Libri i parë i Kronikave
21 Satanai* u ngrit kundër Izraelit dhe e nxiti Davidin të numëronte Izraelin.+ 2 Kështu Davidi i tha Joabit+ dhe krerëve të popullit: «Shkoni, numëroni Izraelin nga Ber-Sheba deri në Dan+ dhe kthehuni e më thoni numrin e tyre, që ta di.» 3 Por Joabi i tha: «Jehovai e shtoftë popullin e tij 100-fish! O mbret, zotëria im, a nuk janë të gjithë ata shërbëtorë të zotërisë tim? Pse vallë e kërkon një gjë të tillë zotëria im? Pse të bëhet ai shkak faji për Izraelin?»
4 Por fjala e mbretit doli më e fortë se ajo e Joabit, kështu që Joabi u largua e përshkoi gjithë Izraelin dhe pastaj mbërriti në Jerusalem.+ 5 Joabi i dha Davidit numrin e atyre që ishin regjistruar. Tërë Izraeli arrinte në 1.100.000 shpatarë, kurse Juda në 470.000 shpatarë.+ 6 Por fjala e mbretit ishte e neveritshme për Joabin+ dhe ai nuk i regjistroi Levin dhe Beniaminin mes tyre.+
7 Kjo nuk i pëlqeu aspak Perëndisë së vërtetë, kështu që ai vendosi ta ndëshkonte Izraelin. 8 Davidi i tha Perëndisë së vërtetë: «Mëkatova+ rëndë duke bërë këtë gjë. Tani, të lutem, falja fajin shërbëtorit tënd,+ sepse kam vepruar fare pa mend.»+ 9 Atëherë Jehovai i foli Gadit,+ vegimtarit* të Davidit: 10 «Shko dhe thuaji Davidit: “Kështu thotë Jehovai: ‘Po të jap tri mundësi. Zgjidh njërën dhe atë do të sjell mbi ty.’”» 11 Prandaj Gadi vajti te Davidi dhe i tha: «Kështu thotë Jehovai: ‘Zgjidh e merr: 12 të ketë për tre vjet zi buke;+ të të mundin për tre muaj kundërshtarët dhe të të zërë shpata e armiqve të tu;+ apo të ketë tri ditë ndëshkim nga shpata e Jehovait, gjatë të cilave do të ketë murtajë në vend+ dhe engjëlli i Jehovait do të sjellë shkatërrim+ në të gjithë territorin e Izraelit?’ Tani, mendohu për përgjigjen që duhet t’i jap Atij që më dërgoi.» 13 Atëherë Davidi i tha Gadit: «Ç’më rëndon një ankth në zemër! Më mirë të bie në duart e Jehovait, sepse mëshira e tij është shumë e madhe,+ por mos rënça në duart e njeriut!»+
14 Atëherë Jehovai dërgoi një murtajë+ në Izrael, kështu nga Izraeli vdiqën 70.000 veta.+ 15 Përveç kësaj, Perëndia i vërtetë dërgoi një engjëll në Jerusalem për ta shkatërruar. Por, sapo ishte gati të fillonte, Jehovai e pa dhe i erdhi keq* për këtë tragjedi,+ prandaj i tha engjëllit që do të shkatërronte: «Mjaft!+ Ule dorën.» Engjëlli i Jehovait po qëndronte pranë lëmit të Ornanit,+ jebusitit.+
16 Kur ngriti sytë, Davidi pa engjëllin e Jehovait që qëndronte ndërmjet tokës dhe qiejve. Ai kishte në dorë një shpatë+ që e mbante të shtrirë drejt Jerusalemit, prandaj menjëherë Davidi dhe pleqtë, të veshur me copë thesi,*+ ranë me fytyrë përtokë.+ 17 Davidi i tha Perëndisë së vërtetë: «A nuk isha unë që thashë të numërohej populli? Unë mëkatova! Unë bëra keq!+ Po këto dele, çfarë kanë bërë? Të lutem, o Jehova, Perëndia im, të ngrihet dora jote kundër meje dhe kundër shtëpisë së babait tim, por mos e sill këtë plagë mbi popullin tënd!»+
18 Atëherë engjëlli i Jehovait i tha Gadit+ që t’i thoshte Davidit të ngjitej për t’i ndërtuar një altar Jehovait në lëmin e Ornan jebusitit.+ 19 Prandaj Davidi u ngjit sipas fjalës që Gadi kishte thënë në emër të Jehovait. 20 Ornani po shinte grurë kur u kthye dhe pa engjëllin. Katër djemtë e tij, që ishin me të, u fshehën. 21 Kur Davidi erdhi tek Ornani, ky ngriti sytë dhe e vuri re; atëherë doli menjëherë nga lëmi dhe u përkul para Davidit me fytyrë përtokë. 22 Davidi i tha Ornanit: «Më shit* vendin ku është lëmi, që t’i ndërtoj një altar Jehovait. Ma shit aq sa bën, që të ndalet plaga kundër popullit tim.»+ 23 Por Ornani i tha Davidit: «Merre si të ishte yti, dhe zotëria im, mbreti, le të bëjë si t’i pëlqejë. Ja, po të jap edhe gjedhët për blatime të djegura, trinën shirëse*+ për dru dhe grurin si blatim në drithë. Po t’i jap të tëra.»
24 Megjithatë mbreti David i tha Ornanit: «Jo, unë duhet të ta blej për aq sa bën, sepse nuk do t’i jap Jehovait atë që është jotja, nuk do t’i bëj flijime të djegura që s’më kushtojnë asgjë.»+ 25 Kështu, për atë vend, Davidi i dha Ornanit peshën e 600 siklave* ari. 26 Atje Davidi i ndërtoi Jehovait një altar+ dhe bëri flijime të djegura e flijime në bashkësi. Pastaj iu lut Jehovait, i cili iu përgjigj duke dërguar nga qiejt zjarr+ mbi altarin e blatimit të djegur. 27 Kështu Jehovai e urdhëroi engjëllin+ që ta kthente shpatën në mill.* 28 Kur pa që Jehovai i ishte përgjigjur në lëmin e Ornan jebusitit, Davidi vazhdoi të bënte flijime atje. 29 Mirëpo, në atë kohë, tabernakulli i Jehovait që kishte bërë Moisiu në shkretëtirë dhe altari i blatimeve të djegura ishin në vendin e lartë në Gibeon.+ 30 Por Davidi nuk kishte shkuar para altarit për t’u konsultuar me Perëndinë, sepse ishte tmerruar nga shpata e engjëllit të Jehovait.