Eksodi
31 Jehovai vazhdoi të fliste me Moisiun: 2 «Ja, unë kam zgjedhur* Bezalelin,+ birin e Urit, nipin e Hurit, nga fisi i Judës.+ 3 Do ta mbush me frymën time,* me mençuri, me aftësi për të kuptuar* e me njohuri, që të jetë i aftë për çdo lloj zanati: 4 të bëjë punime artistike, të punojë arin, argjendin e bakrin, 5 të presë e të mbërthejë gurë të çmuar+ dhe të bëjë punime druri të çdo lloji.+ 6 Gjithashtu për ta ndihmuar, kam caktuar Oholiabin,+ birin e Ahisamakut, nga fisi i Danit, dhe do t’u jap mençuri* të gjithë mjeshtërve* që të bëjnë çdo gjë që të urdhërova:+ 7 tendën e takimit,+ arkën e Dëshmisë+ dhe kapakun e saj,+ gjithë pajisjet e tendës, 8 tryezën+ dhe pajisjet e saj, shandanin prej ari të kulluar dhe gjithë pajisjet e tij,+ altarin e temjanit,+ 9 altarin e blatimit të djegur+ dhe gjithë pajisjet e tij, legenin dhe këmbalecin e tij,+ 10 rrobat e endura hollë, rrobat e shenjta për priftin Aron, rrobat e djemve të tij që të shërbejnë si priftërinj,+ 11 vajin e mirosjes dhe temjanin aromatik për shenjtëroren.+ Ata do të bëjnë gjithçka që të kam urdhëruar.»
12 Jehovai i tha më tej Moisiut: 13 «Thuaju izraelitëve: ‘Mbi të gjitha mbani sabatet e mia,+ sepse janë një shenjë mes meje dhe jush, brez pas brezi, që të dini se unë, Jehovai, po ju shenjtëroj. 14 Mbajeni Sabatin, sepse është i shenjtë për ju.+ Kush e përdhos, duhet të ekzekutohet; nëse dikush bën ndonjë punë gjatë sabatit, duhet shfarosur* nga gjiri i popullit.+ 15 Mund të punoni gjashtë ditë, por dita e shtatë është sabat, pushim i plotë,+ diçka e shenjtë për Jehovain. Kushdo që punon gjatë ditës së Sabatit, duhet të ekzekutohet. 16 Izraelitët duhet ta mbajnë Sabatin, po, duhet ta respektojnë Sabatin brez pas brezi, dhe kjo është një besëlidhje e pandryshueshme. 17 Sabati është një shenjë e qëndrueshme mes meje dhe popullit të Izraelit,+ sepse në gjashtë ditë Jehovai bëri qiejt dhe tokën, dhe ditën e shtatë filloi të pushonte e të kënaqej me punën e tij.’»+
18 Sapo mbaroi së foluri me të në malin Sinai, ai i dha Moisiut dy pllakat e Dëshmisë,+ pllaka guri të shkruara me gishtin e Perëndisë.+