KAPITULLI 1
«Ardhtë mbretëria jote»
1, 2. Çfarë u tha Jehovai tre prej apostujve të Jezuit dhe si vepruan ata?
TA ZËMË se Perëndia Jehova të flet dhe të kërkon të bësh diçka, si do të veproje? Çfarëdo që të të kërkojë, a nuk do ta ndiqje me shumë dëshirë drejtimin e tij? S’ka dyshim!
2 Tre nga apostujt e Jezuit, Pjetri, Jakovi dhe Gjoni, patën një përvojë të tillë ca kohë pas Pashkës së vitit 32 të e.s. (Lexo Mateun 17:1-5.) Ndërsa ishin me Zotërinë «në një mal të lartë», panë në vegim Jezuin si Mbret të ardhshëm e të lavdishëm qiellor. Aq i vërtetë dukej vegimi, saqë Pjetri kërkoi të përfshihej në të e, ndërsa fliste, një re u formua mbi ta. Më pas, Pjetri, Jakovi dhe Gjoni dëgjuan qartë diçka që vetëm një grusht njerëzish kanë pasur privilegjin të dëgjojnë, zërin e Jehovait. Pasi shpalli se Jezui ishte Biri i tij, Jehovai tha: «Dëgjojeni.» Apostujt e ndoqën këtë drejtim hyjnor. U kushtuan vëmendje mësimeve të Jezuit dhe i nxitën të tjerët të bënin njëlloj.—Vep. 3:19-23; 4:18-20.
3. Pse Jehovai dëshiron që ta dëgjojmë Birin e tij dhe cilën temë ia vlen të shqyrtojmë?
3 Fjala «dëgjojeni» është shkruar në Bibël për dobinë tonë. (Rom. 15:4) Pse? Sepse Jezui është zëdhënësi i Jehovait dhe u mësonte përherë të tjerëve atë që Ati dëshironte. (Gjoni 1:1, 14) Më shumë se për çdo temë tjetër, Jezui foli për Mbretërinë e Perëndisë, qeverinë mesianike qiellore, të përbërë nga Krishti Jezu dhe 144.000 bashkëqeveritarë. Ja pse ia vlen ta shqyrtojmë me kujdes këtë temë të rëndësishme. (Zbul. 5:9, 10; 14:1-3; 20:6) Por, së pari, të shqyrtojmë pse Jezui foli kaq shumë për Mbretërinë e Perëndisë.
«Nga mbushullia e zemrës»
4. Si tregoi Jezui se e ka për zemër Mbretërinë?
4 Jezui e ka për zemër Mbretërinë. Pse mund ta themi këtë? Sepse fjalët janë dritarja e zemrës. Ato tregojnë se çfarë ka vërtet rëndësi për ne. Jezui tha: «Goja flet nga mbushullia e zemrës.» (Mat. 12:34) Ai fliste për Mbretërinë sa herë i jepej mundësia. Në të katër ungjijtë Mbretëria përmendet mbi 100 herë, në shumicën e rasteve nga vetë Jezui. Mbretëria ishte tema e predikimit të tij, meqë tha: «Duhet t’ua shpall lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë edhe qyteteve të tjera, sepse për këtë u dërgova.» (Luka 4:43) Edhe pasi u ringjall, Jezui vazhdoi t’u fliste dishepujve për Mbretërinë. (Vep. 1:3) Mund të themi me plot gojën se zemra e Jezuit gufonte nga vlerësimi për Mbretërinë, ndaj s’mund të rrinte pa folur për të.
5-7. (a) Si e dimë se Jehovai e ka për zemër Mbretërinë? Ilustrojeni. (b) Si mund të tregojmë se e kemi për zemër Mbretërinë?
5 Edhe Jehovai e ka për zemër Mbretërinë. Si e dimë? Po ja, Jehovai dërgoi Birin e tij të vetëmlindur në botë, dhe çdo gjë që Biri thoshte e mësonte, buronte nga Jehovai. (Gjoni 7:16; 12:49, 50) Po ashtu, Jehovai është burimi i çdo gjëje që është shkruar në katër tregimet e ungjijve për jetën dhe shërbimin e Jezuit. Mendo pak ç’do të thotë kjo.
Ti dhe unë duhet të pyesim veten: «A e kam për zemër Mbretërinë e Perëndisë?»
