E enjte, 21 nëntor
Të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me përkushtim ndaj Perëndisë në unitet me Krishtin Jezu, do të përndiqen.—2 Tim. 3:12.
Armiqtë tanë përhapin gënjeshtra ose informacione të shtrembëruara për vëllezërit përgjegjës në organizatën e Jehovait. (Psal. 31:13) Disa vëllezër i kanë arrestuar dhe i kanë akuzuar si kriminelë. Të krishterët në shekullin e parë hasën një situatë të ngjashme kur apostullin Pavël e akuzuan dhe e arrestuan padrejtësisht. Disa prej tyre nuk e mbështetën më, kur e burgosën në Romë. (2 Tim. 1:8, 15; 2:8, 9) Imagjino si duhet të jetë ndier Pavli. Ai kishte hequr gjithë ato sprova dhe madje kishte vënë kokën në rrezik për ta. (Vep. 20:18-21; 2 Kor. 1:8) Mos qofshim kurrë si ata që e braktisën Pavlin! Nuk ka pse të habitemi që vëllezërit përgjegjës janë shënjestër e sulmeve të Satanait. Synimi i tij është që me këto sulme t’u thyejë integritetin e të na frikësojë ne. (1 Pjet. 5:8) Vazhdo t’i mbështetësh dhe t’u qëndrosh besnik atyre.—2 Tim. 1:16-18. w22.11 16-17 ¶8-11
E premte, 22 nëntor
Nuk ke fare frikë nga Perëndia?!—Luka 23:40.
Ka shumë të ngjarë që krimineli i penduar, i varur në shtyllë përkrah Jezuit, të ishte jude. Judenjtë adhuronin vetëm një Perëndi, kurse njerëzit e kombeve besonin në shumë perëndi. (Eks. 20:2, 3; 1 Kor. 8:5, 6) Nëse ai kriminel do të ishte nga ndonjë komb tjetër, pyetja që bëri në shkrimin e sotëm ka të ngjarë të kishte qenë: «Nuk ke fare frikë nga perënditë?!» Veç kësaj, Jezui nuk ishte dërguar te njerëzit e kombeve, por te «delet e humbura të shtëpisë së Izraelit». (Mat. 15:24) E Perëndia u kishte zbuluar izraelitëve se do t’i ringjallte të vdekurit. Krimineli i penduar mund ta dinte këtë, dhe fjalët e tij tregojnë se mendonte që Jehovai do ta ringjallte Jezuin për të qeverisur në Mbretërinë e Perëndisë. Duket se ai burrë shpresonte se Perëndia do ta ringjallte edhe atë vetë. Si jude, krimineli i penduar duhej ta dinte ç’kishte ndodhur me Adamin dhe Evën. Prandaj ka shumë mundësi që ai besonte se Parajsa që përmendi Jezui te Luka 23:43, do të ishte një kopsht i bukur këtu në tokë.—Zan. 2:15. w22.12 8-9 ¶2-3
E shtunë, 23 nëntor
Të gjithë, në një mendje, po ngulmonin në lutje.—Vep. 1:14.
Arrijmë ta kryejmë veprën e predikimit vetëm me ndihmën e frymës së Perëndisë. Pse e themi këtë? Sepse Satanai lufton kundër nesh me synimin që të ndalojë veprën e predikimit. (Zbul. 12:17) E nga këndvështrimi njerëzor, mbase dukemi thjesht si një kafshatë për Satanain. Megjithatë, ne po e mundim me anë të veprës së predikimit! (Zbul. 12:9-11) Si? Kur dalim në shërbim, tregojmë se nuk na frikësojnë kërcënimet e Satanait. Çdo herë që predikojmë, Satanai pëson një disfatë. Ndaj mund të nxjerrim përfundimin që po na jep fuqi fryma e shenjtë dhe që kemi miratimin e Jehovait. (Mat. 5:10-12; 1 Pjet. 4:14) Fryma e Perëndisë mund të na fuqizojë të mposhtim çdo vështirësi në shërbim. (2 Kor. 4:7-9) Çfarë duhet të bëjmë, pra, që të vazhdojmë të marrim frymën e Perëndisë? Duhet të vazhdojmë t’i lutemi me ngulm Jehovait për frymën e tij, të sigurt se do të na i dëgjojë lutjet. w22.11 5 ¶10-11