtuar kujdeset për fëmijët e tij. Duke iu referuar popullit të tij me emrin Efraim, Perëndia pyeti: «A [nuk] është Efraimi për mua një bir i çmuar apo një djalë që e kam për zemër? . . . Patjetër do të më vijë keq për të.» (Jeremia 31:20) Perëndia ndihet po njësoj për adhuruesit e tij sot. Ai është jo vetëm Krijuesi ynë i plotfuqishëm, por edhe Ati e Miku ynë besnik. A nuk e bën kjo tepër të çmuar çdo dhuratë që vjen prej tij?
PSE E DHUROI?
Disa dhurata janë të çmuara ngaqë nuk bëhen nga detyrimi, por nga dashuria e vërtetë. Një dhënës vërtet altruist nuk pret asgjë në këmbim për mirësinë e tij.
Zoti e dha Birin e tij për ne sepse na deshi. Bibla thotë: «Perëndia e shfaqi dashurinë e tij ndaj nesh, duke dërguar Birin e tij të vetëmlindur.» Me ç’qëllim? «Që ne të fitonim jetën nëpërmjet tij.» (1 Gjonit 4:9) A ishte i detyruar Perëndia ta bënte këtë? Aspak! ‘Shpërblesa që pagoi Krishti Jezu’, është shprehje e ‘dashamirësisë së pamerituar’ të Perëndisë.—Romakëve 3:24.
Pse dhurata e Perëndisë është shenjë e ‘dashamirësisë së pamerituar’? Bibla shpjegon: «Perëndia na e shfaq dashurinë e vet në atë që, kur ishim akoma mëkatarë, Krishti vdiq për ne.» (Romakëve 5:8) Dashuria altruiste e shtyu Perëndinë të vepronte në të mirë të njerëzve të dobët, të pambrojtur dhe mëkatarë. Nuk e meritonim këtë dashuri dhe s’ia shpërblejmë dot kurrë. Dhurata e tij është shprehja më e madhe e dashurisë në historinë njerëzore.
ÇFARË U SAKRIFIKUA?
Disa dhurata janë të çmuara ngaqë dhënësi ka sakrifikuar jashtë mase. Kur dikush heq dorë me dëshirë nga diçka që çmon shumë dhe na e jep neve, e vlerësojmë pa masë për shkak të sakrificës.
Perëndia «dha Birin e tij të vetëmlindur». (Gjoni 3:16) S’mund të na kishte dhënë gjë më të shtrenjtë! Gjatë epokave që Perëndia krijoi universin, Jezui punoi përkrah tij dhe u bë ‘ai që Perëndia e kishte veçanërisht për zemër’. (Proverbat 8:30) Ai është Biri i dashur i Perëndisë dhe «shëmbëlltyra e Perëndisë së padukshëm». (Kolosianëve 1:13-15) As që mund ta imagjinojmë lidhjen e ngushtë mes Perëndisë dhe Jezuit!
E prapëseprapë, Perëndia «nuk kurseu as Birin e vet». (Romakëve 8:32) Jehovai na dha më të mirën që kishte. Asnjë dhuratë nuk i ka kushtuar kaq shumë.
PLOTËSON NJË NEVOJË JETIKE
Disa dhurata janë të vyera sepse plotësojnë një nevojë reale, madje urgjente. Për shembull, sa mirënjohës do t’i ishe dikujt që me dëshirë të blen një ilaç jetëshpëtues që s’e paguaje dot. Do të ishte vërtet një dhuratë e paçmueshme, apo jo?
«Ashtu si në Adamin të gjithë po vdesin, po kështu në Krishtin të gjithë do të ngjallen.» (1 Korintasve 15:22) Si pasardhës të Adamit, të gjithë ‘po vdesim’ dhe s’mund t’u shpëtojmë thumbave të sëmundjes e të vdekjes e as të pajtohemi me Perëndinë e të jemi pa faj para tij. Dhe, si njerëz të pafuqishëm, nuk mund ‘të ngjallim’ as veten e as ndonjë tjetër. Bibla thekson: «Asnjëri prej tyre nuk e shpengon dot kurrsesi qoftë edhe të vëllanë, as i jep dot Perëndisë një shpërblesë për të, (çmimi i shpengimit për shpirtin e tyre është aq i lartë, sa mbetet përgjithmonë i papaguar).» (Psalmi 49:7, 8) Kemi tmerrësisht nevojë për ndihmë, sepse nuk e paguajmë dot çmimin e shpërblesës. Vetëm me forcat tona, do të ishim të pashpresë.
Nga dashuria e madhe, Jehovai me dëshirë pagoi «ilaçin» e nevojshëm jetëshpëtues, që me anë të Jezuit ‘të gjithë të ngjallen’. Si arrihet kjo me anë të shpërblesës? «Gjaku i Jezuit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat.» Vërtet, besimi te gjaku i derdhur i Jezuit hap udhën drejt faljes së mëkateve dhe jetës së përhershme. (1 Gjonit 1:7; 5:13) Po njerëzit e dashur që na kanë vdekur, si do të nxjerrin dobi nga shpërblesa? «Meqë vdekja erdhi nëpërmjet një njeriu, edhe ringjallja e të vdekurve erdhi nëpërmjet një njeriu [Jezuit].»—1 Korintasve 15:21.a
Asnjë dhuratë nuk është ofruar nga një person kaq i rëndësishëm dhe nuk është motivuar nga një dashuri kaq e madhe sa flijimi i Jezuit. Askush s’na ka dhënë kaq shumë nga vetja sa Perëndia Jehova. Dhe asnjë dhuratë nuk plotëson nevojën më të madhe sesa flijimi që na çliron nga mëkati dhe vdekja. Sigurisht, s’ka dhuratë që mund t’i afrohet vlerës së pallogaritshme të shpërblesës.
a Për më shumë informacion për qëllimin e Zotit për të ringjallur të vdekurit, shih kapitullin 7 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait dhe që disponohet në www.jw.org.