Zanafilla
21 Jehovai nuk e harroi Sarën, siç kishte thënë; Jehovai bëri siç kishte premtuar.+ 2 Sara mbeti shtatzënë+ dhe i lindi Abrahamit një djalë në pleqërinë e tij, tamam në kohën që i kishte premtuar Perëndia.+ 3 Abrahami e quajti Isak+ djalin që sapo i kishte lindur Sara 4 dhe e rrethpreu Isakun, djalin e tij, kur ishte tetëditësh, pikërisht siç e kishte urdhëruar Perëndia.+ 5 Abrahami ishte 100 vjeç kur i lindi i biri, Isaku. 6 Atëherë Sara tha: «Perëndia më dha arsye për të qeshur, e kushdo që do të dëgjojë për këtë, do të qeshë bashkë me mua.»* 7 Pastaj shtoi: «Kujt do t’ia merrte mendja që gruaja e Abrahamit, Sara, do të mëndte fëmijë? E prapëseprapë, unë i linda një djalë në pleqëri.»
8 Ndërkohë fëmija rritej dhe pas ca kohësh e ndanë nga gjiri. Ditën kur iu hoq gjiri Isakut, Abrahami përgatiti një gosti të madhe. 9 Mirëpo Sara vuri re se djali që egjiptiania Agarë+ i kishte lindur Abrahamit po tallej me Isakun,+ 10 prandaj i tha Abrahamit: «Dëboje këtë skllave dhe djalin e saj, sepse djali i kësaj skllaveje nuk do të jetë trashëgimtar bashkë me tim bir, Isakun!»+ 11 Por ajo që i tha Sara për të birin, Ismaelin, nuk i pëlqeu fare Abrahamit.+ 12 Atëherë Perëndia i tha: «Mos u mërzit nga fjalët që po të thotë Sara për djalin dhe skllaven tënde. Dëgjoje,* sepse pasardhësi* yt i premtuar do të vijë nëpërmjet Isakut.+ 13 Sa për djalin e skllaves+ do ta bëj një komb,+ sepse edhe ai është pasardhës yti.»*
14 Kështu Abrahami u çua herët në mëngjes, mori bukë dhe një kacek me ujë e ia dha Agarës; ia vuri në sup dhe e largoi bashkë me djalin.+ Kështu ajo u nis për rrugë dhe u end nëpër shkretëtirën e Ber-Shebës.+ 15 Në fund, uji i kacekut mbaroi, ndaj ajo e shtyu djalin nën një shkurre. 16 Pastaj iku më tutje dhe u ul vetëm, pak a shumë aq larg sa mund të qëllohet një shigjetë me hark, sepse tha: «Nuk dua ta shoh djalin të vdesë.» Kështu u ul në njëfarë largësie dhe nisi të qante me dënesë.
17 Por Perëndia e dëgjoi zërin e djalit+ dhe engjëlli i Perëndisë e thirri Agarën nga qiejt e i tha:+ «Çfarë ke Agarë? Mos ki frikë, sepse Perëndia e ka dëgjuar zërin e djalit atje tek është. 18 Çohu, ngrije djalin dhe kujdesu për të, sepse kam për ta bërë një komb të madh.»+ 19 Pastaj Perëndia ia hapi sytë dhe ajo pa një pus me ujë; shkoi dhe mbushi kacekun, e i dha djalit për të pirë. 20 Perëndia ishte me djalin+ teksa rritej; ai banoi në shkretëtirë dhe u bë harkëtar. 21 Ai u vendos me banim në shkretëtirën e Paranit+ dhe e ëma i mori një nuse nga Egjipti.
22 Në atë kohë, Abimeleku bashkë me Fikolin, kreun e ushtrisë së tij, i tha Abrahamit: «Perëndia është me ty në çdo gjë që po bën.+ 23 Prandaj m’u beto tani këtu për Perëndinë se nuk do të tregohesh i pabesë me mua, me djemtë e mi dhe me djemtë e djemve të mi, por do të sillesh me mua dhe me tokën ku ke banuar me të njëjtën dashuri besnike që kam treguar ndaj teje.»+ 24 Atëherë Abrahami tha: «Të betohem.»
25 Megjithatë Abrahami iu ankua Abimelekut për pusin e ujit që shërbëtorët e Abimelekut e kishin shtënë në dorë me dhunë.+ 26 Abimeleku i tha: «Nuk e di kush e ka bërë këtë dhe as ti vetë nuk më ke thënë gjë. Unë për vete sot po e dëgjoj për herë të parë këtë punë.» 27 Prandaj Abrahami mori dhen e gjedhë, ia dha Abimelekut, dhe të dy bënë një besëlidhje. 28 Kur Abrahami vuri mënjanë shtatë qengja femër të kopesë, 29 Abimeleku i tha: «Pse i vure mënjanë këta shtatë qengja?» 30 Atëherë ai ia ktheu: «Pranoji këta shtatë qengja nga dora ime si dëshmi që këtë pus e kam hapur unë.» 31 Ja pse Abrahami e quajti atë vend Ber-Shebë,*+ sepse të dy u betuan atje. 32 Kështu bënë një besëlidhje+ në Ber-Shebë. Pastaj Abimeleku u ngrit bashkë me Fikolin, kreun e ushtrisë së tij, dhe u kthyen në vendin e filistinëve.+ 33 Pas kësaj, Abrahami mbolli një pemë bruke në Ber-Shebë dhe atje i thuri lavde emrit të Jehovait,+ Perëndisë së përjetshëm.+ 34 Abrahami qëndroi* në vendin e filistinëve për një kohë të gjatë.*+