137 Atje, buzë lumenjve të Babilonisë,+ uleshim
dhe qanim kur kujtonim Sionin.+
2 Harpat i kishim varur+
nëpër plepat e saj.
3 Atje robëruesit tanë na kërkonin t’u këndonim,+
tallësit donin që t’i argëtonim:
«Na këndoni ndonjë këngë të Sionit!»
4 Po si mund t’i këndojmë këngët e Jehovait
në dhé të huaj?!
5 Dora ime e djathtë u mpiftë,
nëse të harroj ty, o Jerusalem!+
6 Gjuha m’u lidhtë,
nëse nuk të kujtoj ty,
nëse nuk të lëvdoj ty, o Jerusalem,
si gëzimin tim më të madh!+
7 Kujtoji, o Jehova, fjalët e edomitëve
ditën kur Jerusalemi ra:
«Rrënojeni! Rrënojeni deri në themele!»+
8 O bijë e Babilonisë, që së shpejti do të rrënohesh,+
lum ai që do të të ndëshkojë
me po ato të këqija që na ke bërë!+
9 Lum ai që fëmijët e tu do t’i zërë
e do t’i bëjë copë-copë pas shkëmbinjve!+