6 Ta zëmë se po vë fotografitë e familjes në një album. Ke shumë fotografi, por albumi nuk i nxë të gjitha. Çfarë do të bësh? Do të përzgjedhësh cilat të vësh. Ungjijtë mund të krahasohen me një album fotografish ku shohim qartë se kush ishte Jezui. Jehovai nuk i frymëzoi shkrimtarët e ungjijve të shkruanin çdo gjë që Jezui tha e bëri kur ishte në tokë. (Gjoni 20:30; 21:25) Përkundrazi, të frymëzuar nga Jehovai, shkruan për ato vepra e fjalë të Jezuit që na ndihmojnë të kuptojmë qëllimin e shërbimit të tij dhe çfarë është më e rëndësishme për Jehovain. (2 Tim. 3:16, 17; 2 Pjet. 1:21) Përderisa ungjijtë janë plot e përplot me mësimet e Jezuit për Mbretërinë, mund të themi pa frikë se Jehovai e ka për zemër Mbretërinë. Sa bukur që Jehovai dëshiron të dimë gjithçka për Mbretërinë e tij!
7 Ti dhe unë duhet të pyesim veten: «A e kam për zemër Mbretërinë e Perëndisë?» Nëse po, do të dëgjojmë me ëndje atë që tha e mësoi Jezui për Mbretërinë, për rëndësinë e saj dhe si e kur do të vijë.
«Ardhtë mbretëria jote»—Si?
8. Si e tregoi Jezui me pak fjalë se Mbretëria është e rëndësishme?
8 Të sjellim ndër mend lutjen model. Me një gjuhë mjeshtërore e të thjeshtë Jezui tregoi me pak fjalë sa e rëndësishme është Mbretëria dhe ç’do të bëjë ajo. Lutja përbëhet nga shtatë kërkesa. Tri të parat lidhen me qëllimet e Jehovait: shenjtërimin e emrit të tij, ardhjen e Mbretërisë dhe bërjen e vullnetit të tij në tokë ashtu si në qiell. (Lexo Mateun 6:9, 10.) Këto tri kërkesa janë të ndërthurura me njëra-tjetrën. Mbretëria mesianike është mjeti me të cilin Jehovai do të shenjtërojë emrin e vet e do të kryejë vullnetin e tij.
9, 10. (a) Si do të vijë Mbretëria e Perëndisë? (b) Cilin premtim të Biblës mezi pret të plotësohet?
9 Si do të vijë mbretëria e Perëndisë? Kur lutemi «ardhtë mbretëria jote», po kërkojmë që Mbretëria të ndërmarrë veprime të rëndësishme. Kur Mbretëria të vijë, do ta ushtrojë plotësisht fuqinë e saj mbi tokën. Do të heqë sistemin e tanishëm të lig, përfshirë gjithë qeveritë njerëzore, dhe do të sjellë një botë të re e të drejtë. (Dan. 2:44; 2 Pjet. 3:13) Pastaj, nën qeverisjen e Mbretërisë, e gjithë toka do të bëhet parajsë. (Luka 23:43) Ata që janë në kujtesën e Perëndisë, do të kthehen në jetë e do të bashkohen me njerëzit e tyre të dashur. (Gjoni 5:28, 29) Njerëzit e bindur do të bëhen të përsosur dhe do të gëzojnë jetën e pafund. (Zbul. 21:3-5) Pas kësaj, vullneti i Jehovait do të bëhet në tokë, siç është bërë në qiell. A nuk digjesh nga dëshira për të parë plotësimin e këtyre premtimeve biblike? Mos harro, sa herë lutesh që Mbretëria e Perëndisë të vijë, po lutesh që këto premtime të vyera të plotësohen.
10 Kuptohet, Mbretëria e Perëndisë ende nuk ‘ka ardhur’, që lutja model të plotësohet. Tek e fundit, qeveritë njerëzore janë akoma në pushtet dhe botën e re të drejtë nuk e shohim gjëkundi. Por kemi një lajm të mirë. Siç do ta shohim në kapitullin tjetër, Mbretëria e Perëndisë ka nisur të qeverisë. Të shqyrtojmë tani atë që tha Jezui për kohën kur do të fillonte qeverisjen Mbretëria dhe kur do të vinte ajo.
Kur do të fillonte qeverisjen Mbretëria?
11. Çfarë tregoi Jezui për kohën kur do të fillonte qeverisjen Mbretëria e Perëndisë?
11 Jezui tregoi se Mbretëria nuk do të fillonte qeverisjen në shekullin e parë të e.s., siç pritnin disa nga dishepujt e tij. (Vep. 1:6) Të mendojmë tani për dy ilustrime që bëri Jezui brenda një periudhe dyvjeçare.
