Libri i dytë i Kronikave
11 Sapo mbërriti në Jerusalem, Rehoboami mblodhi menjëherë shtëpinë e Judës dhe Beniaminin,+ 180.000 luftëtarë të stërvitur,* që të luftonin kundër Izraelit, me qëllim që t’ia kthenin mbretërinë Rehoboamit.+ 2 Atëherë fjala e Jehovait iu drejtua Shemajahut,+ njeriut të Perëndisë së vërtetë: 3 «Thuaji Rehoboamit, birit të Solomonit, mbretit të Judës, gjithë izraelitëve në Judë dhe Beniaminit: 4 “Kështu thotë Jehovai: ‘Mos dilni të luftoni kundër vëllezërve tuaj. Secili të kthehet në shtëpinë e vet, sepse unë bëra që të ndodhë kjo gjë.’”»+ Kështu, ata iu bindën fjalës së Jehovait dhe u kthyen e nuk shkuan kundër Jeroboamit.
5 Rehoboami banoi në Jerusalem dhe fortifikoi qytete në Judë. 6 Kështu, ai fortifikoi* Betlehemin,+ Etamin, Tekoan,+ 7 Beth-Zurin, Sokon,+ Adulamin,+ 8 Gathin,+ Mareshahun, Zifin,+ 9 Adoraimin, Lakishin,+ Azekahun,+ 10 Zorahun, Ajalonin+ dhe Hebronin.+ Këto ishin qytetet që u fortifikuan në Judë dhe në Beniamin. 11 Më tej i përforcoi qytetet e fortifikuara, vuri në to komandantë dhe u siguroi ushqim, vaj e verë. 12 Ai siguroi edhe mburoja të mëdha e heshta për të gjitha qytetet, të cilat i përforcoi edhe më shumë. Rehoboami vazhdoi të mbretëronte në Judë dhe në Beniamin.
13 Priftërinjtë dhe levitët që ishin në tërë Izraelin erdhën nga territoret e tyre dhe morën anën e tij. 14 Levitët lanë kullotat e zotërimet e tyre+ dhe erdhën në Judë e në Jerusalem, ngaqë Jeroboami dhe bijtë e tij i kishin hequr nga shërbimi si priftërinj të Jehovait.+ 15 Pastaj Jeroboami i emëroi vetë priftërinjtë e tij për vendet e larta,+ për demonët në formë cjapi*+ dhe për viçat që kishte bërë.+ 16 Nga të gjitha fiset e Izraelit, njerëzit që e kërkonin me gjithë zemër Jehovain, Perëndinë e Izraelit, shkuan pas priftërinjve dhe levitëve në Jerusalem për t’i bërë flijime Jehovait, Perëndisë së paraardhësve të tyre.+ 17 Për tre vjet ata forcuan mbretërinë e Judës dhe mbështetën Rehoboamin, birin e Solomonit, sepse gjatë atyre tre vjetëve ecën në gjurmët e Davidit dhe të Solomonit.
18 Pastaj Rehoboami mori për grua Mahalatën, vajzën e Jerimotit, birit të Davidit, dhe të Abihailës, vajzës së Eliabit,+ birit të Jeseut. 19 Ajo i lindi këta djem: Jeushin, Shemariahun dhe Zahamin. 20 Më vonë u martua me Makahën, mbesën e Absalomit.+ Pas ca kohësh, ajo i lindi Abijahun,+ Atain, Zizain dhe Shelomitin. 21 Rehoboami e donte Makahën, mbesën e Absalomit, më shumë se gjithë gratë dhe konkubinat* e tij,+ pasi ai mori 18 gra e 60 konkubina dhe u bë baba i 28 djemve dhe i 60 vajzave. 22 Prandaj Rehoboami caktoi Abijahun, birin e Makahës, si krye dhe prijës të vëllezërve të tij, sepse kishte ndër mend ta bënte mbret. 23 Megjithatë ai veproi me mend duke i dërguar* disa nga bijtë e tij në tërë rajonet e Judës dhe të Beniaminit, në tërë qytetet e fortifikuara.+ U dha ushqim me bollëk dhe u gjeti shumë gra.