Ezekieli
16 Fjala e Jehovait m’u drejtua përsëri: 2 «Bir njeriu, bëja të njohura+ Jerusalemit gjërat e pështira+ që ka bërë 3 dhe thuaji: “Kështu i thotë Zotëria Sovran Jehova Jerusalemit: ‘Rrënjët ti i ke në vendin e Kanaanit+ dhe atje ke lindur. Babai yt ishte amorit,+ kurse nëna hitite.+ 4 Ditën kur ti linde,+ kur erdhe në jetë, nuk t’u pre kërthiza, nuk të lanë me ujë për t’u pastruar, nuk të fërkuan me kripë dhe as të mbështollën me pelena. 5 Syrit të askujt nuk i erdhi keq për ty, që nga dhembshuria+ të të bënte qoftë edhe një nga këto gjëra. Përkundrazi, ditën kur linde, të urrenin thellë, prandaj të hodhën atje në fushë.
6 Unë të kalova pranë e të pashë tek përpëliteshe në gjak. Ndërsa ishe e përlyer* me gjakun tënd, të thashë: “Jeto!”+ Po, ndërsa ishe e përlyer me gjakun tënd, të thashë: “Jeto!” 7 Të bëra një shumicë të madhe si filizat e shumtë në arë. Ti u rrite,+ u bëre e madhe dhe erdhe me stolitë më të mira.+ Gjinjtë t’u zhvilluan mjaft, flokët t’u bënë të dendur, por ishe ende lakuriq dhe e zhveshur.
8 Unë të kalova pranë, të pashë dhe ja, kishe arritur moshën për të dashuruar.+ Prandaj, të hodha sipër cepin e rrobës sime+ dhe ta mbulova lakuriqësinë. U betova para teje, lidha një besëlidhje me ty+ dhe ti u bëre imja,+—thotë Zotëria Sovran Jehova.— 9 Të lava me ujë,+ të pastrova nga gjaku dhe të leva me vaj.+ 10 Pastaj të vesha me rroba të qëndisura,+ të mbatha sandale me lëkurë foke,+ të hodha përsipër li të hollë+ e të mbulova me copë të kushtueshme. 11 Të zbukurova me stoli, të vura byzylykë+ në duar dhe varëse+ në qafë. 12 Në hundë të vura një unazë,+ të vura vathë në veshë+ dhe një kurorë të bukur në kokë.+ 13 U stolise me ar e argjend dhe u veshe me li të hollë, me copë të kushtueshme e me rroba të qëndisura.+ Hëngre majë mielli, mjaltë e vaj;+ u bëre shumë, shumë e bukur dhe e denjë për mbretëreshë.*+
14 Mes kombeve u hap nami për bukurinë tënde. Ajo ishte e përsosur, sepse unë kisha vënë mbi ty shkëlqimin+ tim,—thotë Zotëria Sovran Jehova.
15 Por ti i besove bukurisë sate+ dhe e përdore namin tënd për t’u bërë prostitutë.+ Iu dhe si prostitutë çdo kalimtari+ dhe i fale bukurinë tënde. 16 More disa nga rrobat e tua dhe bëre vende të larta+ ngjyra-ngjyra, ku kurvëroheshe+—gjëra të tilla s’duhet të ndodhin kurrën e kurrës. 17 Merrje edhe sendet e bukura prej ari e argjendi që të kisha dhënë,+ bëje me to shëmbëlltyra mashkulli+ dhe kurvëroheshe me to.+ 18 I mbuloje me rrobat e tua të qëndisura dhe u vije përpara vajin e temjanin tim.+ 19 Edhe ato që t’i kisha dhënë për të ngrënë—majën e miellit, vajin e mjaltin me të cilin të ushqeja+—ti i paraqite para tyre si aromë të pëlqyeshme,+ dhe këtë e bëre shumë herë,—thotë Zotëria Sovran Jehova.
