Ligji i përtërirë
11 Duaje Jehovain, Perëndinë tënd,+ përmbushe gjithmonë detyrimin që ke ndaj tij dhe zbato ligjet, vendimet gjyqësore dhe urdhërimet e tij. 2 Sot ti e di mirë se po të drejtohem ty, jo bijve të tu që as e kanë provuar disiplinën* e Jehovait, Perëndisë tënd,+ dhe as e kanë parë sa madhështor është+ dhe ç’dorë të fortë+ e ç’krah të fuqishëm ka.* 3 Ata nuk i kanë parë shenjat* dhe bëmat që bëri ai në Egjipt kundër faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe kundër tërë vendit të tij;+ 4 as atë që u bëri ushtrive të Egjiptit, kuajve të faraonit dhe karrocave të tij të luftës kur të ndiqnin nga pas, të cilat u përmbytën nga ujërat e Detit të Kuq, dhe Jehovai i shkatërroi njëherë e mirë.*+ 5 Bijtë e tu nuk kanë parë as atë që ka bërë për ty* në shkretëtirë derisa mbërrite në këtë vend; 6 as atë që i bëri Datanit dhe Abiramit, bijve të Eliabit, birit të Rubenit, kur toka u hap e i përpiu bashkë me familje, me tenda, me kafshë e me këdo që i ndiqte, në sy të të gjithë Izraelit.+ 7 Por ti i pe me sytë e tu tërë veprat madhështore që bëri Jehovai.
8 Zbatoji të gjitha urdhërimet që po të jap sot, që të bëhesh i fortë, të kalosh në vendin ku po shkon për ta shtënë në dorë 9 dhe të jetosh gjatë+ në vendin që Jehovai u betua t’ua jepte paraardhësve të tu dhe pasardhësve* të tyre,+ një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë.+
10 Vendi ku po shkon për ta shtënë në dorë, nuk është si Egjipti nga i cili dole, ku mbillje farë dhe vaditje me këmbë,* siç bëhet në një kopsht me perime. 11 Përkundrazi, vendi ku pas pak do të shkosh për ta shtënë në dorë, është një vend me male e lugina,*+ që ngopet me shira të bollshme;+ 12 është një vend për të cilin kujdeset Jehovai, Perëndia yt. Jehovai, Perëndia yt, nuk i heq sytë kurrë nga ai vend, nga fillimi deri në fund të vitit.
13 Nëse u bindesh gjithë kujdes urdhërimeve që po të jep Perëndia sot, nëse e do Jehovain, Perëndinë tënd, dhe i shërben me gjithë zemër e me gjithë shpirt,*+ 14 ai* do t’i japë shi vendit tënd në kohën e duhur, shi vjeshte e shi pranvere, dhe ti do të mbledhësh drithin, verën e re dhe vajin.+ 15 Falë tij fushat e tua do të jenë plot bar për kafshët, dhe ti do të hash e do të ngopesh.+ 16 Ki kujdes se mos zemra jote tundohet e të shtyn të largohesh për të adhuruar perëndi të tjera e për t’u përkulur para tyre.+ 17 Përndryshe, Jehovait do t’i ndizet zemërimi kundër teje e do ta mbyllë qiellin që të mos bjerë shi+ e toka të mos prodhojë, dhe ti do të zhdukesh në çast nga vendi i mirë që po të jep Jehovai.+
18 Skaliti këto fjalë në zemër e në shpirt,* lidhi në dorë si përkujtues dhe le të jenë si shirit në ballë.*+ 19 Mësojua ato fëmijëve të tu ndërsa flet për to kur rri ulur në shtëpi, kur ecën rrugës, kur shtrihesh dhe kur ngrihesh.+ 20 Shkruaji në shtalkat e derës* së shtëpisë dhe në portat e tua, 21 që ti dhe bijtë e tu të jetoni gjatë+ në vendin për të cilin Jehovai u betua t’ua jepte paraardhësve të tu,+ për sa kohë të jetë qielli mbi tokën.
22 Nëse i zbaton pikë për pikë këto urdhërime që po të jap, pra të duash Jehovain, Perëndinë tënd,+ të ecësh në tërë udhët e tij dhe të lidhesh ngushtë me të,+ 23 Jehovai do të dëbojë tërë këto kombe para syve të tu,+ dhe ti do t’u marrësh pronat kombeve më të mëdha e më të forta se ti.+ 24 Çdo vend ku do të të shkelë këmba, do të bëhet yti.+ Kufiri yt do të shtrihet nga shkretëtira deri në Liban, dhe nga Lumi, lumi Eufrat, deri te deti në perëndim.*+ 25 Askush s’do të të bëjë ballë.+ Ashtu siç të ka premtuar, Jehovai, Perëndia yt, do të bëjë që tërë vendi ku do të shkelësh,+ të ketë tmerr e frikë nga ti.
26 Ja, unë po vë sot përpara teje bekimin dhe mallkimin:+ 27 bekimin nëse u bindesh urdhërimeve të Jehovait, Perëndisë tënd, që po të jap sot+ 28 dhe mallkimin nëse nuk u bindesh urdhërimeve të Jehovait, Perëndisë tënd,+ nëse largohesh nga udha që po të urdhëroj sot dhe shkon pas perëndive të tjera që nuk i njeh.
29 Kur Jehovai, Perëndia yt, të të çojë në vendin që do të marrësh, thuaji bekimet në malin Gerizim dhe mallkimet në malin Ebal.+ 30 Ata gjenden në anën tjetër të Jordanit nga perëndimi, në vendin e kananitëve që banojnë në Arabah, përballë Gilgalit, pranë pemëve të mëdha të Morehut.+ 31 Ja, ti po kalon Jordanin për të hyrë e për të shtënë në dorë vendin që po të jep Jehovai, Perëndia yt.+ Pasi ta marrësh e të banosh atje, 32 ki kujdes të zbatosh të gjitha rregullat dhe ligjet që po të parashtroj sot.+