INDONEZIA
Ishim të vendosur të mos bënim kompromis
Daniel Lokolo
LINDUR: 1965
PAGËZUAR: 1986
TË DHËNA: Pionier special që qëndroi i patundur përballë përndjekjes.
MË 14 PRILL 1989 po drejtoja një mbledhje në qytetin Maumere, në ishullin Flores, kur në shtëpinë time hynë me forcë disa autoritete dhe më arrestuan bashkë me tre të tjerë.
Rojat e burgut të qytetit u përpoqën të na detyronin që të nderonim flamurin. Ngaqë nuk pranuam, na rrahën, na gjuajtën me shkelma dhe na detyruan të rrinim në këmbë pesë ditë rresht në diellin përvëlues. Natën dridheshim në dyshemetë e forta prej çimentoje të qelive të vockla; ishim zhul, të rraskapitur e lëngonim nga plagët. Drejtori i burgut na nxiste vazhdimisht të bënim kompromis, por ne i përgjigjeshim: «Derisa të vdesim, nuk do ta nderojmë flamurin!» Ashtu si shumë e shumë të krishterë para nesh, e kishim për nder ‘të vuanim për hir të drejtësisë’.—1 Pjet. 3:14.