Jeremia
34 Fjala që Jehovai i drejtoi Jeremisë, kur Nabukodonosori,* mbreti i Babilonisë, dhe ushtria e tij, tërë mbretëritë e tokës nën sundimin e tij dhe gjithë popujt po luftonin kundër Jerusalemit e qyteteve përreth tij:+
2 «Kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit: “Shko thuaji Zedekisë,+ mbretit të Judës: ‘Kështu thotë Jehovai: “Unë do ta jap këtë qytet në duart e mbretit të Babilonisë, dhe ai do t’i vërë zjarrin.+ 3 Dhe ti nuk do t’i shpëtosh dorës së tij, sepse me siguri do të të kapin dhe do të biesh në duart e tij.+ Do ta shohësh sy për sy mbretin e Babilonisë, e ai do të flasë ballë për ballë me ty, dhe ti do të shkosh në Babiloni.”+ 4 Por dëgjo fjalën e Jehovait, o Zedekia, mbret i Judës: “Kështu thotë Jehovai për ty: ‘Nuk do të vdesësh nga shpata. 5 Do të vdesësh në paqe+ dhe, në ceremoninë tënde mortore, do të djegin temjan siç bënë për etërit e tu, mbretërit e hershëm që ishin para teje, e do të të vajtojnë: “Ah, zotëri!”, sepse këtë fjalë e kam thënë unë,—thotë Jehovai.’”’”»
6 Atëherë profeti Jeremia ia tha Zedekisë, mbretit të Judës, tërë këto fjalë në Jerusalem 7 kur ushtritë e mbretit të Babilonisë po luftonin kundër Jerusalemit dhe kundër qyteteve të Judës që kishin mbetur,+ kundër Lakishit+ dhe kundër Azekahut,+ sepse këto qytete të fortifikuara ishin të vetmet që kishin mbetur nga gjithë qytetet e Judës.
8 Fjala që Jehovai i drejtoi Jeremisë pasi mbreti Zedekia kishte bërë një besëlidhje me gjithë popullin në Jerusalem për t’i shpallur të lirë,+ 9 pra, që secili ta linte të lirë skllavin hebre dhe skllaven hebreje, që asnjë të mos e mbante si skllav një jude tjetër. 10 Kështu gjithë princat e populli u bindën. Sipas besëlidhjes që kishin bërë, secili duhej ta linte të lirë skllavin e skllaven e vet dhe të mos i mbante më si skllevër. Ata u bindën e i lanë të iknin. 11 Megjithatë, më pas i morën përsëri skllevërit e skllavet që kishin lënë të lirë, dhe i detyruan të bëheshin sërish skllevër. 12 Prandaj Jehovai i drejtoi këtë fjalë Jeremisë; Jehovai i tha:
13 «Kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit: “Unë bëra një besëlidhje me paraardhësit tuaj+ ditën që i nxora nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë,+ dhe u thashë: 14 ‘Në fund të shtatë vjetëve, secili nga ju duhet ta lërë të lirë vëllanë e vet, hebreun që t’u shit dhe që të ka shërbyer për gjashtë vjet; duhet ta lësh të lirë.’+ Por paraardhësit tuaj nuk më dëgjuan dhe as e kthyen veshin nga unë. 15 Kurse ju kohët e fundit* u kthyet dhe bëtë atë që ishte e drejtë në sytë e mi, duke e shpallur të lirë vëllanë tuaj, dhe bëtë një besëlidhje para meje në shtëpinë që mban emrin tim. 16 Por pastaj ndryshuat mendje dhe e përdhosët emrin tim+ duke marrë përsëri secili skllavin e skllaven tuaj, që i kishit lënë të lirë sipas dëshirës së tyre, dhe i detyruat të bëheshin sërish skllevër.
17 Prandaj kështu thotë Jehovai: ‘Ju nuk m’u bindët e nuk e shpallët të lirë vëllanë dhe shokun.+ Prandaj tani do t’ju shpall unë të lirë,—thotë Jehovai,—për t’ju lënë në dorë të shpatës, të murtajës* e të zisë së bukës,+ dhe do t’ju katandis aq keq, sa tërë mbretëritë e tokës do të llahtarisen kur t’ju shohin.+ 18 Ja çfarë do t’u ndodhë njerëzve që e shkelën besëlidhjen time e nuk i zbatuan fjalët e besëlidhjes që bënë përpara meje, kur ndanë më dysh viçin që të kalonin midis dy pjesëve të tij,+ 19 domethënë, princave të Judës, princave të Jerusalemit, zyrtarëve të oborrit, priftërinjve dhe gjithë popullit të vendit që kaluan mes dy pjesëve të viçit: 20 unë do t’i jap në duart e armiqve dhe të atyre që kërkojnë t’ua marrin jetën. Kufomat e tyre do të bëhen ushqim për zogjtë e qiellit dhe për egërsirat e tokës.+ 21 Kurse Zedekinë, mbretin e Judës, dhe princat e tij do t’i jap në duart e armiqve, në duart e atyre që kërkojnë jetën e tyre dhe në duart e ushtrive të mbretit të Babilonisë,+ që po tërhiqen nga ju.+
22 Unë do të jap urdhrin,—thotë Jehovai,—dhe do t’i sjell përsëri në këtë qytet. Ata do të luftojnë kundër tij, do ta pushtojnë e do t’i vënë zjarrin,+ ndërsa qytetet e Judës do t’i bëj një vend të shkretë, pa asnjë banor.’”»+