Libri i dytë i Kronikave
9 Tani, mbretëresha e Shebës+ dëgjoi për famën e Solomonit, prandaj erdhi në Jerusalem ta vinte në provë me pyetje të ndërlikuara.* Bashkë me të ishte një grup mbresëlënës me shërbëtorë,* me deve të ngarkuara me vaj balsami dhe me sasi të mëdha ari+ e gurë të çmuar. Ajo shkoi te Solomoni dhe e pyeti për gjithçka që kishte në zemër.+ 2 Atëherë Solomoni iu përgjigj të gjitha pyetjeve të saj; nuk kishte asgjë tepër të vështirë* për Solomonin që të mos dinte t’ia shpjegonte.
3 Kur mbretëresha e Shebës pa mençurinë e Solomonit,+ shtëpinë që kishte ndërtuar,+ 4 ushqimin në tryezën e tij,+ vendet ku uleshin shërbëtorët në tryezën e tij, shërbimin që bënin kamerierët dhe veshjet e tyre, kupëmbajtësit dhe veshjet e tyre, si dhe flijimet e djegura që bënte rregullisht në shtëpinë e Jehovait,+ ajo ngeli pa mend.* 5 Atëherë i tha mbretit: «Gjithçka që dëgjova në vendin tim për arritjet* e tua dhe për mençurinë tënde, dolën të vërteta. 6 Nuk i besova ato që dëgjova, derisa erdha vetë e i pashë me sytë e mi.+ Dhe ja, nuk më kishin treguar as për gjysmën e mençurisë sate të madhe.+ Ti ia tejkalon gjithçkaje që kam dëgjuar.+ 7 Lum njerëzit dhe shërbëtorët e tu që qëndrojnë vazhdimisht para teje e dëgjojnë mençurinë tënde! 8 Lëvduar qoftë Jehovai, Perëndia yt, që ka gjetur kënaqësi te ti dhe të ka vënë në fronin e tij si mbret për Jehovain, Perëndinë tënd! Meqë Perëndia yt e do Izraelin+ dhe do që ai të vazhdojë përgjithmonë, të caktoi ty mbi të si mbret që të japësh gjykim të drejtë dhe të mbretërosh me drejtësi.»
9 Pastaj ajo i dha mbretit 120 talenta* ari,+ një sasi të madhe vaji balsami e gurësh të çmuar. Askush nuk solli më aq shumë vaj balsami në vend, sa i solli mbretëresha e Shebës mbretit Solomon.+
10 Përveç kësaj, shërbëtorët e Hiramit dhe shërbëtorët e Solomonit që sillnin ar nga Ofiri,+ sillnin edhe dru algumi* dhe gurë të çmuar.+ 11 Me drurin e algumit mbreti bëri shkallë për shtëpinë e Jehovait+ dhe për shtëpinë e vet,*+ si dhe harpa e instrumente me tela për këngëtarët.+ Si ai dru nuk ishte parë kurrë më parë në vendin e Judës.
12 Mbreti Solomon gjithashtu i dha mbretëreshës së Shebës gjithçka që ajo deshi dhe kërkoi, shumë më tepër* nga ç’i kishte sjellë ajo mbretit. Pastaj ajo, bashkë me shërbëtorët e saj, iku dhe u kthye në vendin e vet.+
13 Çdo vit Solomoni merrte 666 talenta ari,+ 14 përveç asaj që sillnin tregtarët shëtitës dhe tregtarët e tjerë, dhe përveç arit e argjendit që i sillnin Solomonit gjithë mbretërit e arabëve e guvernatorët e vendit.+
15 Mbreti Solomon bëri 200 mburoja të mëdha prej ari të përzier+ (secilën e veshi me 600 sikla* ari të përzier)+ 16 dhe 300 shqyte* prej ari të përzier (secilin e veshi me tri mina* ar). Pastaj mbreti i vuri ato në Shtëpinë e Pyllit të Libanit.+
17 Ai bëri edhe një fron të madh të fildishtë dhe e veshi me ar të kulluar.+ 18 Deri te froni kishte gjashtë shkallë dhe ngjitur me të ishte një stol këmbësh prej ari. Në të dyja anët e fronit kishte mbështetëse për krahët dhe anash tyre qëndronin dy luanë.+ 19 Gjithashtu, në secilën nga 6 shkallët, në të dyja anët, qëndronte nga një luan, gjithsej 12 luanë.+ Asnjë mbretëri tjetër nuk kishte një fron si ky. 20 Të gjitha enët me të cilat pinte mbreti Solomon ishin prej ari, dhe të gjitha pajisjet e Shtëpisë së Pyllit të Libanit ishin prej ari të kulluar. S’kishte asgjë prej argjendi, sepse në ditët e Solomonit argjendi konsiderohej pa vlerë.+ 21 Anijet e mbretit shkonin në Tarshish+ me shërbëtorët e Hiramit,+ dhe një herë në tre vjet anijet e Tarshishit sillnin ar, argjend, fildish,+ majmunë dhe pallonj.
22 Kështu mbreti Solomon ishte më i pasur dhe më i mençur se gjithë mbretërit e tjerë të tokës.+ 23 Tërë mbretërit e tokës kërkonin ta takonin Solomonin* për të dëgjuar mençurinë që i kishte dhënë* Perëndia i vërtetë.+ 24 Të gjithë sillnin dhurata: sende argjendi, sende ari, rroba,+ armë, vaj balsami, kuaj dhe mushka. Kjo vazhdoi vit pas viti. 25 Solomoni kishte 4.000 stalla për kuajt dhe për karrocat e tij, si edhe 12.000 kuaj,*+ që i mbante në qytetet e karrocave dhe pranë mbretit në Jerusalem.+ 26 Ai sundoi mbi gjithë mbretërit, që nga Lumi* deri në vendin e filistinëve dhe deri në kufirin e Egjiptit.+ 27 Mbreti bëri që në Jerusalem argjendi të ishte i shumtë si gurët, kurse drurët e cedrit të ishin me bollëk si fiqtë e Egjiptit në Shefelah.+ 28 Solomonit i sillnin kuaj nga Egjipti+ dhe nga gjithë vendet e tjera.
29 Pjesa tjetër e historisë së Solomonit,+ nga fillimi deri në fund, a nuk është shkruar në fjalët e profetit Natan,+ në profecinë e shilonitit Akijah+ dhe në përmbledhjen e vegimeve* të vegimtarit Ido+ për Jeroboamin,+ birin e Nebatit? 30 Solomoni mbretëroi 40 vjet në Jerusalem, mbi gjithë Izraelin. 31 Në fund Solomoni u preh me paraardhësit e vet dhe e varrosën në Qytetin e Davidit, atit të vet;+ në vend të tij u bë mbret i biri, Rehoboami.+