Libri i dytë i Samuelit
10 Më vonë, mbreti i amonitëve+ vdiq dhe në vend të tij u bë mbret i biri, Hanuni.+ 2 Me të dëgjuar këtë, Davidi tha: «Unë do t’i tregoj dashuri besnike Hanunit, birit të Nahashit, ashtu si babai i tij tregoi dashuri besnike ndaj meje.» Prandaj, Davidi dërgoi shërbëtorët e vet që ta ngushëllonin për vdekjen e të atit. Por, kur shërbëtorët e Davidit hynë në vendin e amonitëve, 3 princat e amonitëve i thanë Hanunit, zotërisë së tyre: «Vërtet mendon se Davidi të ka dërguar ngushëllues që të nderojë babanë tënd? A nuk t’i ka dërguar shërbëtorët e vet që të hetojnë mirë qytetin e të spiunojnë, dhe më pas ta shkatërrojnë?» 4 Atëherë Hanuni i mori shërbëtorët e Davidit, u rroi gjysmën e mjekrës,+ ua preu rrobat përgjysmë deri te vithet dhe i dëboi. 5 Kur i treguan për këtë, Davidi dërgoi menjëherë njerëz që t’u dilnin përpara shërbëtorëve të tij, sepse i kishin poshtëruar tej mase. Mbreti u tha: «Rrini në Jeriko,+ derisa t’ju rritet mjekra, dhe pastaj kthehuni.»
6 Me kalimin e kohës, amonitët e kuptuan se ishin bërë të neveritshëm për Davidin, prandaj dërguan lajmëtarë që të merrnin me pagesë 20.000 këmbësorë sirianë nga Beth-Rehobi+ dhe nga Zobahu.+ Gjithashtu morën me pagesë mbretin e Makahut+ me 1.000 burra dhe 12.000 burra nga Ishtobi.*+ 7 Kur e dëgjoi këtë, Davidi dërgoi Joabin dhe gjithë ushtrinë, ku përfshiheshin edhe luftëtarët e tij më të fuqishëm.+ 8 Amonitët dolën dhe u rreshtuan në formacion luftimi në hyrje të portës së qytetit. Kurse sirianët e Zobahut dhe të Rehobit, bashkë me Ishtobin* dhe Makahun, u rreshtuan më vete në fushë.
9 Kur pa se kundër tij po vinin dy forca sulmuese, njëra nga përpara dhe tjetra nga pas, Joabi zgjodhi disa nga ushtarët më të mirë të Izraelit dhe i rreshtoi në formacion luftimi që të ndesheshin me sirianët.+ 10 Pjesën tjetër të ushtarëve e vuri nën komandën* e Abishait,+ vëllait të vet, që t’i rreshtonte në formacion luftimi për t’u ndeshur me amonitët.+ 11 Pastaj i tha të vëllait: «Nëse sirianët janë më të fortë se unë, ti do të vish të më shpëtosh, por nëse amonitët janë më të fortë se ti, do të vij unë që të të shpëtoj. 12 Duhet të jemi të fortë dhe guximtarë+ për popullin tonë dhe për qytetet e Perëndisë tonë, dhe Jehovai do të bëjë si t’i duket më mirë.»+
13 Atëherë Joabi dhe njerëzit e tij marshuan që të luftonin kundër sirianëve, të cilët ia mbathën para tij.+ 14 Kur panë se sirianët ia kishin mbathur, edhe amonitët ia mbathën para Abishait dhe hynë në qytet. Pas kësaj lufte me amonitët, Joabi u kthye në Jerusalem.
15 Kur panë se Izraeli i kishte mundur, sirianët u mblodhën përsëri së bashku.+ 16 Atëherë Hadadezeri+ thirri sirianët që ishin në rajonin e Lumit,*+ dhe ata vajtën në Helam bashkë me Shobakun, kreun e ushtrisë së Hadadezerit, që u printe.
17 Sapo ia raportuan këtë, Davidi mblodhi menjëherë gjithë ushtrinë e Izraelit, kaloi Jordanin dhe vajti në Helam. Atëherë sirianët u rreshtuan në formacion luftimi përballë Davidit dhe luftuan kundër tij.+ 18 Por sirianët ia mbathën para Izraelit, dhe Davidi vrau 700 karrocierë e 40.000 kalorës sirianë; atje vrau edhe Shobakun, kreun e ushtrisë së tyre.+ 19 Kur panë që Izraeli i kishte mundur, gjithë mbretërit që ishin në shërbim të Hadadezerit, bënë menjëherë paqe me Izraelin dhe iu nënshtruan;+ sirianët kishin frikë që t’i ndihmonin përsëri amonitët.