Isaia
31 Mjerë ata që zbresin në Egjipt për të kërkuar ndihmë,+
ata që u zënë besë kuajve,+
që kanë besim te karrocat e luftës, vetëm pse janë të shumta,
dhe te kuajt e luftës,* vetëm pse janë të fuqishëm,
por që nuk i drejtohen të Shenjtit të Izraelit
dhe nuk e kërkojnë Jehovain!
2 Por ai është i mençur e do të sjellë të keqen,
nuk do t’i tërheqë fjalët e tij.
Do të ngrihet kundër shtëpisë së keqbërësve
dhe kundër atyre që ndihmojnë keqbërësit.+
3 Megjithatë egjiptianët janë veçse njerëz, jo Perëndia;
kuajt e tyre janë prej mishi e gjaku, jo krijesa qiellore.*+
Kur Jehovai të ngrejë dorën,
kushdo që jep ndihmë, do të pengohet,
dhe kushdo që merr ndihmë, do të bjerë;
të gjithë do të marrin fund në të njëjtën kohë.
4 Se kështu më tha Jehovai:
«Ashtu si ulërin një luan, po, një luan i fortë e i ri,* që të mbrojë prenë e vet
kur i sulen një numër i madh barinjsh,
e nuk trembet nga zëri i tyre,
as nuk dorëzohet nga zhurma e tyre,
në të njëjtën mënyrë Jehovai i ushtrive do të zbresë që të luftojë
për malin Sion dhe për kodrën e tij.
5 Si zogjtë që sulen për të mbrojtur të vegjlit e tyre, po ashtu Jehovai i ushtrive do ta mbrojë Jerusalemin:+
do ta mbrojë dhe do ta çlirojë,
do ta kursejë dhe do ta shpëtojë.»
6 «O popull i Izraelit, kthehuni tek Ai kundër të cilit jeni rebeluar pa pikë turpi.+ 7 Se atë ditë secili do të flakë perënditë e tij të kota prej argjendi dhe perënditë e pavlera prej ari, që i keni bërë me duart tuaja, duke mëkatuar.
8 Asiriani do të vritet me shpatë, por jo nga shpata e një burri,
do ta përpijë një shpatë, por jo shpata e një njeriu.+
Ai do t’ia mbathë për shkak të shpatës
dhe të rinjtë e tij do t’i nënshtrohen punës së detyruar.