GOMORRA
Një nga ‘qytetet e krahinës’ që ka të ngjarë të ndodhej afër skajit jugor të Detit të Vdekur. (Zn 13:12) Me sa duket, Sodoma dhe Gomorra ishin qytetet kryesore. Shumë studiues mendojnë se sot rrënojat e tyre mbulohen nga ujërat e Detit të Vdekur, ndonëse të tjerë kanë pohuar se ato rrënoja mund të jenë në disa vende përgjatë vadeve në lindje e juglindje të Detit të Vdekur. Në epokën e Abrahamit, ajo u përshkrua si një zonë «e ujitur mirë . . . si kopshti i Jehovait». (Zn 13:10; shih KRAHINA E JORDANIT.) Në kohën kur nipi i Abrahamit, Loti, banonte në atë krahinë pjellore, mbreti i Gomorrës, Birshai, bashkë me mbretërit e katër qyteteve të tjera të krahinës, u rebelua kundër sundimit të Kedorlaomerit, mbretit të Elamit, dhe të tre mbretërve të tjerë aleatë të tij. Mirëpo, kur këta të fundit i sulmuan, ia mbathën dhe disa ushtarë të tyre ranë në puset e shumta të bitumit të asaj zone. Mbretërit e Lindjes plaçkitën Sodomën e Gomorrën dhe morën rob Lotin.—Zn 14:1-12.
Pas më shumë se 14 vjetësh, britma e ankimit për ligësinë e Sodomës dhe të Gomorrës u bë aq e fortë, sa Jehovai dërgoi engjëj që të hetonin gjendjen në ato qytete, e pastaj t’i shkatërronin me një shi zjarri e squfuri.—Zn 18:20, 21; 19:24, 28.
Qytetet u shkatërruan fund e krye, dhe kjo u përdor më pas si simbol i shfarosjes së plotë. (Lp 29:22, 23; Is 1:9; 13:19; Jr 49:18) Jehovai tregoi në ç’batak kishin rënë me ligësinë e tyre sundimtarët dhe populli i Judës e i Jerusalemit, kur u tha në mënyrë të figurshme nëpërmjet profetit Isaia: «Dëgjoni se çfarë thotë Jehovai, o tiranë të Sodomës! Vërini veshin ligjit të Perëndisë tonë, o banorë të Gomorrës!»—Is 1:1, 10; Jr 23:14.
Kur qortoi disa qytete izraelite të shekullit të parë, Jezui përmendi qytetet tejet të liga të Sodomës dhe të Gomorrës. Një nga ato qortime ia drejtoi Kapernaumit të papenduar, ku kishte kryer shumë vepra të fuqishme. Gjithashtu, për çdo qytet që nuk do t’i pranonte dishepujt e tij, pra nuk do të tregonte besim pavarësisht nga veprat e tyre të fuqishme që dëshmonin se kishin mbështetjen e Perëndisë, Jezui tha: «Ditën e Gjykimit do ta kenë më të lehtë Sodoma dhe Gomorra, sesa ai qytet.» (Mt 10:5-15; 11:23, 24) Përderisa Sodoma, Gomorra dhe qytetet përreth u ndëshkuan me ‘zjarr të përjetshëm’, që përfaqëson shfarosjen e përhershme, është e qartë se Jezui po përdorte një hiperbolë për të theksuar sa pak të ngjarë kishte që ata izraelitë pa besim të kthenin rrugë, madje edhe sikur të ishin të pranishëm në Ditën e Gjykimit.—Jd 7.