Lexuesit pyesin
Pse Dëshmitarët e Jehovait nuk e përdorin kryqin?
Dëshmitarët e Jehovait kanë besim të plotë se vdekja e Jezu Krishtit siguroi shpërblesën që u hap udhën drejt jetës së përhershme atyre që tregojnë besim tek ai. (Mateu 20:28; Gjoni 3:16) Megjithatë, ata nuk besojnë se Jezui vdiq në kryq, siç paraqitet shpesh në pikturat tradicionale. Ata besojnë se Jezui vdiq në një shtyllë pa traversë.
Kryqi përdorej në Mesopotami, dy mijë vjet para Krishtit. Në Skandinavi kryqet madje i gjen edhe në gdhendjet në shkëmb që i përkasin epokës së bronzit. Në librin Simbolet rreth nesh (anglisht), Sven Tito Aheni, historian danez dhe specialist për simbolet, shkruante se këta paganë e përdornin kryqin «si simbol magjik . . . që i mbronte e u sillte fat». S’është çudi që New Catholic Encyclopedia pohon: «Kryqi haset si në kulturat para krishterimit, ashtu edhe në ato jo të krishtere, ku domethënia e tij lidhet kryesisht me universin ose me natyrën.» Atëherë përse kishat e kanë zgjedhur kryqin si simbolin e tyre më të shenjtë?
U. E. Vajni, një studiues i respektuar britanik, parashtron këto fakte të pakundërshtueshme: «Nga mesi i shekullit të 3-të pas Krishtit . . . paganët pranoheshin në kisha . . . dhe u lejohej në një masë të madhe të mbanin shenjat dhe simbolet e veta pagane. Prandaj, Tau ose T . . . me pjesën horizontale të ulur më poshtë, u përvetësua.»—Vine’s Expository Dictionary of New Testament Words.
Më tej Vajni shton se në gjuhën origjinale, në greqisht, si emri «kryq», ashtu edhe folja «kryqëzoj», tregojnë «një hu ose shtyllë . . . ndryshe nga forma që përdornin kishat, pra një kryq i përbërë nga dy copa druri». Në përputhje me këtë, botimi Companion Bible i Universitetit të Oksfordit thotë: «Dëshmitë tregojnë . . . se Zotëria u ekzekutua mbi një shtyllë të drejtë, jo mbi dy copa druri që krijojnë kënd.» Është e qartë se kishat kanë përvetësuar një traditë që nuk bazohet në Bibël.
Historiani Ahen, i cituar më sipër, thotë: «Në dy shekujt pas vdekjes së Krishtit ka shumë të ngjarë që të krishterët të mos e kenë përdorur kurrë simbolin e kryqit.» Ai shton se për të krishterët e hershëm, kryqi «duhet të nënkuptonte para së gjithash vdekjen dhe ligësinë, ashtu siç kanë qenë për brezat e mëvonshëm gijotina ose karrigia elektrike».
Ç’është më e rëndësishmja, çfarëdo mjeti të jetë përdorur për të torturuar ose ekzekutuar Jezuin, të krishterët nuk duhet të përdorin asnjë shëmbëlltyrë ose simbol të tij si objekt adhurimi. Bibla urdhëron: «Ikni nga idhujtaria.» (1 Korintasve 10:14) Jezui tregoi se cila do të ishte shenja dalluese e dishepujve të tij të vërtetë. Ai tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»—Gjoni 13:35.
Në gjithçka që lidhet me adhurimin, Dëshmitarët e Jehovait, ashtu si të krishterët e shekullit të parë, përpiqen të ndjekin Biblën e jo traditat e njerëzve. (Romakëve 3:4; Kolosianëve 2:8) Për këtë arsye, ata nuk e përdorin kryqin.
[Figura në faqen 22]
Reliev ku tregohet një mbret pagan asirian me kryq, rreth vitit 800 p.e.s.
[Burimi]
Fotografi, falë mirësjelljes së Muzeut Britanik