Libri i parë i Mbretërve
16 Atëherë me anë të Jehut,+ birit të Hananit,+ Jehovai i drejtoi Bashës këto fjalë: 2 «Të ngrita nga pluhuri dhe të bëra prijës të popullit tim, Izraelit,+ por ti vazhdove të ecje në gjurmët e Jeroboamit dhe e bëre të mëkatonte popullin tim, Izraelin, kështu që ata më fyen me mëkatet e tyre.+ 3 Prandaj unë do t’i vë fshesën gjithë shtëpisë sate dhe do të bëj me shtëpinë tënde ashtu si bëra me shtëpinë e Jeroboamit,+ birit të Nebatit. 4 Ata të shtëpisë sate që do të vdesin në qytet, do t’i hanë qentë, kurse ata që do të vdesin në arë, do t’i hanë zogjtë e qiellit.»
5 Pjesa tjetër e historisë së Bashës, ato që bëri dhe bëmat e tij, a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Izraelit? 6 Në fund Basha u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në Tirzah;+ në vend të tij u bë mbret i biri, Elahu. 7 Gjithashtu, me anë të profetit Jehu, birit të Hananit, Jehovai tha se Basha dhe shtëpia e tij do të bëheshin si shtëpia e Jeroboamit, jo vetëm sepse bëri gjithë atë të keqe me duart e tij në sytë e Jehovait, duke e fyer atë, por edhe sepse vrau Nadabin.+
8 Në vitin e 26-të të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës, Elahu, biri i Bashës u bë mbret i Izraelit në Tirzah. Ai mbretëroi dy vjet. 9 Shërbëtori i vet, Zimri, kreu që mbikëqyrte gjysmën e karrocave të luftës, komplotoi kundër Elahut ndërsa ky ishte në Tirzah duke u dehur në shtëpinë e Arzait, përgjegjësit të shtëpisë së mbretit në Tirzah. 10 Zimri hyri brenda, e goditi dhe e vrau;+ pastaj u bë mbret në vend të tij. Kjo ndodhi në vitin e 27-të të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës. 11 Sapo u bë mbret dhe u ul në fron, ai vrau të gjithë ata të shtëpisë së Bashës. Nuk ia kurseu jetën asnjë mashkulli,* qoftë të afërmve* a miqve të tij. 12 Kështu Zimri shfarosi tërë shtëpinë e Bashës, sipas fjalës që kishte thënë Jehovai kundër Bashës me anë të profetit Jehu.+ 13 E gjithë kjo ndodhi për shkak të gjithë mëkateve që kishin bërë Basha dhe Elahu, biri i tij, me të cilat kishin shtyrë edhe Izraelin të mëkatonte duke e fyer Jehovain, Perëndinë e Izraelit, me idhujt e tyre të kotë.+ 14 Pjesa tjetër e historisë së Elahut, gjithçka bëri, a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Izraelit?
15 Në vitin e 27-të të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës, Zimri mbretëroi shtatë ditë në Tirzah, ndërkohë që trupat ushtarake kishin ngritur kampin për të luftuar kundër Gibetonit+ të filistinëve. 16 Pastaj trupat ushtarake dëgjuan të thuhej: «Zimri ka komplotuar kundër mbretit dhe e ka vrarë.» Kështu atë ditë, në kamp, tërë Izraeli bëri mbret Omrin,+ kreun e ushtrisë. 17 Omri bashkë me gjithë Izraelin erdhën nga Gibetoni dhe rrethuan Tirzahun. 18 Kur pa që qyteti ishte pushtuar, Zimri hyri në kullën e fortifikuar të shtëpisë së mbretit.* Ai i vuri zjarrin shtëpisë, e kështu vdiq edhe vetë brenda.+ 19 Kjo ndodhi si pasojë e mëkateve që kishte kryer, duke bërë atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait, pasi kishte ecur në gjurmët e Jeroboamit, dhe për shkak të mëkatit që kishte shtyrë Izraelin të mëkatonte.+ 20 Pjesa tjetër e historisë së Zimrit, si dhe komploti që thuri, a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Izraelit?
21 Në atë kohë, populli i Izraelit ishte ndarë në dy pjesë. Një pjesë ndoqi Tibnin, birin e Ginatit, dhe donte ta bënte mbret, ndërsa pjesa tjetër ndoqi Omrin. 22 Por populli që ndiqte Omrin mposhti ata që ndiqnin Tibnin, birin e Ginatit. Kështu Tibni vdiq, kurse Omri u bë mbret.
23 Omri u bë mbret në Izrael në vitin e 31-të të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës, dhe mbretëroi 12 vjet. Në Tirzah mbretëroi 6 vjet. 24 Ai bleu nga Shemeri malin e Samarisë për dy talenta* argjendi. Në këtë mal ndërtoi një qytet, të cilit ia vuri emrin Samari,*+ sipas emrit të Shemerit, pronarit* të malit. 25 Omri vazhdoi të bënte atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait dhe veproi më keq se të gjithë pararendësit e tij.+ 26 Ai eci plotësisht në gjurmët e Jeroboamit, birit të Nebatit, dhe kreu po ato mëkate me të cilat kishte shtyrë edhe Izraelin të mëkatonte, duke e fyer Jehovain, Perëndinë e Izraelit, me idhujt e tyre të kotë.+ 27 Pjesa tjetër e historisë së Omrit, ato që bëri dhe bëmat e tij, a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Izraelit? 28 Më vonë Omri u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në Samari; në vend të tij u bë mbret i biri, Akabi.+
29 Akabi, biri i Omrit, u bë mbret i Izraelit në vitin e 38-të të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës. Ai mbretëroi 22 vjet në Samari si mbret i Izraelit.+ 30 Në sytë e Jehovait, Akabi, biri i Omrit, ishte më i keq se të gjithë pararendësit e tij.+ 31 Dhe sikur të mos mjaftonte që kreu të njëjtat mëkate që bëri Jeroboami,+ biri i Nebatit, mori për grua Jezebelën,+ bijën e Etbaalit, mbretit të sidonitëve,+ dhe filloi t’i shërbente Baalit+ e të përkulej para atij. 32 Veç kësaj ngriti një altar për Baalin+ në tempullin* që kishte ndërtuar për të në Samari. 33 Akabi bëri edhe shtyllën e shenjtë.*+ Ai bëri gjëra të këqija që e fyenin Jehovain, Perëndinë e Izraelit, më shumë se gjithë mbretërit e Izraelit që kishin qenë para tij.
34 Gjatë mbretërimit të Akabit, betheliti Hiel rindërtoi Jerikonë. Themelet i hodhi duke e paguar me jetën e Abiramit, të parëlindurit të tij, ndërsa portat e qytetit i ngriti duke e paguar me jetën e Segubit, djalit më të vogël, sipas fjalës që tha Jehovai me anë të Josiut, birit të Nunit.+