PARANI
Pjesa më e madhe e rajonit të shkretë të paanë ku kombi i Izraelit u end për rreth 38 vjet para se të hynte në Tokën e Premtuar. (Nu 10:11, 12; Lp 2:14) Parani nuk kishte kufij të përcaktuar dhe zinte pjesën qendrore e verilindore të gadishullit të Sinait. Në lindje kishte Arabahun, që ishte pjesë e Luginës së Riftit, dhe gjirin e ʽAkabës, në jug shkretëtirën e Sinait, në jugperëndim shkretëtirën e Sinit dhe në veriperëndim e veri shkretëtirat e Etamit dhe të Shurit. Në drejtim të Detit të Vdekur, në verilindje, Parani bashkohej me shkretëtirën e Zinit, e ndoshta e përfshinte, dhe mbase arrinte deri në Beer-Shebë afër maleve të Judës.—1Sa 25:1, 2.
Parani ishte kryesisht rajon i thyer malor prej guri gëlqeror, vende-vende si rrafshnaltë dhe në pjesën qendrore arrinte lartësinë 600-750 m. (Lp 33:2; krahaso Ha 3:3.) Gjithashtu, bënte pjesë në «atë shkretëtirë të madhe e të frikshme» që përmendet te Ligji i përtërirë 1:1, 19; 8:15. Me përjashtim të stinës së shkurtër të shirave, terreni me zhavorr i këtyre viseve të egra është i zhveshur nga bimësia; krojet janë të paktë dhe larg njëri-tjetrit. Këta faktorë theksojnë se kombi i Izraelit, i përbërë ndoshta nga 3.000.000 veta, varej plotësisht nga Jehovai—vetëm ai mund t’i siguronte ushqim e ujë me anë të mrekullive gjatë gjithë viteve që u end në shkretëtirë.—Da 16:1, 4, 12-15, 35; Lp 2:7; 8:15, 16.
Duket se shkretëtira e Paranit përmendet për herë të parë në ditët e Lotit, kur Kedorlaomeri dhe aleatët e tij pushtuan disa qytete në afërsi të Detit të Vdekur dhe të Edomit, deri në El-Paran, në jug. (Zn 14:4-6) Më vonë, Ismaeli u vendos në shkretëtirën e Paranit dhe u mor kryesisht me gjueti, pasi e përzuri i ati, Abrahami.—Zn 21:20, 21.
Megjithatë, Parani përmendet kryesisht në lidhje me endjen e izraelitëve në shkretëtirë. Pasi Izraeli la malin Sinai dhe para se të shkonte në veri drejt Kadesh-Barneas, fushoi në Taberah dhe në Kibrot-Hatavah, pastaj në Hazerot, në skajin jugor të Paranit. (Nu 10:12, 33; 11:3, 34, 35; 12:16) Jo shumë kohë pasi hyri në Paran, 12 burra u dërguan të vëzhgonin Kanaanin. (Nu 13:3, 26) Kur u kthyen, shumica tha fjalë të këqija për vendin. Si pasojë, Jehovai dekretoi se kombi do të vazhdonte të endej në shkretëtirë derisa të vdisnin të gjithë meshkujt e regjistruar që kishin murmuritur kundër tij. (Nu 13:31-33; 14:20-34) Gjatë atyre 40 viteve, shumica dërrmuese e vendfushimeve të Izraelit, nga Egjipti për në Tokën e Premtuar, ishin në Paran.—Nu 33:1-49.
Sipas Septuagintës greke, pas vdiq dhe u varros Samueli, Davidi shkoi në shkretëtirën e Maonit. Megjithatë, sipas tekstit masoretik, Peshitës siriake dhe Vulgatës latine ai shkoi në shkretëtirën e Paranit. (1Sa 25:1) Kur Davidi u bë mbret dhe luftoi kundër Edomit, princi i vogël edomit, Hadadi, ia mbathi në Egjipt bashkë me disa shërbëtorë të të atit. Rrugës, kur po kalonin në Paran, me ta u bashkuan edhe disa burra të atyre viseve.—1Mb 11:15-18.