Eksodi
40 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: 2 «Ditën e parë të muajit të parë+ do të ngresh tabernakullin, tendën e takimit.+ 3 Fut arkën e dëshmisë,+ dhe hyrjen për tek Arka mbylle me perde.+ 4 Fut tryezën+ dhe vëre në rregull, fut shandanin+ dhe ndiz llambat.+ 5 Vër përpara arkës së dëshmisë altarin e artë për temjanin+ dhe vendos perden në hyrje të tabernakullit.+
6 Vendose altarin+ e blatimit të djegur përpara hyrjes së tabernakullit, tendës së takimit, 7 kurse legenin vëre ndërmjet tendës së takimit dhe altarit, dhe mbushe me ujë.+ 8 Oborrin+ ngrije rreth e qark dhe vendos perden+ në hyrje të oborrit. 9 Merr vajin për mirosje+ dhe mirose tabernakullin, bashkë me gjithçka që është në të,+ shenjtëro atë dhe gjithë pajisjet e tij. Në këtë mënyrë do të bëhet diçka e shenjtë. 10 Mirose altarin e blatimit të djegur, bashkë me gjithë pajisjet e tij, dhe shenjtëroje altarin,+ kështu do të bëhet një altar shumë i shenjtë.+ 11 Mirose edhe legenin, bashkë me mbajtësen e vet, dhe shenjtëroje.
12 Pastaj, afroji Aaronin dhe bijtë e tij në hyrje të tendës së takimit, dhe laji me ujë.+ 13 Vishi Aaronit rrobat e shenjta,+ mirose+ dhe shenjtëroje. Kështu ai do të më shërbejë si prift. 14 Pas kësaj, afro edhe bijtë e tij dhe vishu petkat e gjata.+ 15 Mirosi ata ashtu si mirose edhe atin e tyre,+ dhe në këtë mënyrë do të më shërbejnë si priftërinj. Mirosja do t’u shërbejë atyre vazhdimisht si shenjë e priftërisë, në kohë të pafundme, brez pas brezi.»+
16 Kështu, Moisiu veproi në përputhje me gjithçka që i urdhëroi Jehovai.+ Ai bëri pikërisht ashtu.
17 Tabernakulli u ngrit+ muajin e parë, vitin e dytë, ditën e parë të muajit. 18 Moisiu nisi ta ngrinte tabernakullin: vendosi bazamentet me fole,+ vuri skeletet me dërrasa,+ futi shufrat+ dhe ngriti shtyllat.+ 19 Pastaj shtriu tendën+ mbi tabernakull dhe sipër saj hodhi mbulesat,+ ashtu siç e urdhëroi Jehovai Moisiun.
20 Paskëtaj, mori Dëshminë,+ e futi në Arkë,+ i futi shufrat+ Arkës dhe vuri edhe kapakun+ mbi Arkë.+ 21 Pastaj, e futi Arkën në tabernakull, vuri perden+ ndarëse dhe e mbylli hyrjen për tek arka e dëshmisë,+ ashtu siç e urdhëroi Jehovai Moisiun.
22 Më pas, vendosi në tendën e takimit tryezën,+ nga ana veriore e tabernakullit, jashtë perdes, 23 dhe sipër saj vuri në stivë bukët+ para Jehovait, ashtu siç e urdhëroi Jehovai Moisiun.
24 Pastaj, përballë tryezës vuri shandanin+ në tendën e takimit, nga ana jugore e tabernakullit. 25 Ndezi llambat+ para Jehovait, ashtu siç e urdhëroi Jehovai Moisiun.
26 Vuri edhe altarin+ e artë në tendën e takimit, përpara perdes, 27 që të digjte në të temjanin aromatik,+ ashtu siç e urdhëroi Jehovai Moisiun.
28 Së fundi, vuri perden+ në hyrje të tabernakullit.
29 Altarin+ e blatimit të djegur e vendosi në hyrje të tabernakullit, të tendës së takimit, që të flijonte në të blatimin e djegur+ dhe blatimin në drithë, ashtu siç e urdhëroi Jehovai Moisiun.
30 Pastaj, ndërmjet tendës së takimit dhe altarit vuri legenin, dhe e mbushi me ujë për t’u larë.+ 31 Kështu, Moisiu, Aaroni dhe bijtë e tij, lanë atje duart dhe këmbët. 32 Kur futeshin në tendën e takimit dhe kur i afroheshin altarit, laheshin,+ ashtu siç e urdhëroi Jehovai Moisiun.
33 Më në fund, ngriti oborrin+ rreth e qark tabernakullit e altarit, dhe vuri perden në hyrje të oborrit.+
Kështu, Moisiu e mbaroi punën. 34 Atëherë reja+ nisi të mbulonte tendën e takimit, kurse lavdia e Jehovait mbushi tabernakullin. 35 Moisiu nuk mundi të hynte në tendën e takimit, sepse reja+ qëndronte mbi të, dhe lavdia e Jehovait e mbushi tabernakullin.+
36 Kur reja ngrihej sipër tabernakullit, bijtë e Izraelit e hiqnin kampin, gjatë gjithë etapave të udhëtimit të tyre.+ 37 Por, nëse reja nuk ngrihej, ata nuk e hiqnin kampin, deri ditën kur ajo të ngrihej.+ 38 Sepse reja e Jehovait rrinte ditën mbi tabernakull, kurse natën mbi të qëndronte një zjarr, në sy të gjithë shtëpisë së Izraelit, gjatë gjithë etapave të udhëtimit të tyre.+