Libri i dytë i Samuelit
3 Lufta mes shtëpisë së Saulit dhe shtëpisë së Davidit zgjati shumë. Davidi bëhej gjithnjë e më i fortë,+ kurse shtëpia e Saulit dobësohej gjithnjë e më shumë.+
2 Ndërkohë Davidit i lindën disa bij në Hebron.+ I parëlinduri i tij ishte Amnoni+ nga jezrelitja Ahinoam,+ 3 i dyti ishte Kileabi nga Abigaila,+ vejusha e karmelitit Nabal, i treti ishte Absalomi,+ biri i Makahës, bijës së Talmait,+ mbretit të Geshurit, 4 i katërti ishte Adonijahu,+ biri i Hagitës, i pesti ishte Shefatiahu, biri i Abitalës, 5 i gjashti ishte Ithreami nga Egla, gruaja e Davidit. Këta ishin djemtë që i lindën Davidit në Hebron.
6 Ndërsa vazhdonte lufta mes shtëpisë së Saulit dhe shtëpisë së Davidit, Abneri+ forconte gjithnjë e më shumë pozitën e tij në shtëpinë e Saulit. 7 Tani, Sauli kishte pasur një konkubinë* që quhej Rizpa,+ bijë e Ajahut. Një ditë, Ish-Boshethi+ i tha Abnerit: «Pse pate marrëdhënie me konkubinën e babait tim?»+ 8 Abneri u zemërua shumë nga fjalët e Ish-Boshethit dhe i tha: «Mos jam ndonjë qen* nga Juda unë?! Deri më sot kam treguar dashuri besnike ndaj shtëpisë së Saulit, atit tënd, vëllezërve e miqve të tij, dhe nuk të dorëzova në duart e Davidit. E sot ti më kërkon llogari për gabimin që bëra me një grua? 9 Perëndia më ndëshkoftë ashpër, në qoftë se nuk bëj për Davidin, ashtu siç iu betua Jehovai:+ 10 do ta kaloj mbretërinë nga shtëpia e Saulit te Davidi, fronin e të cilit do ta vendos në Izrael dhe Judë, nga Dani në Ber-Shebë.»+ 11 Ai nuk mundi t’i thoshte as edhe një fjalë më tepër Abnerit, sepse ia kishte frikën.+
12 Menjëherë Abneri i dërgoi Davidit lajmëtarë dhe i tha: «Kujt i përket vendi?» Pastaj shtoi: «Bëj një besëlidhje me mua dhe unë do të bëj gjithë sa mundem* për ta kthyer tërë Izraelin në anën tënde.»+ 13 Davidi iu përgjigj: «Mirë! Do ta bëj besëlidhjen me ty, vetëm me një kusht: kur të vish të më takosh, mos më dil para po nuk më solle më parë Mikalën,+ vajzën e Saulit.» 14 Pastaj Davidi i dërgoi lajmëtarë Ish-Boshethit,+ birit të Saulit, dhe i tha: «Më jep gruan time, Mikalën, me të cilën u fejova për 100 lafsha filistinësh.»+ 15 Kështu Ish-Boshethi dërgoi njerëz që ta merrnin nga i shoqi, Paltieli,+ biri i Laishit. 16 Por i shoqi i shkoi nga pas dhe e ndoqi duke qarë deri në Bahurim,+ ku Abneri i tha: «Kthehu!» Atëherë ai u kthye.
17 Ndërkohë Abneri u dërgoi fjalë pleqve të Izraelit dhe u tha: «Ka kohë që doni ta keni Davidin si mbretin tuaj. 18 Tani është koha për të vepruar, sepse Jehovai tha për Davidin: ‘Nëpërmjet dorës së shërbëtorit tim, Davidit,+ do ta shpëtoj popullin tim, Izraelin, nga dora e filistinëve dhe nga dora e gjithë armiqve të tij.’» 19 Pastaj Abneri i foli popullit të Beniaminit.+ Gjithashtu shkoi të fliste veçmas me Davidin në Hebron që t’i tregonte për çfarë kishin rënë dakord Izraeli dhe tërë shtëpia e Beniaminit.
