Jeremia
33 Fjala e Jehovait iu drejtua Jeremisë për herë të dytë kur ishte ende i mbyllur në Oborrin e Rojës:+ 2 «Kështu thotë Jehovai, Bërësi i tokës, po, Jehovai, ai që e formoi dhe e bëri të patundshme; Jehova është emri i tij: 3 ‘Më thirr dhe do të të përgjigjem, e menjëherë do të të tregoj gjëra të mëdha e të pakuptueshme, gjëra që nuk i ke ditur.’+
4 Kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit, për shtëpitë e këtij qyteti dhe për shtëpitë e mbretërve të Judës që janë shembur për të shërbyer si mbrojtje nga ledhet rrethuese dhe nga shpata e armikut,+ 5 si edhe për ata që po vijnë për të luftuar kundër kaldeasve, po, për ata që do t’i mbushin këto shtëpi me kufomat e veta kur t’i vras nga zemërimi e tërbimi im, ngaqë më kanë detyruar me ligësinë e tyre t’i largoj sytë nga ky qytet: 6 ‘Unë do t’i sjell qytetit shërim e shëndet,+ do t’i shëroj ata e do t’u jap me bollëk paqe dhe të vërtetë.+ 7 Do t’i kthej robërit e Judës e të Izraelit+ dhe do t’i forcoj si në fillim.+ 8 Do t’i pastroj nga tërë faji i mëkateve që kanë bërë kundër meje,+ dhe do t’ua fal tërë fajet e mëkateve e të shkeljeve* që kanë kryer kundër meje.+ 9 Emri i këtij qyteti do të më sjellë ngazëllim, dhe ky qytet do të jetë burim lavdie e lëvdimi për mua para gjithë kombeve të tokës, të cilat do të dëgjojnë për tërë mirësinë që do t’u sjell atyre.+ Kombet do të tmerrohen dhe do të dridhen+ nga gjithë mirësia dhe paqja që do t’i sjell atij.’+
10 Kështu thotë Jehovai: “Në këtë vend që do ta quani të shkretë, pa njeri dhe pa bagëti, në qytetet e Judës e në rrugët e Jerusalemit që janë të shkretuara, pa njeri e pa banorë dhe pa bagëti, do të dëgjohet përsëri 11 britma e ngazëllimit dhe e gëzimit,+ zëri i dhëndrit e i nuses, zëri i atyre që do të thonë: ‘Falënderoni Jehovain e ushtrive, sepse Jehovai është i mirë;+ dashuria e tij besnike zgjat përjetë!’+
Ata do të sjellin blatime falënderimi në shtëpinë e Jehovait,+ sepse unë do t’i kthej robërit e këtij vendi, siç ishin në fillim,—thotë Jehovai.”
12 Kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Në këtë vend të shkretë pa njeri e pa bagëti dhe në mbarë qytetet e tij do të ketë përsëri kullota për barinjtë, ku të pushojnë kopetë e tyre.+
13 Në qytetet e rajonit malor, në qytetet e ultësirës, në qytetet e jugut, në vendin e Beniaminit, në rrethinat e Jerusalemit+ dhe në qytetet e Judës+ do të kalojnë përsëri kope nën duart e atij që i numëron,—thotë Jehovai.
14 Ja, po vijnë ditët,—thotë Jehovai,—kur do të përmbush premtimin që thashë për shtëpinë e Izraelit dhe për shtëpinë e Judës.+ 15 Në atë kohë do të bëj që të mbijë për Davidin një filiz*+ i drejtë, dhe ai do të gjykojë me drejtësi e do të bëjë atë që është e drejtë në vend.+ 16 Në ato ditë Juda do të shpëtojë,+ dhe Jerusalemi do të banojë i sigurt.+ E ai do të quhet: Jehovai është drejtësia jonë.’+
17 Kështu thotë Jehovai: ‘Një nga pasardhësit e Davidit do të ulet gjithmonë në fronin e shtëpisë së Izraelit,+ 18 dhe priftërinjtë levitë do të kenë gjithnjë dikë që të paraqitë para meje blatimet e plota të djegura, blatime në drithë dhe flijime.’»
19 Jehovai i drejtoi Jeremisë edhe këtë mesazh: 20 «Kështu thotë Jehovai: ‘Vetëm po të prishni besëlidhjen time për ditën dhe natën, që dita dhe nata të mos vijnë në kohën e vet,+ 21 atëherë mund të prishet besëlidhja ime me Davidin,+ shërbëtorin tim, që ai të mos ketë një bir që të mbretërojë si mbret në fronin e tij,+ dhe mund të prishet besëlidhja ime me priftërinjtë levitë, shërbëtorët e mi.+ 22 Ashtu si ushtria e qiejve nuk mund të numërohet dhe si rëra e detit nuk mund të matet, po kështu do t’i shtoj pasardhësit* e Davidit, shërbëtorit tim, si edhe levitët që më shërbejnë.’»
23 Pastaj Jehovai i drejtoi Jeremisë këtë fjalë: 24 «A nuk e ke vënë re ç’thonë kundërshtarët mes këtij populli: ‘Jehovai do t’i hedhë poshtë dy familjet që ka zgjedhur.’ Ata e trajtojnë popullin tim me përbuzje, sikur të mos jetë më një komb.
25 Kështu thotë Jehovai: ‘Siç është e sigurt që kam themeluar besëlidhjen time për ditën dhe natën,+ për ligjet e qiellit dhe të tokës,+ 26 po kështu nuk do t’i hedh kurrë poshtë pasardhësit* e Jakobit dhe të Davidit, shërbëtorit tim, dhe nga pasardhësit* e tij do të zgjedh sundimtarë për pasardhësit* e Abrahamit, të Isakut dhe të Jakobit. Unë do t’i mbledh robërit e tyre,+ sepse do të më dhimbsen.’»+