Zakaria
6 Pastaj ngrita përsëri sytë dhe pashë katër karroca që po dilnin mes dy maleve, dhe malet ishin prej bakri. 2 Karroca e parë kishte kuaj të kuq, kurse karroca e dytë, kuaj të zinj.+ 3 Karroca e tretë kishte kuaj të bardhë, kurse karroca e katërt kishte kuaj pikaloshë e laroshë.+
4 E pyeta engjëllin që po fliste me mua: «Çfarë janë këto, imzot?»
5 Engjëlli m’u përgjigj: «Janë katër krijesat+ qiellore* që po dalin, pasi kishin zënë vend para Zotërisë së mbarë tokës.+ 6 Ajo* me kuaj të zinj del për në vendin e veriut;+ të bardhët dalin për të shkuar në vendin e perëndimit;* pikaloshët për në vendin e jugut. 7 Laroshët donin me zjarr të përshkonin tokën.» Atëherë ai tha: «Shkoni, përshkojeni tokën!» Dhe ata u nisën ta përshkonin tokën.
8 Pastaj ai më thirri e më tha: «Jehovait iu fashit zemërimi ndaj vendit të veriut falë kuajve që shkuan atje.»
9 Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma: 10 «Merr nga Heldai, nga Tobiahu dhe nga Jedajahu atë që kanë sjellë nga të mërguarit. Atë ditë duhet të hysh në shtëpinë e Josisë, birit të Sofonisë, bashkë me këta që kanë ardhur nga Babilonia. 11 Merr argjend e ar, bëj një kurorë* dhe vërja në kokë kryepriftit Josi,+ birit të Jehozadakut. 12 Thuaji atij:
“Kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Ja ku është njeriu që quhet Filiz.+ Ai do të mbijë në vendin e vet dhe do të ndërtojë tempullin e Jehovait.+ 13 Ai do ta ndërtojë tempullin e Jehovait dhe do të mbulohet me lavdi. Ai do të ulet dhe do të mbretërojë në fronin e tij e do të bëhet prift në fronin e tij;+ të dyja rolet* do të jenë në harmoni me njëra-tjetrën. 14 Kurora* do të shërbejë si përmendore* në tempullin e Jehovait për Helemin, Tobiahun, Jedajahun+ dhe Henin, birin e Sofonisë. 15 Ata që janë larg, do të vijnë dhe do të marrin pjesë në ndërtimin e tempullit të Jehovait.’ E, do ta merrni vesh se te ju më ka dërguar vetë Jehovai i ushtrive. Këto gjëra do të ndodhin nëse i bindeni plotësisht zërit të Jehovait, Perëndisë tuaj.”»