KAPITULLI 15
S’i t’i rezistoj presionit të shoqërisë?
«Në shkollë gjendesh para shumë tundimeve: duhani, droga, seksi. E di se ato që kërkojnë shokët janë budallallëqe, por vjen një pikë kur mendon se s’mund të tregohesh zemërpulë.»—Eva.
DËSHIRA që të jesh i pranuar nga të tjerët është krejt normale dhe presioni i shokëve përfiton nga kjo. Për shembull, nëse je rritur si i krishterë, e ke të qartë se seksi para martese dhe abuzimi me alkoolin janë gjëra të gabuara. (Galatasve 5:19-21) Megjithatë, shumë nga shokët të nxitin të bësh si ata. Kjo nuk vjen ngaqë kanë menduar mirë për këto gjëra dhe kanë vendosur ç’do të bëjnë, pasi në përgjithësi, edhe ata vetë ndikohen nga të tjerët. Duan që të tjerët t’i pranojnë, ndaj i lejojnë që t’u modelojnë bindjet. A bën edhe ti kështu? Apo, ke guximin t’i mbrosh bindjet e tua?
Vëllai i Moisiut, Aaroni, të paktën një herë u dorëzua para presionit të të tjerëve. Kur e pa veten të rrethuar nga izraelitët që i kërkonin t’u bënte një perëndi, ai u dorëzua. (Dalja 32:1-4) Merre me mend, Aaroni ishte ai që doli ballë për ballë faraonit dhe i shpalli me guxim mesazhin e Perëndisë. (Dalja 7:1, 2, 16) Mirëpo, kur vëllezërit e tij izraelitë i bënë presion, ai s’pati forcë të kundërshtonte. Me sa duket, e pati më të lehtë t’i bënte ballë mbretit të Egjiptit, sesa presionit të bashkëkombësve të tij!
A të duket edhe ty e vështirë t’i bësh ballë presionit të shokëve për të shkelur atë që është e drejtë? A do të doje t’i rezistoje presionit të tyre pa u dukur i trembur dhe i tensionuar? Mund ta bësh. Çelësi është të parashikosh situatën dhe të vendosësh që më përpara si do të përgjigjesh. Për këtë do të të ndihmojnë katër hapat e mëposhtëm.
1. Parashiko. (Proverbat 22:3) Shpesh, mund ta nuhasësh një problem. Për shembull, sheh disa shokë klase që po vijnë drejt teje me cigare në dorë. Sa mundësi ka që të të zgjatin një? Kur e parashikon problemin, je i përgatitur për ta shmangur ose për ta përballuar.
2. Mendo. (Hebrenjve 5:14) Pyet veten: «Si do të ndihem më pas, nëse bëj si të tjerët?» Është e vërtetë se për pak kohë shokët do të të kenë me sy të mirë. Por, si do të ndihesh më vonë kur të jesh me prindërit ose me të krishterët e tjerë? A ia vlen të sakrifikosh emrin e mirë para Perëndisë për t’u bërë qejfin shokëve?
3. Vendos. (Ligji i përtërirë 30:19) Herët a vonë, të gjithë shërbëtorët e Perëndisë duhet të zgjedhin nëse duan të jenë besnikë dhe të korrin bekime apo të mos jenë dhe të korrin pasoja të hidhura. Burra si Jozefi, Jobi dhe Jezui bënë zgjedhjen e duhur, kurse Kaini, Esau dhe Juda bënë të kundërtën. Tani e ke radhën ti. Çfarë do të bësh?
4. Vepro. Mbase mendon se kjo është më e vështira. Por në të vërtetë nuk është. Nëse ke menduar për pasojat dhe e ke vendosur ç’do të bësh, s’e merr dot me mend sa e lehtë është të shprehësh qëndrimin tënd. Kjo sjell vërtet dobi. (Proverbat 15:23) Mos u vër në siklet, kjo s’do të thotë se duhet t’u mbash shokëve leksion nga Bibla. Mjafton një jo e vendosur. Ose, që ta bësh të qartë qëndrimin tënd të pakthyeshëm, mund të thuash:
«Mua mos më llogarit!»
«S’merrem me këto gjëra!»
«Akoma s’më ke njohur?!»
E rëndësishme është të përgjigjesh aty për aty e me bindje, dhe do të habitesh sa shpejt do të tërhiqen! Po nëse të tallin? Po sikur të thonë: «S’ta mban, ë?!» Këtë lloj talljeje, merre për atë që është—presion nga shokët dhe kaq. Si të përgjigjesh? Ke të paktën tri mundësi.
● Mund ta pranosh. («Po, ashtu është, s’ma mban.» Pastaj trego shkurtimisht arsyen.)
● Mund të shmangesh me lezet duke shprehur qëndrimin tënd pa debatuar.
● Mund ta vësh edhe ti nën presion. Trego arsyen pse nuk pranon dhe pastaj bëje t’i thërrasë mendjes. («Të dija më të zgjuar!»)
Nëse shokët vazhdojnë të të tallin, largohu! Sa më shumë të rrish, aq më i madh do të bëhet presioni. Edhe nëse të duhet të largohesh, mos harro: situatën e kishe në dorë ti. Ishe ti që nuk i lejove shokët të të futnin në kallëpin e tyre.