12. Si tregon ilustrimi i grurit dhe i egjrave se Mbretëria nuk nisi të qeveriste në shekullin e parë të e.s.?
12 Ilustrimi i grurit dhe i egjrave. (Lexo Mateun 13:24-30.) Pasi bëri këtë ilustrim, ndoshta në pranverë të vitit 31 të e.s., Jezui ua shpjegoi domethënien dishepujve të tij. (Mat. 13:36-43) Me pak fjalë, ja përmbajtja dhe domethënia e ilustrimit: pas vdekjes së apostujve, Djalli do të mbillte egjra (të krishterët e shtirur) mes grurit (‘bijve të mbretërisë’ ose të krishterëve të mirosur). Gruri dhe egjrat do të lejoheshin të rriteshin bashkë gjatë një periudhe që do të zgjaste deri në kohën e korrjes, pra «përfundimi i një sistemi». Pasi të fillonte korrja, në fillim do të mblidheshin egjrat e më pas gruri. Pra, ilustrimi tregon se Mbretëria do të fillonte qeverisjen pasi të mbaronte periudha e rritjes, e jo në shekullin e parë të e.s. Siç u zhvilluan ngjarjet, në vitin 1914 përfundoi periudha e rritjes dhe nisi koha e korrjes.
13. Çfarë ilustrimi bëri Jezui për të treguar se nuk do të hipte në fron si Mbret mesianik menjëherë sapo të ngjitej në qiell?
13 Ilustrimi i minave. (Lexo Lukën 19:11-13.) Jezui e bëri këtë ilustrim ndërsa po shkonte për herë të fundit në Jerusalem, në vitin 33 të e.s. Disa nga ata që po e dëgjonin, mendonin se Mbretëria do të fillonte të qeveriste sapo të mbërrinin në Jerusalem. Që t’ua korrigjonte këtë koncept dhe të tregonte se duhej ende shumë kohë që Mbretëria të niste qeverisjen, Jezui e krahasoi veten me «një njeri nga derë fisnike», i cili mori udhën «për në një vend të largët që të siguronte pushtet mbretëror».a Në rastin e Jezuit ‘vendi i largët’ ishte qielli, ku do të merrte pushtetin mbretëror nga Ati i tij. Por Jezui e dinte se nuk do të hipte në fron si Mbret mesianik sapo të kthehej në qiell. Përkundrazi, do të ulej në të djathtë të Perëndisë dhe do të priste kohën e caktuar. Kjo pritje zgjati shumë shekuj.—Psal. 110:1, 2; Mat. 22:43, 44; Hebr. 10:12, 13.
Kur do të vijë Mbretëria e Perëndisë?
14. (a) Si iu përgjigj Jezui pyetjes që i bënë katër nga apostuj e tij? (b) Çfarë na mëson për praninë e tij dhe për Mbretërinë plotësimi i profecisë së Jezuit?
14 Disa ditë para se ta vritnin, katër nga apostujt e pyetën Jezuin: «Cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit?» (Mat. 24:3; Mar. 13:4) Jezui u përgjigj duke thënë profecinë e zgjeruar që gjendet te Mateu, kapitujt 24 dhe 25. Ai përshkroi me detaje një sërë ngjarjesh botërore që do të shërbenin si shenjë për të identifikuar një periudhë kohe të quajtur ‘prania’ e tij. Fillimi i pranisë së tij do të ndodhte njëkohësisht me fillimin e qeverisjes së Mbretërisë; gjithashtu fundi i pranisë së tij do të ndodhte njëkohësisht me ardhjen e Mbretërisë në tokë. Kemi prova të bollshme që profecia e Jezuit ka nisur të plotësohet në vitin 1914.b Kështu, ai vit shënoi fillimin e pranisë së tij dhe fillimin e qeverisjes së Mbretërisë.
15, 16. Cilëve u referohet shprehja «ky brez»?
15 Kur do të vijë, atëherë, Mbretëria e Perëndisë? Jezui nuk e tregoi me saktësi këtë. (Mat. 24:36) Ama tha diçka që na siguron se është shumë pranë. Jezui tregoi se Mbretëria do të vinte pasi «ky brez» të shihte plotësimin e shenjës profetike. (Lexo Mateun 24:32-34.) Cilëve u referohet shprehja «ky brez»? T’i shohim me imtësi fjalët e Jezuit.
