Estera
6 Atë natë mbretin nuk e zinte gjumi,* ndaj dha urdhër që t’i sillnin librin ku dokumentohej historia e atyre kohëve.+ Libri iu lexua mbretit 2 dhe u gjet e shkruar ajo që kishte raportuar Mordekai për Bigtanin dhe Tereshin, dy zyrtarë të oborrit mbretëror, derëtarë, të cilët kishin komplotuar të vritnin* mbretin Asuer.+ 3 Mbreti pyeti: «Si është nderuar dhe si i është treguar vlerësim Mordekait për këtë?» Shërbëtorët personalë të mbretit iu përgjigjën: «Asgjë nuk është bërë për të.»
4 Më vonë mbreti tha: «Kush është në oborr?» Ndërkohë Hamani kishte hyrë në oborrin e jashtëm+ të shtëpisë së mbretit* për t’i thënë që të varte Mordekain në shtyllën që kishte bërë për të.+ 5 Shërbëtorët iu përgjigjën mbretit: «Në oborr është Hamani.»+ Atëherë mbreti tha: «Thuajini të hyjë!»
6 Kur Hamani hyri, mbreti i tha: «Çfarë duhet bërë për atë njeri që mbreti dëshiron ta nderojë?» Hamani tha me vete: «Kë tjetër, veç meje, do të donte të nderonte mbreti?!»+ 7 Prandaj ia ktheu: «Për atë njeri që mbreti dëshiron ta nderojë, 8 le të sjellin veshjen mbretërore+ që vesh mbreti, një kalë mbi të cilin kalëron mbreti dhe në kokë t’i vihet çallma mbretërore. 9 Pastaj veshja dhe kali të lihen nën kujdesin e njërit prej princave më të rëndësishëm të mbretit, dhe me to të veshin njeriun që mbreti dëshiron ta nderojë. Më pas ta hipin mbi kalë e ta çojnë në sheshin e qytetit duke thirrur para tij: ‘Ja çfarë bëhet për atë njeri që mbreti dëshiron ta nderojë!’»+ 10 Menjëherë mbreti i tha Hamanit: «Shpejt! Merr veshjen e kalin dhe bëj këtë që sapo the për Mordekain, judeun që rri ulur te porta e mbretit. Të mos lësh pa bërë asgjë nga ato që the.»
11 Kështu Hamani mori veshjen dhe kalin, veshi Mordekain,+ e hipi mbi kalë dhe e çoi në sheshin e qytetit, duke thirrur para tij: «Ja çfarë bëhet për atë njeri që mbreti dëshiron ta nderojë!» 12 Pas kësaj, Mordekai u kthye te porta e mbretit, kurse Hamani nxitoi për në shtëpi i pikëlluar me kokën mbuluar. 13 Kur ai i tregoi Zereshës,+ së shoqes, dhe tërë miqve të tij gjithë sa i kishin ndodhur, të mençurit që mbante rreth vetes dhe Zeresha, e shoqja, i thanë: «Nëse Mordekai, i cili ka filluar të të mposhtë, është pasardhës i judenjve,* ti s’ke për të fituar; me siguri do të humbësh përpara tij.»
14 Ndërkohë që ata ishin ende duke folur me të, mbërritën zyrtarët e oborrit mbretëror dhe e çuan me nxitim Hamanin në gostinë që kishte përgatitur Estera.+