17 Më mirë një copë bukë e thatë aty ku ka paqe,+
se një shtëpi plot gosti, por me sherre.+
2 Shërbëtori me mend do të sundojë mbi birin që vepron me pafytyrësi;
ai do të marrë trashëgimi si të ishte një nga vëllezërit.
3 Argjendi rafinohet në kazan dhe ari në furrë,+
por zemrat i shqyrton Jehovai.+
4 I ligu u kushton vëmendje fjalëve lënduese
dhe mashtruesi u vë veshin gjuhëve të liga.+
5 Kush tallet me të varfrin, fyen Bërësin e tij,+
dhe kush gëzon për hallin e tjetrit, do të ndëshkohet se s’bën.+
6 Kurora e të moshuarve janë nipërit,
dhe lavdia e bijve janë etërit.
7 Fjalët e drejta nuk i shkojnë për shtat të marrit,+
e aq më pak fjalët e rreme sundimtarit!+
8 Dhurata është si gur i çmuar për të zotin,+
sepse ajo i sjell sukses kudo që ai shkon.+
9 Kush e fal fajin, nxit dashurinë,+
por kush nuk pushon së foluri për të, ndan shokët e ngushtë.+
10 Më thellë ndikon një qortim te njeriu me mend,+
se njëqind goditje tek i marri.+
11 Njeriu i keq kërkon vetëm të rebelohet,
por do të dërgohet një lajmëtar mizor për ta ndëshkuar.+
12 Më mirë të të dalë përpara një arushë që ia kanë marrë këlyshët,
se një i pamend në marrëzinë e tij.+
13 Nëse dikush e shpërblen të mirën me të keqe,
e keqja s’do t’i largohet nga shtëpia.+
14 Të ndezësh grindje, është sikur të hapësh portat e një dige;
largohu përpara se të plasë sherri.+
15 Ai që e shfajëson të ligun dhe ai që e dënon të drejtin,+
janë të dy të neveritshëm për Jehovain.
16 Ç’e mirë vjen kur i marri i ka të gjitha mundësitë për të fituar mençuri,
por i mungon dëshira për ta bërë këtë?!+
17 Miku i vërtetë të do në çdo kohë+
dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.+
18 Njeriu pa gjykim të mirë
e jep dorën dhe pranon të dalë garant para të tjerëve.+
19 Kush ka qejf konfliktet, pëlqen shkeljet.+
Kush e lartëson portën, fton rrënimin.+
20 Atij që ka zemër dredharake, nuk do t’i shkojë mbarë,+
dhe ai që mashtron me fjalë, do të rrënohet.
21 Kush sjell në jetë një fëmijë të pamend, do të ketë hidhërime,
dhe babai i një fëmije të marrë nuk ka gëzime.+
22 Një zemër e gëzuar është ilaç i mirë,+
por një shpirt i dërrmuar t’i shteron forcat.+
23 I ligu merr ryshfet në fshehtësi
për të shtrembëruar udhën e drejtësisë.+
24 Njeriu me aftësi dalluese nuk i largon sytë nga mençuria,
por sytë e të marrit enden kuturu.+
25 Një bir i marrë e hidhëron babanë
dhe ia bën zemrën plagë asaj që e solli në jetë.+
26 T’i ndëshkosh të drejtët, s’është mirë,
dhe t’i fshikullosh njerëzit e nderuar, s’është e drejtë.
27 Kush ka vërtet njohuri, e mban nën fre gojën,+
dhe kush ka aftësi dalluese, nuk e humb qetësinë.+
28 Edhe i marri shihet si i mençur kur nuk e hap gojën,
dhe ai që i qep buzët, si njeri me aftësi dalluese.