Libri i dytë i Mbretërve
11 Tani, kur Atalia,+ nëna e Ahaziahut, pa që i biri kishte vdekur,+ u ngrit dhe shfarosi tërë linjën mbretërore.*+ 2 Mirëpo Jehosheba, bija e mbretit Jehoram, motra e Ahaziahut, mori Jehoasin,+ birin e Ahaziahut, e nxori vjedhurazi nga bijtë e mbretit që do të vriteshin dhe e fshehu bashkë me tajën* e tij në një dhomë gjumi. Ata arritën ta mbanin të fshehtë nga Atalia, kështu që ai nuk u vra. 3 Për gjashtë vjet, ai qëndroi i fshehur me të në shtëpinë e Jehovait, ndërkohë që në vend sundonte Atalia.
4 Vitin e shtatë Jehojada dërgoi të thërritnin krerët e qindësheve të truprojës mbretërore* dhe të rojave*+ të pallatit mbretëror, që të vinin tek ai në shtëpinë e Jehovait. Ai bëri një pakt* me ta dhe i vuri të betoheshin në shtëpinë e Jehovait. Pastaj u tregoi birin e mbretit.+ 5 Jehojada urdhëroi: «Do të bëni kështu: një e treta juaj do të jetë në detyrë në Sabat dhe do të ruajë mirë shtëpinë e mbretit,*+ 6 një e treta do të jetë në Portën e Themelit dhe një e treta do të jetë në portën prapa rojave të pallatit mbretëror. Do ta ruani tempullin me radhë. 7 Dy ndarjet që nuk janë në detyrë në Sabat, duhet të rrinë e të ruajnë mirë shtëpinë e Jehovait, për të mbrojtur mbretin. 8 Rrini rreth e qark mbretit, secili me armët e veta në dorë. Ai që hyn brenda radhëve, të vritet. Qëndroni me mbretin kudo që ai shkon.»*
9 Krerët e qindësheve+ bënë pikërisht atë që u urdhëroi prifti Jehojada. Kështu secili mori njerëzit e vet që ishin në detyrë atë Sabat, bashkë me ata që nuk ishin në detyrë atë Sabat, dhe vajtën te prifti Jehojada.+ 10 Atëherë prifti u dha krerëve të qindësheve heshtat dhe mburojat e rrumbullakëta të mbretit David, që ishin në shtëpinë e Jehovait. 11 Rojat e pallatit mbretëror+ zunë vend secili me armët e veta në dorë, nga ana e djathtë e shtëpisë deri në anën e majtë të saj, afër altarit,+ afër shtëpisë, pra përreth mbretit. 12 Pastaj Jehojada nxori birin e mbretit,+ i vuri në kokë kurorën* dhe Dëshminë.*+ Pasi e bënë mbret dhe e mirosën,* filluan të brohoritnin: «Rroftë mbreti!»+
13 Sapo dëgjoi zhurmën e popullit që vraponte, Atalia vajti te populli në shtëpinë e Jehovait.+ 14 Pastaj pa mbretin që qëndronte pranë shtyllës, sipas zakonit në raste të tilla.+ Me të ishin krerët dhe trumbetarët,+ ndërsa gjithë populli gëzonte dhe u binte trumbetave. Menjëherë Atalia shqeu rrobat dhe thirri: «Komplot! Komplot!» 15 Por prifti Jehojada i urdhëroi krerët e qindësheve,+ të emëruarit e ushtrisë: «Nxirreni nga radhët dhe vritni me shpatë këdo që i shkon pas!» Në fakt prifti kishte thënë: «Mos e vritni në shtëpinë e Jehovait.» 16 Kështu ata e kapën dhe, kur arritën në vendin ku kuajt hynin për në shtëpinë e mbretit,+ e vranë.
17 Pastaj Jehojada bëri një besëlidhje mes Jehovait, mbretit dhe popullit,+ se do të vazhdonin të ishin populli i Jehovait. Ai bëri edhe një besëlidhje mes mbretit dhe popullit.+ 18 Pas kësaj gjithë populli vajti në tempullin* e Baalit dhe rrëzoi altarët e tij;+ shëmbëlltyrat* e tij i bënë copë-copë,+ kurse Matanin, priftin e Baalit,+ e vranë para altarëve.
Pastaj prifti emëroi mbikëqyrës në shtëpinë e Jehovait.+ 19 Gjithashtu ai i mori krerët e qindësheve,+ truprojën mbretërore,* rojat e pallatit mbretëror+ dhe tërë popullin, që ta shoqëronin mbretin nga shtëpia e Jehovait për te shtëpia e mbretit, duke kaluar nga porta e rojave të pallatit mbretëror. Pastaj ai u ul në fronin e mbretërve.+ 20 Kështu gjithë populli gëzonte dhe qyteti pati paqe, sepse Atalinë e kishin vrarë me shpatë në shtëpinë e mbretit.