Disa mund të të vënë në lojë e të thonë se s’po mendon për veten. Por, faktikisht po e bën! Jehovai do që ta vërtetosh vetë se është më mirë të bësh vullnetin e tij. (Romakëve 12:2) Ndaj, pse të jesh kukull në duart e shokëve? (Romakëve 6:16) Mbroje atë që e di se është e drejtë!
Kuptohet që s’i fshihesh dot presionit të shokëve. Por ti e ke të qartë çfarë do, ndaj shprehe qëndrimin tënd dhe merre situatën në dorë. Në fund, zgjedhja të përket ty.—Josiu 24:15.
LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLL. 1, KAP. 9
A bën një jetë të dyfishtë? A do të ishte katastrofë po ta merrnin vesh prindërit?
SHKRIMI KYÇ
«Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.»—Proverbat 13:20.
KËSHILLË
Që të kesh më shumë guxim, lexo nëpër botime përvojat e shërbëtorëve të Jehovait në ditët e sotme, që i kanë rezistuar presionit dhe kanë bërë atë që është e drejtë.
A E DIJE . . . ?
Një vit pas shkollës, vetëm me pak nga shokët e klasës do të mbash njëfarë lidhjeje. Shumica mbase s’do të të kujtojnë as emrin. Kurse familja dhe, mbi të gjitha, Perëndia Jehova do të interesohen gjithmonë për ty.—Psalmi 37:23-25.
HAPAT QË DUA TË BËJ . . .
Mund të përgatitem t’i rezistoj presionit të shokëve duke ․․․․․
Nëse shokët më bëjnë presion të bëj ndonjë gjë të gabuar, do të ․․․․․
Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․
ÇFARË MENDON?
● Në cilat situata mund të jenë të dobishëm për ty katër hapat e renditur në këtë kapitull?
● Çfarë mund të ndodhë nëse dorëzohesh para presionit të shokëve?
● Cilat janë disa mënyra se si mund t’i rezistosh presionit të shokëve?
[Diçitura në faqen 131]
«Shumë nga shokët e shkollës e dinë që jam Dëshmitar dhe më respektojnë. Nëse duan të flasin për gjëra të pista, më thonë: ‘Mikel, kemi ca muhabete, ndaj nëse ke për të ikur, ik.’»—Mikeli
[Tabela në faqet 132, 133]
Fletë pune
Kur shokët të bëjnë presion
Shembull
1 Parashiko
Për çfarë më tundojnë? Për të pirë duhan.
Ku mund të gjendem para këtij tundimi? Në korridorin e shkollës.
2 Mendo
Çfarë do të ndodhë nëse dorëzohem?
Do t’i sjell pakënaqësi Jehovait dhe prindërve. Do të më brejë ndërgjegjja. Do ta kem më të vështirë të them jo herë tjetër.
Çfarë do të ndodhë nëse rezistoj?
Mund të më tallin ose të më vënë nofka. Disa nga shokët mund të më bëjnë bisht. Por do të gëzoj Jehovain dhe do të bëhem më i fortë si njeri.
3 Vendos
Nëse dorëzohem, është sepse
nuk jam përgatitur mirë për t’i rezistuar presionit të shokëve. Për mua ka më shumë rëndësi pëlqimi i shokëve se pëlqimi i Jehovait.
Do të rezistoj sepse
e di që nuk i pëlqen Jehovait dhe se dëmton shëndetin.
4 Vepro
Do të
them jo dhe do të largohem.
Talljet e shokëve
Nëse një shok thotë: «S’bëhet gjë për një cigare. Apo s’ta mban?»
Mund t’i përgjigjem presionit të shokut
Duke e pranuar
«Ashtu është. Me duhanin s’ma mban. S’dua të më bëhet ndonjë kancer në mushkëri.»
Duke e shmangur me lezet
«Mos e ço dëm cigaren me mua.»
Duke e kundërshtuar
«Faleminderit, por nuk e pi. Të dija më të zgjuar.»
VËR RE: Largohu sa më shpejt, nëse shokët vazhdojnë të të bëjnë presion. Sa më shumë të rrish, aq më shumë rrezikon të dorëzohesh para presionit. Tani mbush fletën tënde në faqen tjetër.
Kur shokët të bëjnë presion
Kopja ime!
1 Parashiko
Për çfarë më tundojnë?
Ku mund të gjendem para këtij tundimi?
2 Mendo
Çfarë do të ndodhë nëse dorëzohem?
․․․․․
Çfarë do të ndodhë nëse rezistoj?
․․․․․
3 Vendos
Nëse dorëzohem, është sepse . . .
․․․․․
Do të rezistoj sepse . . .
․․․․․
4 Vepro
․․․․․
Do të . . .
․․․․․
Talljet e shokëve
Nëse një shok thotë: ․․․․․
Mund t’i përgjigjem presionit të shokut
Duke e pranuar
․․․․․
Duke e shmangur me lezet
․․․․․
Duke e kundërshtuar
․․․․․
Praktikoji përgjigjet me njërin nga prindërit ose me një shok të pjekur.
[Figura në faqen 135]
Nëse dorëzohesh para presionit të shokëve, bëhesh kukull në duart e tyre