Eksodi
13 Jehovai i foli prapë Moisiut: 2 «Shenjtëroni* për mua çdo të parëlindur mashkull* mes izraelitëve; mashkulli i parë që vjen në jetë, i njerëzve ose i kafshëve, më përket mua.»+
3 Atëherë Moisiu i tha popullit: «Kujtojeni këtë ditë kur dolët nga Egjipti,+ nga shtëpia e skllavërisë, sepse Jehovai ju nxori që këtej me dorë të fortë,+ prandaj nuk mund të hahet asgjë me majá. 4 Ju dolët nga Egjipti në këtë ditë, në muajin abib,*+ 5 dhe kur Jehovai t’ju ketë çuar në vendin e kananitëve, hititëve, amoritëve, hivitëve e të jebusitëve,+ për të cilin iu betua paraardhësve tuaj se do t’jua jepte juve,+ një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë,+ duhet të kremtoni në këtë muaj këtë festë: 6 shtatë ditë do të hani bukë pa maja+ dhe dita e shtatë do të jetë festë për Jehovain. 7 Për shtatë ditë do të hani bukë pa maja;+ brenda gjithë territorit* tuaj nuk do të gjendet te ju asgjë me majá+ dhe as brumë i thartuar. 8 Atë ditë do t’u thoni fëmijëve tuaj: ‘Këtë festë e kremtoj që të kujtoj si më çliroi Jehovai kur dola nga Egjipti.’+ 9 Kjo festë do të jetë si shenjë në dorë dhe si përkujtues* në ballë,*+ që ligji i Jehovait të jetë në gojën tuaj, sepse Jehovai ju nxori nga Egjipti me dorë të fortë. 10 Këtë ligj duhet ta zbatoni në kohën e caktuar, vit pas viti.+
11 Kur Jehovai t’ju çojë në vendin e kananitëve, siç ju betua juve dhe paraardhësve tuaj se do t’jua jepte këtë vend,+ 12 duhet t’i kushtoni Jehovait çdo mashkull të parëlindur,* si edhe çdo pjellë të parë mashkull të bagëtisë që do të keni; çdo mashkull i përket Jehovait.+ 13 Çdo pjellë të parë të gomarit do ta shpengoni* me një dele, por nëse nuk e shpengoni, thyejini qafën. Gjithashtu do të shpengoni çdo të parëlindur të djemve tuaj.+
14 Në rast se më vonë fëmijët tuaj ju pyesin: ‘Çfarë do të thotë për ju kjo festë?’, thuajuni: ‘Jehovai na nxori me dorë të fortë nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë.+ 15 Kur faraoni me kokëfortësi nuk na la të iknim,+ Jehovai vrau çdo të parëlindur në vendin e Egjiptit, që nga i parëlinduri i njeriut deri te pjella e parë e kafshës.+ Ja pse po i flijojmë Jehovait çdo mashkull të parëlindur* dhe po shpengojmë çdo të parëlindur të djemve tanë.’ 16 Kjo festë do të shërbejë si shenjë në dorë dhe si shirit në ballë,*+ sepse Jehovai na nxori nga Egjipti me dorë të fortë.»
17 Tani, kur faraoni e la popullin të ikte, Perëndia nuk u priu nëpër udhën që kalonte nga vendi i filistinëve, ndonëse ishte më e shkurtër, sepse Perëndia tha: «Ndoshta populli ndërron mendje kur të shohë se i duhet të luftojë, e kështu kthehet në Egjipt.» 18 Prandaj Perëndia u priu nëpër një udhë më të gjatë, përqark shkretëtirës së Detit të Kuq.+ Sidoqoftë, izraelitët dolën nga vendi i Egjiptit në formacion luftimi. 19 Moisiu mori me vete edhe eshtrat e Jozefit, sepse ai i kishte vënë në be solemnisht bijtë e Izraelit: «Me siguri Perëndia nuk ka për t’ju harruar, prandaj nxirrini eshtrat e mia që këtej.»+ 20 Ata u nisën nga Sukoti dhe e ngritën kampin në Etam, buzë shkretëtirës.
21 Ndërkohë Jehovai shkonte përpara tyre: gjatë ditës u printe udhën me një shtyllë reje,+ kurse gjatë natës u siguronte dritë me një shtyllë zjarri. Kështu mund të udhëtonin edhe ditën, edhe natën.+ 22 Shtylla e resë nuk largohej nga populli gjatë ditës dhe as shtylla e zjarrit gjatë natës.+