Ezekieli
35 Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma: 2 «Bir njeriu, ktheje fytyrën nga rajoni malor i Seirit,+ profetizo kundër tij+ 3 dhe thuaji: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Ja, unë jam kundër teje, o rajon malor i Seirit. Do ta ngre dorën kundër teje dhe do të të kthej në një vend të shkretë e krejtësisht të pabanuar.+ 4 Qytetet e tua do t’i katandis në rrënoja, e ti do të kthehesh në një vend të shkretë e krejtësisht të pabanuar.+ Ti ke për ta marrë vesh se unë jam Jehovai, 5 sepse ke pasur një armiqësi të vjetër+ me izraelitët dhe i ke lënë në dorë të shpatës në kohë të zezash, në kohën e ndëshkimit të tyre përfundimtar.+
6 Prandaj, siç është e vërtetë që unë rroj,—thotë Zotëria Sovran Jehova,—do të të bëj gati që të derdhësh gjak, dhe gjaku* do të të ndjekë këmba-këmbës.+ Gjakun urreje, gjaku do të të ndjekë këmba-këmbës.+ 7 Unë do të të katandis, o rajon malor i Seirit, në një vend të shkretë e krejtësisht të pabanuar,+ dhe askush nuk do të kalojë nëpër territorin tënd e nuk do të kthehet më te ti. 8 Malet e tua do t’i mbush me të vrarë, dhe ata që do të vriten me shpatë, do të bien nëpër kodrat, luginat dhe përrenjtë e tu. 9 Unë do të të katandis në një vend të shkretë përgjithnjë dhe qytetet e tua nuk do të banohen më.+ Atëherë ke për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.
10 Meqenëse ke thënë: “Këto dy kombe e këto dy vende do të bëhen të miat dhe do t’i shtie të dyja në dorë”,+ ndërkohë që vetë Jehovai ishte atje, 11 “siç është e vërtetë që unë rroj,—thotë Zotëria Sovran Jehova,—edhe unë do të tregoj ndaj teje po atë zemërim e xhelozi që tregove ndaj tyre nga urrejtja.+ E kur të të gjykoj, unë do të bëhem plotësisht i njohur për ta. 12 Atëherë ke për ta marrë vesh se unë, Jehovai, i kam dëgjuar të gjitha fjalët fyese që ke thënë për malet e Izraelit: ‘Ato kanë mbetur të shkreta e na janë dhënë në dorë për t’i gllabëruar.’* 13 Ti flisje me arrogancë edhe kundër meje e më fyeje pareshtur.+ Unë i kam dëgjuar të gjitha.”’
14 Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Tërë toka do të gëzojë kur të të katandis në një vend të shkretë e krejtësisht të pabanuar. 15 Siç u gëzove që trashëgimia e shtëpisë së Izraelit u shkretua, po ashtu do të bëj edhe unë me ty.+ Ti do të katandisesh në një vend të shkretë, o rajon malor i Seirit, po, tërë ti, o Edom.+ Atëherë të gjithë kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.’”