Levitiku
1 Dhe Jehovai thirri Moisiun e i tha nga tenda e takimit:*+ 2 «Thuaju izraelitëve:* ‘Nëse ndonjëri nga ju do t’i paraqitë Jehovait një blatim nga kafshët shtëpiake, duhet ta marrë blatimin nga bagëtia e imët ose e trashë.+
3 Nëse bën një blatim të djegur nga bagëtia e trashë, duhet të paraqitë një mashkull të shëndetshëm,+ të cilin do t’ia paraqitë Jehovait me vullnet të lirë+ në hyrje të tendës së takimit. 4 Ai do të vërë dorën mbi kokën e kafshës që do të përdoret për blatimin e djegur, dhe blatimi i tij do të pranohet që t’i shlyhen mëkatet.
5 Pastaj demi i ri duhet therur para Jehovait, dhe djemtë e Aronit, priftërinjtë,+ do të paraqitin gjakun e me të do të spërkatin të gjitha anët e altarit,+ që gjendet në hyrje të tendës së takimit. 6 Blatimi i djegur duhet rrjepur e duhet ndarë në copa.+ 7 Djemtë e Aronit, priftërinjtë, do të vënë zjarr mbi altar+ dhe do të sistemojnë drutë në zjarr. 8 Djemtë e Aronit, priftërinjtë, do t’i sistemojnë copat e mishit+ bashkë me kokën dhe dhjamin e veshkave sipër druve të zjarrit që është ndezur mbi altar. 9 Zorrët dhe kërcinjtë duhen larë me ujë, dhe prifti do t’i vërë të gjitha këto mbi altar që të digjen e të nxjerrin tym si blatim i djegur, një blatim i bërë me zjarr, me aromë të këndshme* për Jehovain.+
10 Nëse bën një blatim të djegur nga bagëtitë e imëta,+ nga dhentë a nga dhitë, do të paraqitë një mashkull të shëndetshëm.+ 11 Blatimi duhet therur në anën veriore të altarit, para Jehovait, dhe djemtë e Aronit, priftërinjtë, do të spërkatin me gjakun e tij altarin në të gjitha anët.+ 12 Blatimi duhet ndarë në copa dhe, bashkë me kokën e dhjamin e veshkave, prifti do ta sistemojë sipër druve të zjarrit që është ndezur mbi altar. 13 Zorrët dhe kërcinjtë duhen larë me ujë, dhe prifti do t’i paraqitë e do t’i vërë të gjitha këto mbi altar që të digjen e të nxjerrin tym. Ky është një blatim i djegur, një blatim i bërë me zjarr, me aromë të këndshme* për Jehovain.
14 Por nëse paraqit zogj si blatim të djegur për Jehovain, ai do të paraqitë si blatim turtuj ose zogj pëllumbash.+ 15 Prifti do ta çojë tek altari e do t’ia çajë pak gushën, e pastaj do ta vërë të digjet e të nxjerrë tym mbi altar, kurse gjakun do t’ia kullojë në anë të altarit. 16 Do t’ia heqë gushën dhe puplat e do t’ia hedhë afër altarit, në anën lindore, te vendi i hirit.*+ 17 Do ta çajë mes krahëve, por nuk do ta ndajë më dysh. Pastaj prifti do ta vërë mbi altar që të digjet e të nxjerrë tym sipër druve të zjarrit. Ky është një blatim i djegur, një blatim i bërë me zjarr, me aromë të këndshme* për Jehovain.