20 Ti i merrje bijtë e bijat që më kishe lindur+ dhe ua flijoje atyre, që t’i përpinte zjarri.+ S’u ngope me kurvëritë e tua? 21 Ti i vrisje fëmijët e mi+ dhe ua jepje shëmbëlltyrave, duke i kaluar nëpër zjarr.+ 22 Në të gjitha gjërat e pështira dhe kurvëritë që bëje, nuk i kujtove ditët e rinisë sate, kur ishe lakuriq dhe e zhveshur, e përpëliteshe në gjakun tënd.+ 23 Tani, pas gjithë ligësisë sate, (“Mjerë ti”,+—thotë Zotëria Sovran Jehova) 24 ndërtove edhe një vend të ngritur dhe bëre nga një vend të lartë në çdo shesh.+ 25 Në krye të çdo rruge ndërtove një vend të lartë.+ E bëre bukurinë tënde të pështirë+ dhe i hape këmbët para çdo kalimtari,+ duke i shumuar kurvëritë e tua.+ 26 U kurvërove me bijtë e Egjiptit,+ fqinjët e tu gjymtyrëmëdhenj,*+ dhe gjithnjë kryeje kurvëri me tepri, që të më fyeje. 27 Prandaj, unë do ta shtrij dorën kundër teje,+ s’do të të jap më si të kam dhënë+ dhe do të të lë në dorë të dëshirave të shpirtit+ të të gjitha grave që të urrejnë,+ të bijave të filistinëve,+ të cilave do t’u vinte turp nga sjellja jote e shthurur.+
28 Meqë nuk ngopeshe, u kurvërove edhe me bijtë e Asirisë.+ Por edhe pse u kurvërove me ta, prapë nuk u ngope. 29 Kështu, u kurvërove me tepri me vendin e Kanaanit,+ me kaldeasit,+ por as me ata nuk u ngope. 30 Oh, ç’tërbim+ kam kundër teje,—thotë Zotëria Sovran Jehova,—ngaqë bën tërë këto gjëra, vepra të një prostitute+ të pafytyrë!+ 31 Ti ndërtove vende të ngritura në krye të çdo udhe dhe bëre vende të larta në çdo shesh, por ndryshe nga një prostitutë, ti e përbuzje pagën. 32 Gruaja që shkel kurorën, në vend të burrit pranon të tjerë.+ 33 Të gjitha prostitutave është zakon t’u jepet nga një dhuratë,+ kurse ti u bën dhurata të gjithë dashnorëve+ të tu dhe u jep ryshfet, që të vijnë nga çdo anë te ti për t’u kurvëruar me ty.+ 34 Ti kurvërohesh ndryshe nga gratë e tjera. Askush nuk ka bërë prostitucion të tillë si ti, sepse ti paguan, në vend që të të paguajnë. Ja pra, me ty ndodh e kundërta.’
35 Prandaj, o prostitutë,+ dëgjo se çfarë thotë Jehovai.+ 36 Kështu, thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Meqenëse i ke shfryrë epshet+ e tua dhe i ke zbuluar pjesët e tua intime,+ duke u kurvëruar me dashnorët+ e me tërë idhujt e tu të pështirë*+ e të neveritshëm, dhe meqenëse u ke dhënë atyre idhujve gjakun e bijve të tu,+ 37 ja, unë do t’i mbledh tërë dashnorët e tu, të cilët i kënaqe, dhe të gjithë ata që deshe bashkë me ata që urreve. Do t’i mbledh ata kundër teje, ku të jenë, do të zbuloj para tyre pjesët e tua intime,+ dhe ata do t’i shohin të gjitha.
38 Unë do të të gjykoj si gjykohen kurorëshkelëset+ dhe ato që derdhin gjak.+ Nga tërbimi dhe xhelozia+ që kam, do të derdh gjakun tënd. 39 Unë do të të lë në duart e tyre, dhe ata do t’i shembin vendet e tua të ngritura+ e do të rrëzojnë vendet e tua të larta.+ Ata do të të heqin rrobat,+ do të të marrin sendet e bukura+ që ke dhe do të të lënë lakuriq e të zhveshur. 40 Do të sjellin kundër teje një turmë,+ do të të vrasin me gurë+ e do të të presin me shpatë.+ 41 Pastaj, do t’u vënë zjarrin+ shtëpive të tua, dhe unë do ta zbatoj gjykimin tim para syve të shumë grave.+ Unë do të të bëj të mos jesh më prostitutë+ e të mos i paguash më të tjerët. 42 Atëherë do të më fashitet tërbimi kundër teje,+ dhe nuk do të jem më xheloz për ty.+ Pastaj do të rri i qetë dhe nuk do të ndihem më i fyer.
43 Meqë nuk i kujtove ditët e rinisë+ dhe më acaroje me tërë këto gjëra,+ unë do të bëj që udha që ke ndjekur, të bjerë mbi kokën tënde,+—thotë Zotëria Sovran Jehova,—e ti nuk do të kesh më atë sjellje të shthurur dhe tërë ato gjëra të pështira.
