Jeremia
52 Zedekia+ ishte 21 vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi 11 vjet në Jerusalem. Nëna e tij quhej Hamitala+ dhe ishte vajza e Jeremisë nga Libnahu. 2 Ai bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait, tamam si kishte bërë Jehojakimi.+ 3 E gjithë kjo ndodhi në Jerusalem dhe në Judë për shkak të zemërimit të Jehovait, derisa ai i flaku larg vetes.+ Dhe Zedekia u rebelua kundër mbretit të Babilonisë.+ 4 Vitin e 9-të të mbretërimit të Zedekisë, muajin e 10-të, ditën e 10-të të muajit, Nabukodonosori,* mbreti i Babilonisë, erdhi kundër Jerusalemit bashkë me gjithë ushtrinë e vet. Ata e ngritën kampin për të luftuar kundër qytetit dhe ndërtuan një mur rrethues përqark tij.+ 5 Qyteti mbeti i rrethuar deri në vitin e 11-të të mbretërimit të Zedekisë.
6 Ditën e 9-të të muajit të 4-t,+ zia e bukës në qytet u rëndua aq sa nuk pati fare ushqim për popullin e vendit.+ 7 Më në fund muri i qytetit u ça dhe të gjithë ushtarët ia mbathën natën. Kaluan nga porta që gjendej në murin e dyfishtë pranë kopshtit të mbretit, ndërkohë që kaldeasit kishin rrethuar qytetin. Ata ikën në drejtim të Arabahut.+ 8 Por ushtria kaldease u vu në ndjekje të mbretit dhe e zuri Zedekinë+ në rrafshinat e shkreta të Jerikosë. Të gjitha forcat e tij ushtarake ishin shpërndarë. 9 Pastaj kaldeasit e kapën dhe e çuan te mbreti i Babilonisë në Riblah, në vendin e Hamathit, ku ai e dënoi. 10 Mbreti i Babilonisë ia theri djemtë Zedekisë para syve, e në Riblah theri edhe tërë princat e Judës. 11 Pastaj mbreti i Babilonisë e verboi Zedekinë,+ e lidhi me vargonj prej bakri dhe e çoi në Babiloni. Atje e futi në burg, ku e la deri ditën e vdekjes.
12 Ditën e 10-të të muajit të 5-të, pra, vitin e 19-të të mbretërimit të Nabukodonosorit,* mbretit të Babilonisë, në Jerusalem erdhi Nebuzaradani, kreu i rojës, që i shërbente mbretit të Babilonisë.+ 13 Ai dogji shtëpinë e Jehovait,+ shtëpinë e mbretit* dhe gjithë shtëpitë e Jerusalemit. Gjithashtu i vuri zjarrin çdo shtëpie madhështore. 14 Mbarë ushtria kaldease që ishte me kreun e rojës, rrëzoi gjithë muret rreth e qark Jerusalemit.+
15 Nebuzaradani, kreu i rojës, çoi në mërgim disa nga njerëzit e varfër të popullit dhe ata që kishin mbetur në qytet, tradhtarët që kishin kaluar në anën e mbretit të Babilonisë dhe pjesën e mbetur të kryemjeshtërve.+ 16 Por Nebuzaradani, kreu i rojës, i la disa nga njerëzit më të varfër të vendit që të shërbenin si vreshtarë dhe si punëtorë për punë të detyruar.+
17 Kaldeasit bënë copë-copë shtyllat prej bakri+ në shtëpinë e Jehovait, si edhe karrocat+ dhe Detin prej bakri+ që ishin në shtëpinë e Jehovait; tërë bakrin e tyre e çuan në Babiloni.+ 18 Ata morën edhe kovat, lopatat, fikësit, taset,+ kupat+ dhe gjithë pajisjet prej bakri që përdoreshin për shërbimin në tempull. 19 Kreu i rojës mori legenët,+ mbajtëset e zjarrit, taset, enët, shandanët,+ kupat dhe taset për flijimet, të cilat ishin prej ari të kulluar dhe prej argjendi të pastër.+ 20 Sasia e bakrit të dy shtyllave, të Detit, të 12 demave prej bakri+ që ishin poshtë Detit dhe të karrocave, që kishte bërë mbreti Solomon për shtëpinë e Jehovait, ishte kaq e madhe sa nuk e peshonin dot.
21 Secila shtyllë ishte e lartë 18 kute* dhe për ta matur rreth e qark, nevojitej një litar prej 12 kutesh.+ Trashësia e bakrit të secilës shtyllë ishte katër gisht,* dhe ishte bosh përbrenda. 22 Kapiteli* mbi të ishte prej bakri dhe ishte pesë kute i lartë.+ Rrjeta dhe shegët rreth e përqark kapitelit ishin të tëra prej bakri. Shtylla e dytë ishte po njësoj, si edhe shegët. 23 Shegët që shiheshin, ishin 96. Tërë shegët rreth e qark rrjetës ishin 100.+
24 Kreu i rojës mori edhe kryepriftin Serajah,+ priftin e dytë, Sofoninë,+ dhe tre derëtarët.+ 25 Nga qyteti mori një zyrtar oborri që ishte komandanti i ushtarëve, shtatë shoqërues të ngushtë të mbretit, të cilët gjendeshin në qytet, sekretarin e kreut të ushtrisë, i cili mobilizonte popullin e vendit, dhe 60 burra nga njerëzit e thjeshtë që ndodheshin ende në qytet. 26 Nebuzaradani, kreu i rojës, i mori dhe i çoi te mbreti i Babilonisë në Riblah. 27 Mbreti i Babilonisë i vrau ata në Riblah,+ në vendin e Hamathit. Kështu, Juda mërgoi larg vendit të vet.+
28 Ky është numri i njerëzve që Nabukodonosori* çoi në mërgim vitin e shtatë të mbretërimit të vet: 3.023 judenj.+
29 Në vitin e 18-të të mbretërimit të Nabukodonosorit,*+ nga Jerusalemi morën 832 veta.
30 Në vitin e 23-të të mbretërimit të Nabukodonosorit,* Nebuzaradani, kreu i rojës, çoi disa judenj në mërgim, 745 veta.+
Gjithsej u çuan në mërgim 4.600 veta.
31 Në vitin që u bë mbret i Babilonisë, Evil-Merodaku e nxori nga burgu* Jehojakinin, mbretin e Judës.+ Kjo ndodhi vitin e 37-të të mërgimit të Jehojakinit,+ mbretit të Judës, muajin e 12-të, ditën e 25-të të muajit. 32 Ai e trajtoi mirë, dhe fronin e tij e vuri më lart se fronet e mbretërve që ishin me të në Babiloni. 33 Kështu Jehojakini hoqi rrobat e burgut, e gjatë gjithë jetës hëngri në tryezën e mbretit. 34 Mbreti i Babilonisë i dha një racion ushqimi përditë, deri ditën e vdekjes, po, gjatë gjithë jetës së tij.