20 Kur Abneri bashkë me 20 burra vajti te Davidi në Hebron, Davidi shtroi një gosti për ta. 21 Pastaj Abneri i tha Davidit: «Zotëria im mbret, më lejo të iki e të mbledh gjithë Izraelin pranë teje, që të bëjnë një besëlidhje me ty, dhe ti ke për t’u bërë mbret mbi gjithçka që dëshiron.»* Prandaj Davidi e la të ikte Abnerin, dhe ai u largua në paqe.
22 Pikërisht në atë kohë, shërbëtorët e Davidit dhe Joabi u kthyen nga një sulm dhe sollën plaçkë me bollëk. Abneri nuk ishte më në Hebron me Davidin, sepse ky e kishte lënë të shkonte në paqe. 23 Kur Joabi+ arriti bashkë me gjithë ushtrinë që kishte me vete, atij i treguan: «Abneri,+ biri i Nerit,+ erdhi te mbreti dhe ai e la të ikte në paqe.» 24 Atëherë Joabi hyri te mbreti dhe i tha: «Ç’bëre kështu? Abneri erdhi te ti, dhe ti e le të ikte pa problem?! 25 Ti e njeh Abnerin, birin e Nerit! Ai erdhi këtu që të ta hedhë, të marrë vesh të gjitha lëvizjet e tua dhe të dijë gjithçka që po bën.»
26 Atëherë Joabi iku nga Davidi dhe dërgoi lajmëtarë pas Abnerit, të cilët e arritën te sterna* e Sirahut dhe e kthyen mbrapsht; por Davidi nuk dinte gjë. 27 Kur Abneri u kthye në Hebron,+ Joabi e mori mënjanë brenda portës së qytetit që të flitnin vetëm për vetëm. Por aty i nguli shpatën në bark, dhe ai vdiq.+ Kështu mori hak për vdekjen* e të vëllait, Asahelit.+ 28 Kur dëgjoi më vonë për këtë, Davidi tha: «Unë dhe mbretëria ime jemi përjetë të pafajshëm para Jehovait për gjakun+ e Abnerit, birit të Nerit. 29 Ky gjak rëntë mbi kokën e Joabit+ dhe mbi tërë shtëpinë e babait të tij! Pastë gjithmonë në shtëpinë e Joabit burra që vuajnë nga rrjedhja,*+ të lebrosur,+ që tjerrin në furkë,* që bien të vdekur nga shpata ose që s’kanë bukë të hanë!»+ 30 Kështu Joabi dhe Abishai,+ vëllai i tij, e vranë Abnerin,+ sepse ai u kishte vrarë të vëllanë, Asahelin, në betejën+ e Gibeonit.
31 Pastaj Davidi i tha Joabit dhe njerëzve që ishin me të: «Shqyeni rrobat, vishuni me copë thesi* dhe vajtoni për Abnerin.» Vetë mbreti David ecte pas vigut* të varrimit. 32 Abnerin e varrosën në Hebron dhe mbreti ia dha të qarit te varri i Abnerit. Mbarë populli shpërtheu në lot. 33 Mbreti ia mori një kënge të përvajshme për Abnerin e tha:
«A duhej të vdiste Abneri si vdes një i pamend?
Ti re si ai që bie nga kriminelët.»*+
Atëherë populli qau përsëri për të.
35 Më vonë gjithë populli erdhi që ta bindte Davidin të hante* sa s’kishte mbaruar ende dita, por Davidi u betua: «Perëndia më ndëshkoftë ashpër, nëse ha bukë a gjë tjetër para se të perëndojë dielli!»+ 36 Të gjithë popullit i bëri përshtypje kjo, dhe i pëlqeu. Si çdo gjë që bënte mbreti, edhe kjo i pëlqeu popullit. 37 Kështu atë ditë, mbarë Juda dhe Izraeli e kuptoi se mbreti nuk ishte përgjegjës për vdekjen e Abnerit, birit të Nerit.+ 38 Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve të tij: «Nuk e dini vallë se sot në Izrael ka rënë një princ dhe një njeri i madh?+ 39 Edhe pse i mirosur* si mbret,+ sot nuk jam aq i fuqishëm sa t’u kundërvihem këtyre burrave, djemve të Zerujasë,+ sepse janë tepër të dhunshëm.+ Jehovai ia ktheftë atij që bën keq sipas së keqes së vet!»+