16 «Ky brez.» Mos kishte ndër mend jobesimtarët Jezui? Jo. Të mendojmë për auditorin e tij. Jezui ua tha profecinë disa apostujve që «iu afruan veçmas». (Mat. 24:3) Pas pak, apostujt do të miroseshin me frymën e shenjtë. Të shohim edhe kontekstin. Para se të fliste për ‘brezin’, Jezui tha: «Mësoni këtë nga ilustrimi i fikut: sapo del bisku e lëshon gjethe, ju e dini se vera është afër. Po ashtu edhe ju, kur t’i shihni të gjitha këto gjëra, ta dini se ai është afër, te dera.» Ata që do të shihnin gjërat që paratha dhe që do të kapnin kuptimin e tyre, pra që Jezui «është afër, te dera», nuk do të ishin jobesimtarët, por dishepujt e mirosur. Prandaj, kur Jezui foli për ‘brezin’, e kishte fjalën për dishepujt e tij të mirosur.
17. Cili është kuptimi i shprehjeve «ky brez» dhe «të gjitha këto gjëra»?
17 «Nuk do të kalojë kurrsesi, gjersa të ndodhin të gjitha këto gjëra.» Si do të vërtetohen këto fjalë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje duhet të dimë kuptimin e këtyre dy shprehjeve: «brez» dhe «të gjitha këto gjëra». Në Bibël, fjala «brez» shpesh u referohet njerëzve të moshave të ndryshme që janë bashkëkohës gjatë një periudhe të jetës. Një brez nuk zgjat së tepërmi dhe mbaron një ditë. (Dal. 1:6) Shprehja «të gjitha këto gjëra» përfshin të gjitha ngjarjet e parathëna për periudhën e pranisë së Jezuit, që nga fillimi më 1914, e deri kur të arrijë kulmin, në ‘shtrëngimin e madh’.—Mat. 24:21.
18, 19. Si t’i kuptojmë fjalët e Jezuit për ‘brezin’ dhe ç’përfundim nxjerrim?
18 Si t’i kuptojmë fjalët e Jezuit për ‘brezin’? Në këtë mënyrë: brezi përbëhet nga dy grupe të mirosurish që janë bashkëkohës gjatë një periudhe të jetës. Grupi i parë përbëhet nga të mirosurit që panë fillimin e plotësimit të shenjës më 1914, dhe i dyti nga të mirosurit që, gjatë një periudhe të jetës, ishin bashkëkohës me grupin e parë. Të paktën disa nga grupi i dytë do të shohin fillimin e shtrëngimit. Dy grupet përbëjnë një brez të vetëm sepse, si të krishterë të mirosur, janë bashkëkohës gjatë një periudhe të jetës.c
19 Ç’mund të themi si përfundim? Po ja, dimë se shenja e pranisë së Jezuit si Mbret duket qartë përreth globit. Gjithashtu shohim se të mirosurit që janë ende gjallë dhe pjesë e ‘brezit’ po plaken, por nuk do të vdesin të gjithë para se të fillojë shtrëngimi i madh. Prandaj arrijmë në përfundimin se shumë shpejt Mbretëria e Perëndisë do të vijë e do të qeverisë tokën. Sa emocionuese do të jetë të shohim me sytë tanë plotësimin e lutjes së Jezuit: «Ardhtë mbretëria jote.»
20. Ç’temë të rëndësishme do të studiojmë në këtë botim dhe çfarë do të trajtojmë në kapitullin tjetër?
20 Mos i harrofshim kurrë fjalët që Jehovai tha nga qielli për të Birin: «Dëgjojeni.» Si të krishterë të vërtetë, duam ta ndjekim me gjithë zemër këtë këshillë hyjnore. Kemi interes të thellë për çdo gjë që tha e mësoi Jezui rreth Mbretërisë së Perëndisë. Se çfarë ka bërë Mbretëria deri tani dhe se ç’do të bëjë në të ardhmen, është një temë e rëndësishme që do të studiojmë në këtë botim. Kapitulli vijues do të trajtojë ngjarjet emocionuese që i paraprinë lindjes së Mbretërisë së Perëndisë në qiell.
a Ilustrimi i Jezuit fare mirë mund t’u ketë kujtuar dëgjuesve Arkelaun, djalin e Herodit të Madh. Para se të vdiste, Herodi e caktoi Arkelaun si trashëgimtar të fronit të tij. Pushteti i tij do të shtrihej mbi Judenë dhe vende të tjera. Sidoqoftë, para se të fillonte të sundonte, Arkelau duhej të bënte një udhëtim të gjatë deri në Romë që të merrte aprovimin e Cezar Augustit.
b Për informacione shtesë, shih kapitullin 9 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?