Isaia
36 Në vitin e 14-të të mbretërimit të mbretit Hezekia, Senakeribi, mbreti i Asirisë,+ sulmoi të gjitha qytetet e fortifikuara të Judës dhe i pushtoi.+ 2 Atëherë, nga Lakishi,+ mbreti i Asirisë dërgoi te mbreti Hezekia në Jerusalem rabshakehun*+ bashkë me një ushtri tepër të madhe. Ata zunë pozicion pranë kanalit të rezervuarit të sipërm,+ që është në rrugën për tek ara e rrobalarësit.+ 3 Atëherë dolën për ta takuar Eliakimi,+ biri i Hilkiahut, që ishte përgjegjës për shtëpinë,* sekretari Shebna+ dhe kronisti* Joah, biri i Asafit.
4 Rabshakehu u tha: «I thoni Hezekisë: “Kështu thotë mbreti i madh, mbreti i Asirisë: ‘Ku e bazon këtë siguri?+ 5 Ti thua: “Kam strategjinë dhe fuqinë e nevojshme për luftë.” Por këto janë fjalë boshe. Te kush, pra, paske besim, që guxon të rebelohesh kundër meje?+ 6 Ja, ti ke besim te përkrahja e këtij kallami të thyer, Egjiptit, tek i cili po të mbështetej njeri, do t’ia çante dorën tejpërtej. Kështu është faraoni, mbreti i Egjiptit, për të gjithë ata që besojnë tek ai.+ 7 Apo më thua: “Kemi besim te Jehovai, Perëndia ynë.” Por, a nuk ia ka hequr Hezekia atij vendet e larta e altarët+ dhe i thotë Judës e Jerusalemit: “Duhet të përkuleni para këtij altari.”’”+ 8 Tani pra, vër këtë bast me zotërinë tim, mbretin e Asirisë:+ unë të jap 2.000 kuaj, nëse gjen dot mjaft kalorës për ta. 9 Si mund të sprapsësh qoftë edhe një guvernator, një ndër shërbëtorët më të vegjël të zotërisë tim, kur mbështetesh tek Egjipti për karroca e kalorës? 10 Mos kam dalë kundër këtij vendi për ta shkatërruar pa lejen e Jehovait? Vetë Jehovai më tha: ‘Sulmoje këtë vend dhe shkatërroje.’»
11 Me të dëgjuar këtë, Eliakimi, Shebna+ dhe Joahu, i thanë rabshakehut:+ «Të lutemi, fol me shërbëtorët e tu në gjuhën aramaike,*+ sepse mund ta kuptojmë, por mos fol me ne në gjuhën e judenjve, se të dëgjojnë njerëzit që janë mbi mur.»+ 12 Megjithatë rabshakehu ua ktheu: «Mos vallë zotëria im më ka dërguar t’ia them këto fjalë vetëm zotërisë tuaj dhe juve? A nuk më ka dërguar t’ua them edhe burrave që rrinë ulur mbi mur, të cilët do të hanë jashtëqitjet e veta dhe do të pinë urinën e vet bashkë me ju?»
13 Pastaj rabshakehu u ngrit në këmbë e bërtiti në gjuhën e judenjve:+ «Dëgjoni fjalën e mbretit të madh, mbretit të Asirisë!+ 14 Kështu thotë mbreti: “Mos e lini Hezekinë t’ju mashtrojë, sepse ai nuk ju shpëton dot.+ 15 Mos e lini Hezekinë t’jua mbushë mendjen që të keni besim te Jehovai,+ duke ju thënë: ‘Jehovai do të na shpëtojë patjetër, dhe ky qytet nuk do të bjerë në duart e mbretit të Asirisë.’ 16 Mos e dëgjoni Hezekinë, sepse kështu thotë mbreti i Asirisë: ‘Bëni paqe me mua dhe dorëzohuni!* Secili do të hajë nga hardhia e vet dhe nga fiku i vet e do të pijë nga uji i sternës* së vet, 17 derisa të vij dhe t’ju çoj në një vend si vendi juaj,+ plot drithë e verë të re, ku ka bukë dhe vreshta. 18 Mos e lejoni Hezekinë t’ju mashtrojë duke ju thënë: “Jehovai do të na shpëtojë.” Mos i kanë shpëtuar perënditë e kombeve vendet e tyre nga duart e mbretit të Asirisë?+ 19 Ku janë perënditë e Hamathit dhe të Arpadit?+ Ku janë perënditë e Sefarvaimit?+ A e kanë shpëtuar këto perëndi Samarinë nga duart e mia?+ 20 Cila nga të gjitha perënditë e këtyre vendeve e ka shpëtuar vendin e vet nga duart e mia, që Jehovai të shpëtojë Jerusalemin nga duart e mia?’”»+
21 Por ata heshtën e nuk i kthyen asnjë fjalë, sepse urdhri i mbretit ishte: «Mos iu përgjigjni!»+ 22 Atëherë Eliakimi, biri i Hilkiahut, që ishte përgjegjës për shtëpinë,* sekretari Shebna+ dhe kronisti Joah, biri i Asafit, vajtën me rroba të shqyera te Hezekia dhe i treguan fjalët e rabshakehut.