Estera
5 Ditën e tretë+ Estera veshi rrobën mbretërore dhe qëndroi në oborrin e brendshëm të shtëpisë së mbretit,* përballë shtëpisë së tij, ndërsa mbreti ishte ulur në fronin mbretëror në shtëpinë mbretërore, përballë hyrjes. 2 Sapo mbreti pa mbretëreshën Ester në këmbë në oborr, ajo fitoi pëlqimin e tij dhe ai shtriu drejt saj skeptrin prej ari+ që kishte në dorë. Atëherë Estera u afrua dhe preku majën e skeptrit.
3 Mbreti e pyeti: «Çfarë ke, o mbretëresha Ester? Cila është lutja jote? Edhe sikur të kërkosh gjysmën e mbretërisë, do të të jepet!» 4 Estera iu përgjigj: «Nëse mbreti e sheh të udhës, le të vijë sot bashkë me Hamanin+ në gostinë që kam përgatitur për të.» 5 Atëherë mbreti u tha njerëzve të vet: «Thuajini Hamanit që të vijë shpejt si ka kërkuar Estera.» Kështu, mbreti dhe Hamani vajtën në gostinë që kishte përgatitur Estera.
6 Gjatë gostisë me verë, mbreti i tha Esterës: «Cila është kërkesa jote? Do të të plotësohet! Cila është lutja jote? Edhe sikur të kërkosh gjysmën e mbretërisë, do të të jepet!»+ 7 Estera iu përgjigj: «Kërkesa dhe lutja ime është kjo: 8 nëse gëzoj pëlqimin e mbretit e nëse mbreti e sheh të udhës të plotësojë kërkesën dhe lutjen time, le të vijnë nesër mbreti dhe Hamani në gostinë që do të shtroj për ta, dhe nesër do të bëj si ka thënë mbreti.»
9 Atë ditë Hamani doli i gëzuar dhe me hare në zemër. Mirëpo, kur pa Mordekain në portën e mbretit dhe vuri re që as u ngrit e as dridhej nga frika në prani të tij, Hamani u mbush me tërbim kundër tij.+ 10 Megjithatë e mbajti veten dhe vajti në shtëpi. Më pas dërgoi të thërritnin miqtë e vet dhe të shoqen, Zereshën.+ 11 Hamani u mburr për pasurinë e tij përrallore, për bijtë e shumtë+ dhe si e kishte ngritur mbreti në përgjegjësi dhe e kishte lartësuar mbi princat e mbi shërbëtorët e mbretit.+
12 Hamani shtoi: «Për më tepër, mbretëresha Ester nuk ftoi askënd tjetër veç meje për të shoqëruar mbretin në gostinë që kishte përgatitur.+ Madje edhe nesër jam i ftuar tek ajo bashkë me mbretin.+ 13 Por e gjithë kjo nuk më hyn fare në sy, përderisa shoh judeun, Mordekain, të ulur në portën e mbretit.» 14 Kështu Zeresha, e shoqja, dhe tërë miqtë e tij i thanë: «Jep urdhër të ngrenë një shtyllë 50 kute* të lartë dhe në mëngjes thuaji mbretit që atje të varet Mordekai.+ Pastaj shko me mbretin e kënaqu në gosti.» Ky sugjerim i pëlqeu Hamanit, i cili dha urdhër që të ngrihej shtylla.