NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE
Si të flasësh me adoleshentin për sexting?
VËSHTIRËSIA
Ke dëgjuar që sexting është përhapur shumë ndër të rinjtë. Mbase pyet veten: «Po fëmija im, a do ta bënte një gjë të tillë?»
Ti dëshiron të bisedosh me fëmijën për këtë temë, por si? Para se të përgjigjesh, lexo pse disa të rinj janë përfshirë në sexting dhe pse duhet të merakosesh.a
PSE NDODH?
Disa adoleshentë dërgojnë mesazhe me natyrë të hapur seksuale për të flirtuar me dikë që u pëlqen.
Në raste të tjera, një vajzë dërgon fotografi të saj ku është e zhveshur sepse një djalë i bën presion për këtë.
Ndonjëherë, një djalë ua dërgon shumë vetave këto lloj fotografish për të bërë gallatë me shokët ose për t’u hakmarrë ndaj vajzës me të cilën është ndarë.
Sido që të jetë, një adoleshent i pajisur me celular mund të hyjë në shumë telashe. Libri CyberSafe thotë: «Jeta ndryshon përgjithmonë vetëm me një të shtypur të butonit.»
Shumë njerëz nuk arrijnë të kuptojnë se, kur një fotografi postohet në Internet, ai që e dërgon nuk e ka më në dorë si do të përdoret. Në një rast, një artikull i Zyrës Federale të Hetimeve në SHBA (FBI) thoshte se një 18-vjeçare «vrau veten pasi fotografia e saj nudo që i dërgoi të dashurit me celular, iu dërgua edhe qindra adoleshentëve të tjerë në shkollën e saj. Nxënësit e tjerë, që me sa duket vazhdonin ta dërgonin fotografinë, thuhet se e ngacmonin».
Sexting ka krijuar edhe probleme ligjore. Për shembull, në disa vende, rastet kur një i mitur u ka dërguar të miturve të tjerë foto me natyrë të hapur seksuale, janë trajtuar si vepra penale me akuzën e pornografisë me fëmijë dhe është kërkuar që të futen në listën e kriminelëve seksualë. Si prind, edhe ti mund të quhesh përgjegjës nëse emri yt është në kontratën e celularit ose nëse nuk arrin të marrësh masa parandaluese që fëmija të mos përfshihet në sexting.
ÇFARË MUND TË BËSH?
Vër rregulla të qarta. Megjithëse nuk mund të kontrollosh çdo gjë që bën fëmija me celularin, mund të sigurohesh që të njohë rregullat që ke vënë ti dhe pasojat e thyerjes së tyre. Mos harro edhe se, si prind, ke të drejtën të mbikëqyrësh se për çfarë e përdor celularin.—Parimi biblik: Efesianëve 6:1.
Ndihmoje adoleshentin të arsyetojë. Mund t’i thuash: «Ka mendime të ndryshme për sexting. Po për mendimin tënd, çfarë është?» «Ç’lloj fotografish mendon se janë të papërshtatshme?» «Në disa vende, ligji e konsideron një krim nëse një i mitur dërgon një fotografi nudo të një të mituri tjetër. Po ti, a mendon se është vërtet krim?» «Pse do të ishte moralisht i gabuar sexting?» Dëgjoji me kujdes arsyetimet e tij dhe ndihmoje adoleshentin të mendojë për pasojat e mesazheve sexting.—Parimi biblik: Hebrenjve 5:14.
Mendo për pasojat e mesazheve sexting
Supozo rrethana të ndryshme. Mund t’i thuash vajzës: «E zëmë se një djalë i bën presion një vajze që t’i dërgojë mesazhe sexting. Çfarë duhet të bëjë ajo? Të dorëzohet që të mos humbasë miqësinë me të? Të mos pranojë, por prapëseprapë të flirtojë me të? T’i japë fund lidhjes me të? T’i tregojë një të rrituri?» Ndihmoje vajzën të arsyetojë. Kuptohet, të njëjtën metodë mund të përdorësh edhe me djalin.—Parimi biblik: Galatasve 6:7.
Bëji thirrje ndjenjave të tij të mirësisë. Bëji fëmijës pyetje të tilla, si: «Sa rëndësi ka për ty të kesh reputacion të mirë? Për çfarë cilësish dëshiron të njihesh? Çfarë do të mendoje për veten nëse do të poshtëroje dikë duke dërguar një fotografi të papërshtatshme? Si do të ndiheshe nëse do të bëje atë që është e drejtë?» Ndihmoje fëmijën ‘të mbajë një ndërgjegje të mirë’.—1 Pjetrit 3:16.
Lër shembull të mirë. Bibla thotë se mençuria hyjnore është e dëlirë dhe pa hipokrizi. (Jakovi 3:17) A i ke edhe ti këto vlera? «Ne vetë duhet të lëmë shembullin e mirë dhe të mos shohim pamje e site në Internet që mund të konsiderohen të pahijshme ose të paligjshme»,—thotë libri CyberSafe.
a Termi sexting i referohet dërgimit me celular të mesazheve, fotografive ose videove me natyrë të hapur seksuale. Për më tepër informacion, shko në adresën e Internetit jw.org/sq dhe lexo artikullin «Të rinjtë pyesin—Çfarë duhet të di për sexting»?—Shih te MËSIME BIBLIKE > ADOLESHENTËT.