Libri i parë i Mbretërve
5 Kur Hirami, mbreti i Tirit,+ dëgjoi se Solomoni ishte mirosur* si mbret në vend të të atit, ai dërgoi shërbëtorë te Solomoni, sepse Hirami kishte qenë gjithmonë mik me* Davidin.+ 2 Atëherë Solomoni i dërgoi fjalë Hiramit:+ 3 «Ti e di mirë se im atë, Davidi, nuk ndërtoi dot një shtëpi për emrin e Jehovait, Perëndisë së tij, për shkak të luftërave që u ndërmorën kundër tij nga çdo anë, derisa Jehovai i dha fitoren mbi armiqtë.*+ 4 Por tani, Jehovai, Perëndia im, më ka dhënë paqe* nga të gjitha anët.+ S’ka asnjë që më kundërshton dhe s’ndodh asgjë e keqe.+ 5 Prandaj kam ndër mend të ndërtoj një shtëpi për emrin e Jehovait, Perëndisë tim, ashtu siç i premtoi Jehovai Davidit, atit tim, kur i tha: ‘Shtëpinë për emrin tim do ta ndërtojë djali yt,+ të cilin do ta vë në fron në vendin tënd.’ 6 Tani urdhëroje popullin tënd që të presë për mua cedra nga Libani.+ Shërbëtorët e mi do të punojnë me shërbëtorët e tu, dhe do t’i paguaj shërbëtorët e tu aq sa të vendosësh, sepse ti e di mirë që asnjë nga ne nuk di të presë dru si sidonitët.»+
7 Kur dëgjoi fjalët e Solomonit, Hirami u gëzua shumë dhe tha: «Lëvduar qoftë sot Jehovai, sepse i ka dhënë Davidit një djalë të mençur dhe e ka vënë në krye të këtij populli të madh!»*+ 8 Kështu Hirami i dërgoi fjalë Solomonit: «E mora mesazhin që më dërgove. Do të ta plotësoj dëshirën dhe do të të siguroj dru cedri e dëllinje.+ 9 Shërbëtorët e mi do t’i zbresin trungjet nga Libani në det, dhe do të bëj me to lundra e do t’i çoj nëpërmjet detit atje ku të më thuash ti, pastaj do t’i zgjidh e ti mund t’i mbartësh. Në këmbim, do të më sigurosh ushqimin që do të të kërkoj për shtëpinë time.»+
10 Kështu, Hirami i dha Solomonit aq dru cedri dhe dëllinje sa i kërkoi. 11 Solomoni i jepte Hiramit si ushqim për shtëpinë e tij 20.000 korë* grurë dhe 20 korë vaj ulliri shumë të mirë;* Solomoni ia jepte këto Hiramit vit për vit.+ 12 Dhe Jehovai i dha Solomonit mençuri, siç i kishte premtuar.+ Mes Hiramit dhe Solomonit pati paqe dhe të dy bënë një marrëveshje.*
13 Mbreti Solomon rekrutoi nga gjithë Izraeli burra për punë të detyruar: gjithsej 30.000 veta.+ 14 Ai dërgonte me radhë në Liban 10.000 veta çdo muaj. Ata rrinin një muaj në Liban dhe dy muaj në shtëpitë e tyre. Përgjegjës i të rekrutuarve për punë të detyruar ishte Adonirami.+ 15 Solomoni kishte 70.000 punëtorë të thjeshtë* dhe 80.000 gurprerës+ në male,+ 16 si edhe 3.300 nëpunës+ që shërbenin si përgjegjës për të mbikëqyrur punëtorët. 17 Me urdhër të mbretit, ata nxirrnin gurë të mëdhenj, gurë të kushtueshëm,+ që themelet+ e shtëpisë të bëheshin me gurë të latuar.+ 18 Kështu, ndërtuesit e Solomonit, ndërtuesit e Hiramit dhe gebalitët+ prenë gurët dhe përgatitën drurë e gurë për ndërtimin e shtëpisë.