Ezekieli
25 Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma: 2 «Bir njeriu, ktheje fytyrën nga amonitët+ dhe profetizo kundër tyre.+ 3 Thuaju amonitëve: “Dëgjoni fjalët e Zotërisë Sovran Jehova. Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Meqenëse ti, o Amon, ke thënë: “Ah, sa mirë!” kur shenjtërorja ime u përdhos, kur vendi i Izraelit u shkretua e kur shtëpia e Judës mërgoi, 4 unë do të të dorëzoj në duart e popujve të Lindjes që të bëhesh pronë e tyre. Ata do të ngrenë brenda teje kampe* e do të vënë atje tendat e tyre. Ata do të hanë frytet e vendit tënd dhe do të pinë qumështin e kopeve të tua. 5 Unë do ta kthej Rabahun+ në kullotë devesh dhe vendin e amonitëve në vathë kopesh. Atëherë keni për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.’”
6 Prandaj kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Meqenëse ke përplasur duart+ e këmbët dhe gjithë përçmim ke gëzuar për të keqen e Izraelit,+ 7 unë do ta ngre dorën kundër teje, që të të lë në duart e kombeve si plaçkë. Do të të shfaros nga popujt e do të të zhduk nga çdo vend.+ Unë do të të shuaj, e ti ke për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.’
8 Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: “Meqenëse Moabi+ dhe Seiri+ thanë: ‘Shtëpia e Judës është njësoj si gjithë kombet e tjera’, 9 unë do ta lë të pambrojtur atë anë* të Moabit ku janë qytetet e tij kufitare, bukurinë* e vendit të tij, nga Beth-Jeshimoti, Baal-Meoni e deri në Kiriataim.+ 10 Bashkë me amonitët do t’ua jap si pronë popujve të Lindjes,+ e kështu amonitët nuk do të kujtohen më mes kombeve.+ 11 Do të ekzekutoj vendimin tim gjyqësor kundër Moabit,+ dhe ata kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.”
12 Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: “Me shpirt hakmarrës, Edomi ka dalë kundër shtëpisë së Judës dhe është bërë me faj të madh ngaqë ka marrë hak;+ 13 prandaj, ja çfarë thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Edhe kundër Edomit do ta ngre dorën, do të shfaros njerëz e bagëti, e do ta kthej në një vend të shkretë; nga Temani deri në Dedan+ ata do të bien të vdekur nga shpata.+ 14 Do të hakmerrem kundër Edomit me anë të popullit tim, Izraelit.+ Ata do të derdhin zemërimin dhe tërbimin tim mbi Edomin, e kështu Edomi do të provojë hakmarrjen time’”,+—thotë Zotëria Sovran Jehova.
15 Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: “Meqenëse filistinët janë përpjekur me shpirtligësi* të hakmerren e ta shkatërrojnë Izraelin, të shtyrë nga një armiqësi e vjetër,+ 16 ja çfarë thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Unë do ta ngre dorën kundër filistinëve,+ do të shfaros keretitët+ dhe do të shuaj të gjithë banorët që do të mbeten në bregdet.+ 17 Ata kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai kur të hakmerrem kundër tyre, po, kur të hakmerrem keqas kundër tyre duke i ndëshkuar ashpër.’”»