E premte, 23 tetor
U prek thellë, sepse ishin si dele pa bari.—Mar. 6:34.
Pa diskutim që ti e do Jehovain dhe ke dëshirë t’u shërbesh të tjerëve. Si mund ta ushqesh dëshirën për t’u shërbyer? Pse të mos ndalesh të mendosh për gëzimin që do të ndiesh ndërsa u shërben vëllezërve e motrave? Jezui tha: «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.» (Vep. 20:35) E ai jetoi sipas këtij parimi. Jezuit i gëzonte zemra kur u shërbente të tjerëve. Të shohim një shembull që gjendet te Marku 6:31-34. Në këtë rast, Jezui dhe apostujt e tij ishin të lodhur. Kështu u nisën për në një vend të veçuar që të pushonin pak. Mirëpo një turmë shkoi atje para tyre, me shpresë që të dëgjonin mësimet e Jezuit. Jezui mund t’u kishte thënë «jo». Fundja atij dhe shokëve të tij «s’u dilte koha as për të ngrënë». Ose mund t’u tregonte vetëm nja dy të vërteta e t’u thoshte të iknin. Por, ai motivohej nga dashuria, prandaj ‘nisi t’i mësonte’ derisa ‘u bë vonë’.—Mar. 6:35. w24.11 16 ¶9-10
E shtunë, 24 tetor
Do të shpërbleheni për atë që do të bëni.—2 Kron. 15:7.
Prindër, inkurajojeni fëmijën të kërkojë mundësi për t’u treguar të tjerëve të vërtetat e Biblës. (Rom. 10:10) Mbase mund t’i krahasosh përpjekjet që duhen për të folur për besimin, me përpjekjet që nevojiten për të luajtur në një instrument muzikor. Fillimisht dikush praktikon melodi që janë të thjeshta. Me kohë e ka më të lehtë të luajë në atë instrument. Po njësoj, në fillim një fëmijë mund të përdorë arsyetime të thjeshta kur u flet të tjerëve për besimin. Për shembull, mund t’i bëjë këtë pyetje një shoku të klasës: «A e di që shpesh inxhinierët i kopjojnë projektet e tyre nga natyra? Shiko këtë video super.» Pasi i tregon një video nga seria A është projektuar?, mund ta pyesë: «Nëse një shkencëtar merr meritën për një projekt të kopjuar nga natyra, kujt i takon merita për origjinalin?» Kjo metodë e thjeshtë mund të mjaftojë që shokut të klasës t’i ngjallet kureshtja e të ketë dëshirë që të mësojë më shumë. w24.12 19 ¶17-18
E diel, 25 tetor
Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm dhe vdekja nëpërmjet mëkatit.—Rom. 5:12.
Për të na çliruar nga mëkati dhe vdekja, Jehovai dërgoi Jezuin që të jepte jetën si shpërblesë. Por si mund të paguhej çlirimi i miliona njerëzve me vdekjen e një njeriu të vetëm të përsosur? Ja si e shpjegon apostulli Pavël: «Ashtu si nëpërmjet mosbindjes së një njeriu të vetëm [Adamit], shumë u bënë mëkatarë, po ashtu, nëpërmjet bindjes së një të vetmi [Jezuit], shumë do të bëhen të drejtë.» (Rom. 5:19; 1 Tim. 2:6) Me fjalë të tjera, mjaftoi një njeri i përsosur e i pabindur që të bëheshim skllevër të mëkatit dhe të vdekjes. Kështu, mjaftoi një njeri i përsosur e i bindur për t’u çliruar nga mëkati dhe vdekja. A nuk mund të vendoste Jehovai që pasardhësit e Adamit që i bindeshin Atij, të jetonin përgjithmonë? Mbase kjo do t’u dukej një zgjidhje e mirë dhe logjike njerëzve të papërsosur. Ama drejtësia e Jehovait është e përsosur. Prandaj Perëndia i drejtë nuk do t’i mbyllte kurrë sytë para atij mëkati të rëndë—mosbindjes së Adamit. w25.01 21 ¶3-4