Estera
2 Pas këtyre gjërave, kur iu fashit tërbimi, mbreti Asuer+ mendoi për atë që kishte bërë Vashti+ dhe çfarë ishte vendosur kundër saj.+ 2 Atëherë, shërbëtorët personalë të mbretit thanë: «Të kërkohen për mbretin vajza të reja, të virgjëra e të bukura. 3 Mbreti të caktojë përfaqësues në tërë provincat e mbretërisë së tij+ që t’i mbledhin të gjitha vajzat e virgjëra e të bukura në kështjellën e Shushanit,* në shtëpinë e grave.* Le të jenë nën kujdesin e Hegait,+ eunukut të mbretit dhe rojtarit të grave, dhe t’u bëhen trajtime estetike.* 4 Dhe vajza që do t’i pëlqejë më shumë mbretit, të bëhet mbretëreshë në vend të Vashtit.»+ Mbretit i pëlqeu ky sugjerim, dhe ashtu bëri.
5 Në kështjellën e Shushanit+ ishte një burrë jude që quhej Mordeká.+ Ai ishte bir i Jairit, bir i Shimeit, bir i Kishit, një beniaminit.+ 6 Ai kishte mërguar nga Jerusalemi bashkë me njerëzit që kishin mërguar me Jekoninë,*+ mbretin e Judës, të cilin e çoi në mërgim Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë. 7 Mordekai e mori nën kujdestari* Hadasën,* domethënë Esterën, që e kishte vajzë xhaxhai,+ pasi ajo nuk kishte as nënë, as baba. Vajza kishte trup të bukur dhe ishte shumë e këndshme; kur i vdiq i ati dhe e ëma, Mordekai e mori si vajzën e tij. 8 Kur u shpall fjala e ligji i mbretit dhe kur u mblodhën shumë vajza në kështjellën e Shushanit, nën kujdesin e Hegait,+ edhe Esterën e çuan në shtëpinë e mbretit,* nën kujdesin e Hegait, rojtarit të grave.
9 Ajo fitoi pëlqimin dhe miratimin e tij,* kështu që menjëherë ai organizoi t’i bënin trajtime estetike,*+ të hante ushqime të zgjedhura, si edhe i caktoi shtatë vajza nga shtëpia e mbretit. Gjithashtu atë, bashkë me shërbëtoret e saj, e kaloi në vendin më të mirë të shtëpisë së grave. 10 Estera nuk tha asgjë për popullin+ dhe për të afërmit e saj, sepse Mordekai+ e kishte udhëzuar të mos i tregonte askujt.+ 11 Mordekai kalonte ditë për ditë para oborrit të shtëpisë së grave për të marrë vesh si ishte Estera dhe ç’po bëhej me të.
12 Çdo vajze i vinte radha për të shkuar te mbreti Asuer, pasi kishte përfunduar për 12 muaj trajtimin e përcaktuar për gratë. Në trajtimin estetik* që duhej të bënin, përfshihej: gjashtë muaj me vaj mirre,+ gjashtë muaj me vaj balsami+ bashkë me pomada të ndryshme për trajtime estetike.* 13 Pastaj vajza ishte gati të paraqitej te mbreti dhe çfarëdo që të kërkonte, i jepej kur shkonte nga shtëpia e grave te shtëpia e mbretit. 14 Në mbrëmje shkonte te mbreti dhe në mëngjes kthehej në shtëpinë e dytë të grave,* që ishte nën kujdesin e Shashgazit, eunukut të mbretit+ dhe rojtarit të konkubinave.* Ajo nuk shkonte më te mbreti, vetëm nëse ai e kishte pëlqyer veçanërisht dhe e thërriste me emër.+
15 Kur Esterës, bijës së Abihailit, xhaxhait të Mordekait, i cili e kishte marrë si vajzën e vet,+ i erdhi radha të shkonte te mbreti, ajo nuk kërkoi asgjë veç asaj që i rekomandoi Hegai, eunuku i mbretit dhe rojtari i grave. (Ndërkohë Estera fitonte pëlqimin e kujtdo që e shihte.) 16 Esterën e çuan te mbreti Asuer, në shtëpinë e tij mbretërore, në muajin e dhjetë, domethënë në muajin tebeth,* vitin e shtatë+ të mbretërimit të tij. 17 Mbreti e deshi Esterën më shumë se të gjitha gratë e tjera dhe ajo fitoi pëlqimin e miratimin e tij* më shumë se çdo virgjëreshë tjetër. Kështu ai i vuri në kokë vellon* mbretërore dhe e bëri mbretëreshë+ në vend të Vashtit.+ 18 Pastaj mbreti shtroi një gosti madhështore për të gjithë princat dhe shërbëtorët e tij, gostinë e Esterës. Veç kësaj, shpalli një amnisti në të gjitha provincat dhe ndau dhurata, se mbreti i kishte mundësitë.
19 Tani, kur virgjëreshat*+ u mblodhën për herë të dytë, Mordekai rrinte ulur te porta e mbretit. 20 Estera nuk kishte treguar asgjë për të afërmit e për popullin e saj,+ ashtu siç e kishte udhëzuar Mordekai. Ajo vazhdoi të bënte çfarë i thoshte ai, tamam si atëherë kur ishte nën kujdesin e tij.+
21 Ato ditë, teksa Mordekai rrinte ulur te porta e mbretit, Bigtani dhe Tereshi, dy zyrtarë të oborrit mbretëror, derëtarë, u zemëruan dhe komplotuan që ta vritnin* mbretin Asuer. 22 Por këtë gjë e mori vesh Mordekai dhe ia tregoi menjëherë mbretëreshës Ester. Atëherë ajo ia bëri të ditur këtë gjë mbretit në emër të Mordekait. 23 Kështu çështja u hetua dhe doli se ishte e vërtetë. Ata të dy u varën në shtyllë dhe çështja u dokumentua në prani të mbretit në librin e historisë së atyre kohëve.+