44 Kushdo që thotë ndonjë proverb+ kundër teje, do të thotë: “Si e ëma, dhe e bija!”+ 45 Ti je bijë e nënës sate,+ që e urren thellësisht burrin+ dhe bijtë e saj. Ti je motër e motrave të tua, që i urryen burrat dhe bijtë e tyre. Nëna juaj ishte hitite,+ kurse babai juaj amorit.+
46 Motra jote e madhe është Samaria+ me fshatrat e saj,+ që banon në të majtën tënde. Motra jote e vogël është Sodoma+ me fshatrat e saj,+ që banon në të djathtën tënde. 47 Ti jo vetëm që ece në udhët e tyre dhe bëre gjërat e pështira që bënin ato,+ por shumë shpejt veprove edhe më keq se ato në gjithçka që bëre.+ 48 Siç është e vërtetë që unë rroj,—thotë Zotëria Sovran Jehova,—motra jote, Sodoma, dhe fshatrat e saj nuk e kanë bërë atë që bëre ti dhe fshatrat e tua.+ 49 Ja cilat qenë fajet e motrës sate, Sodomës: ajo dhe fshatrat e saj+ qenë krenare,+ patën bukë sa të duash+ dhe u treguan moskokëçarëse,+ ngaqë nuk i trazoi kush. Ajo nuk i doli krah të munduarit+ dhe të varfrit.+ 50 Ato ishin fodulle+ dhe bënin gjëra të pështira para meje,+ prandaj i largova siç e pashë të udhës.+
51 Samaria+ nuk ka bërë as gjysmën e mëkateve të tua. Ti bëre gjëra të pështira shumë më tepër se ato, dhe kështu i bëre motrat e tua të dukeshin më të drejta se ti.+ 52 Duro poshtërimin, që për shkakun tënd po flitet mirë për motrat e tua, ngaqë ti ke bërë mëkate më të pështira se ato, dhe ato janë më të drejta se ti.+ Të të vijë turp e duro poshtërimin, që i ke bërë motrat e tua të duken të drejta!
53 Unë do t’i mbledh robërit e tyre,+ robërit e Sodomës e të fshatrave të saj dhe robërit e Samarisë e të fshatrave të saj. Do të mbledh edhe robërit e tu, që ndodhen mes tyre,+ 54 me qëllim që ti të durosh poshtërimin tënd.+ Ti duhet të ndihesh e poshtëruar për tërë ato që ke bërë, sepse i ngushëllove.+ 55 Motrat e tua, Sodoma me fshatrat e saj dhe Samaria me fshatrat e saj, do të kthehen në gjendjen e mëparshme. Edhe ti me fshatrat e tua do të kthehesh në gjendjen e mëparshme.+ 56 Motra jote, Sodoma, nuk ishte e denjë të zihej në gojë nga ti, në ditët e krenarisë sate,+ 57 para se ligësia jote të dilte zbuluar,+ si në kohën e poshtërimit nga bijat e Sirisë+ dhe nga të gjitha ato që ishin rreth saj, bijat e filistinëve,+ që të përçmonin nga të gjitha anët.+ 58 Ti duhet të mbash mbi vete+ sjelljen tënde të shthurur+ dhe gjërat e pështira që ke bërë’,—thotë Jehovai.
59 Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Unë do të bëj me ty, ashtu si ke bërë ti,+ sepse e ke përbuzur betimin dhe e ke prishur besëlidhjen me mua.+ 60 Unë do ta kujtoj besëlidhjen që kam bërë me ty në ditët e rinisë sate+ dhe do të lidh me ty një besëlidhje të përjetshme.+ 61 Ti do t’i kujtosh udhët e tua+ dhe do të ndihesh e poshtëruar kur të presësh motrat e tua, qoftë ato që janë më të mëdha, qoftë ato që janë më të vogla. Unë do të t’i jap ato si bija,+ por jo nga besëlidhja që kam bërë me ty.+
62 Unë do të bëj një besëlidhje me ty,+ dhe ti ke për ta marrë vesh se unë jam Jehovai, 63 me qëllim që të kujtosh, të të vijë turp+ dhe të mos kesh më arsye ta hapësh gojën+ nga poshtërimi yt, kur të bëj shlyerjen+ e fajit për ty, për tërë ato që ke bërë’”,—thotë Zotëria Sovran Jehova.»