Gjykatësit
18 Në atë kohë nuk kishte mbret në Izrael+ dhe fisi i danitëve+ po përpiqej të gjente një vend* ku të banonte, sepse nuk e kishte marrë plotësisht trashëgiminë e tij mes fiseve të Izraelit.+
2 Danitët dërguan 5 burra nga familja e tyre, burra të zotë nga Zorahu dhe Eshtaoli,+ që të vëzhgonin vendin e të zbulonin si ishte. Ata u thanë: «Shkoni e zbuloni si është ky vend.» Ndërkohë 5 burrat arritën në rajonin malor të Efraimit, te shtëpia e Mikesë,+ dhe e kaluan natën atje. 3 Ndërsa ishin afër shtëpisë së Mikesë, dalluan zërin* e djaloshit levit, prandaj vajtën dhe e pyetën: «Kush të solli këtu? Çfarë po bën në këtë vend? Pse po rri ende këtu?» 4 Ai ua ktheu: «Mikea bëri kështu e kështu dhe më punësoi që t’i shërbeja si prift.»+ 5 Pastaj ata i thanë: «Të lutemi, pyete Perëndinë nëse do të na vejë mbarë udhëtimi.» 6 Prifti u tha: «Shkoni në paqe. Jehovai do të jetë me ju në këtë udhëtim.»
7 Kështu 5 burrat vazhduan rrugën e arritën në Laish.+ Ata panë se banorët e tij mbështeteshin te forcat e veta, siç bënin sidonitët, ishin të qetë e ndiheshin të sigurt+ dhe në vend s’kishte pushtues që t’i shtypte e t’u binte në qafë. Ata ishin shumë larg sidonitëve e s’kishin të bënin fare me asnjë.
8 Kur u kthyen në Zorah e në Eshtaol,+ vëllezërit e tyre i pyetën: «Si vajti?» 9 Ata u përgjigjën: «Të shkojmë për të luftuar kundër tyre, sepse pamë që vendi është shumë i mirë. Pse po ngurroni? Mos vononi që të shkoni e ta shtini në dorë. 10 Kur të mbërrini, do të gjeni një popull që nuk dyshon fare+ dhe një vend me shtrirje të madhe. Perëndia ju ka dhënë në dorë një vend ku nuk mungon asgjë.»+
11 Atëherë 600 burra të armatosur për luftë nga familja e danitëve u nisën nga Zorahu dhe Eshtaoli.+ 12 Ata shkuan dhe e ngritën kampin në Kiriat-Jearim+ të Judës. Prandaj vendi quhet Mahaneh-Dan*+ edhe sot e kësaj dite dhe gjendet në perëndim të Kiriat-Jearimit. 13 Që këtej shkuan në rajonin malor të Efraimit dhe arritën te shtëpia e Mikesë.+
14 Pastaj 5 burrat që kishin shkuar për të vëzhguar vendin e Laishit,+ u thanë vëllezërve të tyre: «A e dinit se në këto shtëpi ka një efod, idhuj shtëpie,* një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe një statujë prej metali?*+ Vendosni çfarë do të bëni.» 15 Kështu u ndalën atje dhe vajtën në shtëpinë e djaloshit levit,+ në shtëpinë e Mikesë, dhe e pyetën si ishte. 16 Ndërkaq 600 burrat e Danit,+ të armatosur për luftë, qëndruan në hyrje të portës, 17 kurse 5 burrat që kishin vajtur të vëzhgonin vendin,+ hynë brenda që të merrnin shëmbëlltyrën e gdhendur, efodin,+ idhujt e shtëpisë+ dhe shëmbëlltyrën prej metali.+ (Prifti+ po qëndronte në këmbë në hyrje të portës bashkë me 600 burrat e armatosur për luftë.) 18 Ata hynë në shtëpinë e Mikesë dhe morën shëmbëlltyrën e gdhendur, efodin, idhujt e shtëpisë dhe shëmbëlltyrën prej metali. Prifti u tha: «Ç’po bëni kështu?» 19 Por ata i thanë: «Hesht! Mos thuaj asgjë* dhe eja me ne që të bëhesh këshilltari* e prifti ynë. Si është më mirë: të jesh prift në shtëpinë e një njeriu të vetëm+ apo të bëhesh prift i një fisi dhe i një familjeje në Izrael?»+ 20 Kjo i pëlqeu priftit, prandaj mori efodin, idhujt e shtëpisë, shëmbëlltyrën e gdhendur+ dhe iku me ta.
21 Pastaj vazhduan rrugën dhe vunë përpara fëmijët, bagëtinë dhe gjërat me vlerë. 22 Danitët ishin larguar disi nga shtëpia e Mikesë, ndërkohë që fqinjët e tij u mblodhën dhe i ndoqën. Më në fund, i arritën danitët. 23 Kur u thirrën, danitët u kthyen nga ata dhe e pyetën Mikenë: «Si është puna? Pse jeni mbledhur?» 24 Ai u përgjigj: «Ju m’i morët perënditë që bëra dhe ikët bashkë me priftin. Ç’më mbetet mua tani? E ju më pyetni: ‘Si është puna?’» 25 Danitët iu përgjigjën: «Mos na e ngri zërin neve, përndryshe do të të vërsulen këta burra të inatosur,* dhe do të rrezikosh jetën tënde dhe të atyre të shtëpisë sate.» 26 Kështu danitët vazhduan rrugën dhe Mikea, kur pa se ata ishin më të fortë, u kthye në shtëpi.
27 Pasi morën ato që kishte bërë Mikea, si edhe priftin e tij, danitët shkuan në Laish,+ te një popull i qetë e që ndihej i sigurt;+ i vranë banorët me shpatë dhe qytetit i vunë zjarrin. 28 Atë nuk kishte kush ta shpëtonte, sepse ndodhej larg Sidonit dhe banorët nuk kishin të bënin fare me asnjë. Qyteti ndodhej në rrafshinën* që i përkiste Beth-Rehobit.+ Pasi e rindërtuan, danitët u vendosën me banim në të 29 dhe e quajtën qytetin Dan,+ nga emri i Danit, atit të tyre, që i lindi Izraelit.+ Megjithatë, më parë qyteti quhej Laish.+ 30 Më pas, danitët ngritën shëmbëlltyrën e gdhendur.+ Jonatani,+ biri i Gershomit,+ birit të Moisiut, dhe bijtë e tij u bënë priftërinj të fisit të danitëve deri ditën kur banorët e vendit i morën në mërgim. 31 Ata e ngritën shëmbëlltyrën e gdhendur që kishte bërë Mikea dhe ajo qëndroi aty për aq ditë sa shtëpia e Perëndisë së vërtetë ishte në Shiloh.+