Libri i dytë i Mbretërve
14 Në vitin e dytë të mbretërimit të Jehoasit,+ birit të Jehoahazit, mbretit të Izraelit, Amaziahu, biri i Jehoasit, mbretit të Judës, u bë mbret. 2 Ai ishte 25 vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi 29 vjet në Jerusalem. Nëna e tij quhej Jehoadina dhe ishte nga Jerusalemi.+ 3 Ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait, por jo si Davidi,+ paraardhësi i tij. Ai bëri gjithçka si i ati, Jehoasi.+ 4 Megjithatë vendet e larta nuk u hoqën+ dhe populli flijonte ende në këto vende dhe paraqiste në to tym blatimesh.+ 5 Me të forcuar mbretërinë, Amaziahu vrau shërbëtorët që i kishin vrarë babanë, mbretin.+ 6 Por nuk vrau djemtë e vrasësve, duke vepruar sipas urdhrit të Jehovait, të shkruar në librin e Ligjit të Moisiut: «Baballarët nuk duhet të vdesin për mëkatin e fëmijëve, dhe fëmijët nuk duhet të vdesin për mëkatin e baballarëve. Gjithsekush duhet të ekzekutohet për mëkatin e vet.»+ 7 Ai vrau 10.000 burra edomitë+ në Luginën e Kripës,+ dhe arriti të pushtonte me luftë Selën,+ së cilës ia vunë emrin Jokthel, siç quhet edhe sot e kësaj dite.
8 Atëherë Amaziahu i dërgoi lajmëtarë Jehoasit, birit të Jehoahazit, që ishte biri i Jehut, mbretit të Izraelit, për t’i thënë: «Të ndeshemi në betejë!»*+ 9 Jehoasi, mbreti i Izraelit, i dërgoi këtë mesazh Amaziahut, mbretit të Judës: «Gjembaçi i Libanit dërgoi t’i thoshin cedrit të Libanit: ‘Ma jep vajzën tënde si nuse për djalin tim.’ Por një egërsirë e Libanit kaloi andej dhe e shkeli gjembaçin. 10 Vërtet, e munde Edomin,+ dhe zemra t’u bë arrogante. Kënaqu me lavdinë që ke, por qëndro në shtëpinë tënde.* Pse të marrësh në qafë veten dhe Judën bashkë me ty?» 11 Por Amaziahu nuk dëgjoi.+
Kështu Jehoasi, mbreti i Izraelit, shkoi dhe u ndesh në betejë me Amaziahun, mbretin e Judës, në Beth-Shemesh+ të Judës.+ 12 Juda u mund nga Izraeli, kështu që secili ia mbathi në shtëpinë* e vet. 13 Jehoasi, mbreti i Izraelit, e kapi rob në Beth-Shemesh Amaziahun, mbretin e Judës, birin e Jehoasit, që ishte biri i Ahaziahut. Pastaj ata vajtën në Jerusalem, dhe ai hapi një të çarë 400 kute* në murin e Jerusalemit, nga Porta e Efraimit+ deri në Portën e Qoshes.+ 14 Ai mori tërë arin dhe argjendin, si dhe gjithë sendet që ishin në shtëpinë e Jehovait dhe në thesarin e shtëpisë së mbretit. Mori edhe pengje, e më pas u kthye në Samari.
15 Pjesa tjetër e historisë së Jehoasit, gjithçka bëri, bëmat e tij dhe si luftoi kundër Amaziahut, mbretit të Judës, a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Izraelit? 16 Në fund Jehoasi u preh me paraardhësit e vet dhe e varrosën në Samari+ me mbretërit e Izraelit; në vend të tij u bë mbret i biri, Jeroboami.*+
17 Amaziahu,+ biri i Jehoasit, mbretit të Judës, jetoi edhe 15 vjet pas vdekjes së Jehoasit,+ birit të Jehoahazit, mbretit të Izraelit.+ 18 Pjesa tjetër e historisë së Amaziahut, a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Judës? 19 Së fundi kundër Amaziahut thurën një komplot+ në Jerusalem dhe ai ia mbathi në Lakish, por dërguan njerëz që ta ndiqnin, të cilët e vranë në Lakish. 20 Kështu e sollën me kuaj dhe e varrosën me paraardhësit e tij në Qytetin e Davidit, në Jerusalem.+ 21 Atëherë tërë populli i Judës mori Azariahun,*+ që ishte 16 vjeç,+ dhe e bëri mbret në vend të babait, Amaziahut.+ 22 Azariahu e pushtoi Elathin+ për Judën dhe e rindërtoi, pasi mbreti* u preh me paraardhësit e tij.+
23 Në vitin e 15-të të mbretërimit të Amaziahut, birit të Jehoasit, mbretit të Judës, Jeroboami,+ biri i Jehoasit, mbretit të Izraelit, u bë mbret në Samari e mbretëroi 41 vjet. 24 Ai bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait dhe nuk hoqi dorë nga gjithë mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, me të cilat e kishte shtyrë edhe Izraelin të mëkatonte.+ 25 Ai rivendosi kufirin e Izraelit, që nga Lebo-Hamathi*+ deri në detin e Arabahut,*+ sipas fjalës që tha Jehovai, Perëndia i Izraelit, me anë të shërbëtorit të tij Jonait,+ birit të Amitait, profetit nga Gath-Heferi.+ 26 Se Jehovai e kishte parë mundimin shumë të madh të Izraelit.+ Nuk kishin mbetur as të pambrojturit dhe as të dobëtit; nuk kishte as edhe një që t’i vinte në ndihmë Izraelit. 27 Por Jehovai kishte premtuar se nuk do ta shuante emrin e Izraelit nën qiell.+ Prandaj e shpëtoi me anë të dorës së Jeroboamit, birit të Jehoasit.+
28 Pjesa tjetër e historisë së Jeroboamit, gjithçka bëri dhe gjithë bëmat e tij, si luftoi dhe si ia riktheu Damaskun+ e Hamathin+ Judës në Izrael, a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Izraelit? 29 Në fund Jeroboami u preh me paraardhësit e tij, me mbretërit e Izraelit; në vend të tij u bë mbret i biri, Zakaria.+